Duçja i ngjashëm me Ismail bej Vlorën, pse s’u vendos busti në Tiranë
Nga Armand Plaka –
Në momentet kur besohej se pushtimi italian në Shqipëri tashmë ishte i pakthyeshëm, mendohej edhe për përjetësimin e protagonistëve që e bënë të mundur atë realitet nga të dyja anët.
Kështu, në dhjetor të vitit 1940, skulptorët italianë e ata shqiptarë duket se i ishin përveshur punës për të sjellë artistikisht “Duçen e Fashizmit” dhe “mëkëmbësin” e tij në Shqipëri, Shefqet Vërlacin, në dy vepra – sidoqoftë, jo në raport të drejtë me njëra-tjetrën.
DUÇE DHE VËRLACI, DY SIMBOLET E NJË IDEOLOGJIE
Musolini duhej përjetësuar me një vepër madhore monumentale, boceti i së cilës tashmë ishte përgatitur e ishte bërë gati për t’u vendosur në një shesh qendror të Tiranës, ndërsa Kryeministrit shqiptar i ishte rezervuar vetëm një bust (një portret). Sidoqoftë, duket se planet mbetën vetëm në letër, pasi nuk kemi evidenca e as dëshmi se monumenti i Duçes të jetë përfunduar e të jetë vendosur diku në kryeqytetin shqiptar, e as nuk dimë se ç’ndodhi më tej me fatin e atij projekti, sikurse nuk dimë as arsyet se pse ai u la përgjysmë.
A U TËRHOQ DUÇJA VETË NGA PLANI FILLESTAR?
Por sidoqoftë, ne mund të marrim me mend se lufta italogreke dhe disfatat që po pasonin ia zbehën ndoshta edhe vetë Duçes dëshirën për të pasur në Tiranë një monument të atilla përmasave. Si duket, hallet e frontit bënë që Shqipëria të mos ishte më “në zemrën e Duçes”.
NGJASHMËRI ME MONUMENTIN E ISMAIL QEMALIT
Por një tjetër aspekt më ngacmoi të shkruaj dy rreshta e komente shoqëruese për këto dy “zbulime” ose të themi më mirë risi. Nëse e sheh nga aspekti i realizimit artistik, të bën të besosh se vepra për Duçen mbart jo pak ngjashmëri me monumentin e Ismail Qemalit në ditët e sotme, i cili ndodhet përballë “Hotel Rognerit” në Tiranë, sidomos nëse sheh me vëmendje sfondin, por kjo ndoshta nuk vlen shumë nëse i hedh një sy qëndrimit tepër kapadai, tipik diktatorial të themeluesit të fashizmit, në krahasim me atë qëndrim sigurisht krenar, por njerëzor e “me këmbë në tokë” të Plakut të Vlorës. Sidoqoftë, në të dyja rastet, duket se veprat përshtaten tërësisht me imazhin që gjithkush ka sot në kokë, si për Duçen, ashtu dhe për Atin e Shtetit Shqiptar.
A ISHTE ODHISE PASKALI AUTORI I MONUMENTIT PËR DUÇEN?
Madje mund të tentoj edhe më shumë, edhe pse do duket si blasfemi: që autori i atij projekti për Musolinin të ketë qenë vetë Odhise Paskali, ose ndoshta që ai të ketë qenë vetë pjesëmarrës në grupin realizues, duke pasur parasysh kohën në të cilën ai jetoi. Fakti është se skeda që shoqëron fotot në fjalë nga arkiva e Institutit “Luce” në Romë nuk jep më shumë detaje sesa data, në të cilën është shkrepur foto, pa përmendur autorin e veprës apo projektit. Por dihet tashmë botërisht se ai ka realizuar si bustet e ishmonarkut shqiptar, Zogut I, ashtu dhe atë të Musolinit, e më vonë edhe Enver Hoxhës. E në këtë kontekst, mund të shtrohet edhe ky aludim. S’do ishte aspak çudi dhe madje do ishte zgjuarsi, që autori i monumentit të Ismail Qemalit, vetë i madhi Odhise Paskali, të jetë frymëzuar nga një projekt i tillë, i cili sidoqoftë, kish qenë i destinuar të mbetej vetëm i tillë. Ndoshta në këtë rast nuk do mjaftonte t’i ndryshohej vetëm koka, pasi duhej rikonceptuar tërësisht qëndrimi, domethënia, mesazhi i veprës. E nëse do ketë qenë kështu, mund të themi se mjeshtri ia ka arritur tërësisht.
