Duke kujtuar 11 Shtatorin
Nga Mimoza Dajçi*
Kudo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nderohen me respekt të madh 3000 heronjtë – viktimat që humbën jetën gjatë sulmit terrorist që tronditi botën më 11 Shtator 2001 në New York, Pentagon dhe Pensilvania.
Si çdo vit edhe Borough Bronx President Ruben Diaz Jr, organizon ceremoni përkujtimore në Bulevardin kryesor Grand Concourse, pranë godinës së Bashkisë Bronx.
Të pranishëm ishin familjarë të viktimave, përfaqësues të ruajtjes së rendit, gjykatës e prokurorë të Gjykatës së Lartë New York, personalitete të lartë të politikës amerikane, organizata jo qeveritare, nxënës e studentë.
Takimin e hapi Shefi i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë për New York Hon. George J. Silver. Moderoi programin gazetari i njohur i NY 1, Dean Meminger. Evenimenti u përshëndet edhe nga vetë Borough Bronx President Ruben Diaz Jr. U mbajtën lutje fetare, fjalime dhe u kënduan këngë patriotike. Grupi i vajzave instrumentiste nga “Instituti Global i Vajzave” dha një koncert me muzikë klasike. Shoqëruan veprimtarinë Bandat e qytetit dhe policisë, oficeri i policisë Scott Cohn duke performuar “Hymin Amerikan” ftoi të pranishmit të këndonin së bashku. Leximi i emrave të heronjve të 11 shtatorit 2001, u shoqërua me një moment solemn nga Presidenti Ruben Diaz Jr, dhe renia e këmbanave.
Të ftuar në ceremoni ishin gjithashtu Z. Esad Rizai, President i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan, akademiku Bajram Doka dhe Organizata e Gruas “Hope & Peace”.
Me rastin e 11 Shtatorit, shqiptarët mbajnë homazhe edhe tek varrezat ku prehen tre heronjtë shqiptarë, të cilët humbën jetën në krye të detyrës Mon Gjonbalaj, Rrok Camaj dhe më i riu në moshë Simon Dedevukaj. I paharuar qoftë kujtimi i tyre! Nga New York, korresp/Hope & Peace.
*Bronx, New York, Shtator 2018