Dostojevski ishte dënuar me vdekje, u fal pak para ekzekutimit
Shkrimtari i madh, Dostojevski (Fyodor Dostoyevsky), ishte dënuar një herë me vdekje nga cari rus. Dhe, më pas është falur, duke iu konvertuar dënimi në katër vjet burg dhe katër të tjera mobilizim të detyruar në ushtrinë ruse.
Ishte viti 1849, kur shkrimtari sapo kishte mbushur 28 vjet. Bashkë me një grup miqsh dhe artistësh të tjerë, ishte pjesë e rrethit letrar “Petrashevskij”, një grupim që kishte rënë mjaft në sy edhe për idetë e tij anticariste. Kështu, cari urdhëron burgosjen e të gjithë rrethit letrar dhe brenda pak muajsh gjykata e kohës i dënon me vdekje për veprimtari subversive.
Krijuesit janë marrë dhe dërguar në fushën e ekzekutimit, duke pritur me orë të tëra në një të ftohtë ekstrem, për skuadrën e pushkatimit e cila po vononte. Por, në vend të saj, vjen një letër e firmosur nga vetë Cari, që anulonte vendimin. Një falje kjo që ai e aplikonte shpesh në momentet e fundit, për të manifestuar kështu mëshirën ndaj nënshtetasve e cila, po të mos kish ndodhur, do t’i mohonte fondit të letërsisë botërore një kolos dhe disa vepra të ndritura më pak.
Dostojevski (1821-1881) është ndër më të mëdhenjtë e të gjithë kohërave. Ai ka shkruar 11 romane dhe një sërë novelash dhe tregimesh, por veç të tjerave, konsiderohet si pararendësi më tipik i ekzistencializmit, rrymës letraro-artistike të lëruar në shekullin XX. /EO/