PËRURIMI NË 2012 ISHTE NJË “RIPËRURIM”
Në ditën e përurimit të monumentit të Ismail Qemalit, në shumë nga të përditshmet shqiptare të 7 viteve më parë do të shihje të shkruhej: E hënë, 26 nëntor 2012-Tiranë -Shtatorja e Ismail Qemalit, vepër e skulptorit Odhise Paskali, që prej shumë vitesh gjendej në Muzeun Historik Kombëtar, është vendosur në lulishten e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kjo është hera e parë që një statujë e arkitektit të pavarësisë vendoset në rrugët e kryeqytetit. Statuja që Odhise Paskali realizoi në vitin 1981 për Ismail Qemalin është e lartë 2.5 metra dhe fillimisht u vendos në pavijonin e Pavarësisë në Muzeun Historik Kombëtar. Pra, është një vepër, të cilën mjeshtri i madh i artit pamor shqiptar e ka realizuar dekada më parë.
MJESHTRI PASKALI JETOI NË TRI KOHË
Mjeshtri Paskali jetoi në mënyrë dinamike në tri kohë ( shih: Ermir Hoxha, “Arti në Shqipëri 1945-1990, – Studim për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktor i Shkencave Historike”, 2014. Fq. 10. ) për të shprehur artin e tij të madh, duke u lënë kështu një pasuri të pamasë brezave që pasuan, që nga “Skënderbeu” në sheshin qendror të Tiranës, te “Luftëtari i Panjohur” në Korçë etj. Pohuar në këtë mënyrë, sigurisht që këto do të përbënin në çdo rast vetëm një aspekt të veprës së tij madhore dhe talentit të shprehur në shumë nga veprat e pavdekshme që la pas. Edhe pse ky do vijojë të mbetet vetëm një pretendim për shumëkënd i pabazuar, mund të merret me mend se ashtu sikurse në çdo fushë tjetër, edhe mjeshtri ynë i madh nuk mund ta hidhte dot poshtë kurrsesi memorien e tij artistike, pasi ajo mund të shërbente pa dyshim më pas, edhe pse në kohë të tjera, për ta ridimensionuar edhe më shumë artin e tij.
PËRSE S’MUND TË NGREMË NJË DYSHIM TË SIGURT?
Nga ana tjetër, nuk kemi siguri të plotë për dyshimin që ngremë e madje, një fakt na largon shumë nga pretendimi ynë. Sfondi i vendosur prapa monumentit të Ismail Qemalit në versionin se si ai është “ekspozuar” në ditët e sotme përballë “Hotel Rognerit”, merret me mend se është element i shtuar vetëm në këtë variant, pra, pas vitit 2012 dhe nuk ka ekzistuar në versionin fillestar, atë të vitit 1981. E në këtë aspekt, na duhet të mendojmë e madje të gjejmë më mirë se kush është “autori” apo ideatori i asaj “vepre shtesë”, e cila thuajse 100% i përngjet pikërisht sfondit që është dashur të përdoret për monumentin e Duçes në Tiranën e vitit 1940. Sigurisht që këtu s’ka asgjë të keqe e konsultimi me vepra artistike, sfonde apo bazamente të së shkuarës, nga cilado rrymë artistike apo kohë që të vijë, s’përbën asnjë shkelje. Do të doja ta vija në dukje thjesht si konstatim praktik, që më ka bërë të ngacmohem disi. Ai apo ajo që e ka sjellë duket se ka mundur ta shohë para nesh e ta huazojë si ide për ta sjellë në Tiranë, pa na thënë se dikur, dekada më parë, ai sfond do të mund të përdorej për Monumentin e Musolinit në Tiranë. Kjo do të kishte sjellë me siguri një debat, edhe pse për mua s’ka aq shumë rëndësi.
PAK FJALË PËR BUSTIN E SHEFQET VËRLACIT
Kurse për sa i përket Vërlacit, merret me mend se ai do ketë shërbyer për të zbukuruar korridoret e ambientet e ministrive e institucioneve shqiptare të kohës së fashizmit e madje do ta ketë pasur shumë të shkurtër kohën e përdorimit, pasi atij shpejt vendin do ia zinin pasardhës si Mustafa Kruja etj.. Edhe në këtë rast nuk dihet kush është autori, megjithëse në foto shfaqet dikush që po punon duke pasur si model një foto-portret të tij