Drama “Në lindje të Berlinit” në Teatrin Eksperimental

Drama “Në lindje të Berlinit”, vepër shkruar nga Hannah Moscovitch me regji të Milto Kutalit po shfaqet për publikun në këtë muaj festash në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Rolet në këtë shfaqje vijnë nën interpretimin e aktorëve Arben Derhemi, Ahmet Pasha, Ina Morina dhe Blendi Arifi, por dhe artistë të rinj që janë pjesë e kësaj drame.

Shfaqja teatrore është ngjitur në skenë me pjesëmarrjen e aktorit të shquar Ahmet Pasha, që luan rolin e një ish mjeku të kampit të Aushvicit, rolin e Rudit e luan Arben Derhemi. Mëkatet e etërve nazistë do t’i sjellin të përjetuara në dramë dy aktorët Blendi Arifi dhe Ina Morinaj.

Regjisori i njohur, Milto Kutali tregon se kjo vepër ka vlera edukative. Ai u shpreh para premirës së shfaqjes se, “në këtë vepër, por edhe në disa prej punëve të mia më shqetëson problemi për gjeneratën e re. Kjo dhe për faktin, sepse dhe vetë fëmijët e mi por rriten dhe e dyta si një njeri që kam gati 30 vjet që jap mësim në Universitetin e Arteve më shqetëson dhe mendoj se duhet të jap kontributin tim për edukimin e kësaj gjenerate. Sigurisht për të mos shkuar në atë që thuhet në këtë vepër, që mëkatet e etërve i paguajnë fëmijët. Padyshim që kjo është një thirrje për çdo prind që duhet medoemos t’i lërë një trashëgimi sa më të kulluar fëmijëve të tij. Asnjë nga ne nuk mund të jetë steril, por mundësisht t’i lërë fëmijëve sa më pak gabimet të veta, gjë që do të shërbejë për të ardhmen e këtyre fëmijëve”, pohoi regjisori Kutali. Drama “Në lindje të Berlinit” është një nga projektet që vjen në vijim të bashkëpunimeve që ka regjisori Kutali dhe aktori Arben Derhemi.

Vepra merr zanafillën nga një adoleshent 17 vjeçar, që i ati i tij ka qenë mjek dhe ka eksperimentuar me të burgosurit hebrenjë në kampin e përqendrimit të Aushvic. Regjisori Kutali tregon se pikërisht këtu fillon dhe drama. Ngjarjet zhvillohen në dy vende në Paraguaj, që janë vendet e Amerikës Latine, ku gjetën strehë oficerët nazistë të Hitlerit pas Luftës së Dytë Botërore dhe në Gjermaninë e 20 viteve më vonë. Drama do të shfaqet në sallën e re “Gëte”, ora 19:00 edhe në datat 19-20-21-22-23-24-26-27-28 dhjetor në skenën e Teatrit Eksperimental.

SHKARKO APP