Edi Hila, piktori i transformimit

Galeria Kombëtare e Arteve prezanton ekspozitën e parë retrospektive të piktorit Edi Hila në Shqipëri.

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rendësishëm në punën e Hilës.

Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri filloi ndëshkimi i shfaqjeve me influenca të huaja në art dhe kulturë. Si pasojë u kritikua Mbjellja e Pemëve si dhe dekori i Festivalit të 11-të. Mbjellja e Pemëve u cilësua si një pikturë me një ekspresivitet të theksuar që devijonte nga doktrina e realizmit socialist, e të cilës i mungonte e ashtuquajtura “frymë revolucionare”. Për këto arsye, kjo pikturë sëbashku me dekorin e Festivalit të 11-të, shërbyen si bazë për dënimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Largimi nga realizmi socialist, i kushtoi Hilës tre vite në fabrikë, ku detyra e tij kryesore ishte transporti i thasëve. Gjatë viteve 1975–1978, ai krijoi fshehurazi një seri vizatimesh e grafikash në akuarel, motivet e së cilës frymëzoheshin nga puna dhe jeta e punëtorëve të fabrikës së pulave.

Në vitet 90-të, Hila vazhdoi të pikturojë duke kërkuar rafinimin e qëndrimit të tij estetik, duke e vëzhguar me kujdes jetën teksa ndryshonte thelbësisht pas rënies së regjimit komunist dhe duke u përpjekur të paraqesë realitetet e transformimit shqiptar. Hila krijoi serinë novatore Komfort (1997) gjatë krizës së thellë që pasoi rënien e skemave piramidale, e cila çoi vendin në një kaos të gjithanshëm. Seria paraqet utopinë e konsumit të pashtershëm që i ishte premtuar shoqërisë së re.

Hila kryesisht krijon seri mbi një temë të caktuar përgjatë disa pikturash. Seritë më të rëndësishme të Hilës përfshijnë Paradoks (2000–2005), Marrëdhëniet (2002–2014), Kërcënimi (2003–2009),

Objekte anash rrugës (2007–2010), Penthouses (2013), Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit (2015)

dhe Tenda mbi Çatinë e Makinës (2017). Të punuarit në mënyrë tematike i zhvesh transformimet e Evropës lindore nga rastësia, apo aventura, të cilat gjenden rëndom në shumë prezantime të tjera të rajonit. Duke i dhënë këtyre tranformimeve peshën e të vërtetave thelbësore, duket sikur është ai, pra artisti, kronisti i fundit i tyre.

 

Realizmi i pikturës së Hilës është i veçantë, i bazuar në vrojtimin e vëmendshëm të detajeve, të cilin ai e shfrytëzon për të përçuar të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Ky reduktim thelbësor vjen nga prirja e Hilës ndaj klasicizmit, si dhe magjepsja me burimet e pikturës rilindase. Duket sikur modernizmi ka avulluar nga fusha e interesave të tij. Ndaj transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit.

Kuruar nga Joanna Mytkowska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkololli

Arkitektura e ekspozitës nga Büro Meyer-Grohbrügge

Edi Hila: Piktori i Transformimitështë një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

SHKARKO APP