Drashovica mbledh 18 grupe folklorike në festivalin “Buçet kënga labe”
Festivali Folkorik “Buçet kënga labe” mblodhi këtë fundjavë në fshatin Drashovicë, të Vlorës 18 grupe folklorike, banorë të fshatrave të 3 bashkive Himarë, Selenicë e Vlorë.
I kthyer në traditë, ky festival që zhvillohet për të dytin vit, solli magjinë e polifonisë labe , ku ndërhturet historia e lavdishme me traditën e hershme të polifonisë labe.
Në festivalin e realizuar nga bashkia Selenicë dhe shoqata kulturore-atdhetare “Drashovica”, morën pjesë 163 artistët popullorë të zonës, të cilët me interpretimin virtuoz, kostumet folklorike dhe disiplinën e lartë artistike, sollën për të pranishmit këngë polifonike labe.
Kryetari i bashkisë së Selenicës, Përparim Shametaj shprehu bindjen se ky festival do të ngelet një festival i përvitshëm në portën e labërisë, fshatin Drashovicë, që mban dhe titullin “Nderi i kombit”.
Ndërsa depueti i Partisë Socialiste, Petrit Sinaj, u shpreh se është një koncert i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një traditë që duhet zhvilluar”.
Sipas tij, ky është një aktivitet që i përshtatet fshatit të Drashovicës dhe krahinës së labërisë.
Grupet polifonike që morën pjesë në këtë festival janë : Grupi “Drashovica”, grupi “Ali Asllani”, grupi i Armenit, grupi “Bilbili”, grupi “Buronjat labe”, grupi “Çipini”, grupi “Djemtë e Vlorës”, grupi i Dukatit, grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, grupi i Gorrishtit, grupi “Ismail Qemali”, grupi “Jehona Labe”, grupi Kudhës-Grehot (Sevaster), grupi i Lapardhasë, grupi “Pavarësia”, grupi “Bejkë e bardhë”, grupi i Vezhdanishtit , grupi i Dushkarakut dhe grupi i Selenicës.
Ky festival u organizua në prag të 75 vjetorit të luftës së Drashovicës. Fshati i Drashovicës, që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”, nuk është i njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë. Qeveria Shqiptare përmes projektit 100 fshatrat turistikë, do t’i kthejë lavdinë e dikurshme fshatit me pamje e bukuri magjepsëse, përmes zhvillimit të agroturizmit./k.s/j.p/