Edicioni i 16-të i çmimeve “Kult”, 66 të nominuar
Këtë vit, për shkak të pandemisë nuk do të shijojmë ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve. Megjithatë fituesit do zgjidhen për pak ditë. Janë 66 të nominuar për 11 çmimet e mëdha “Kult”. Ylli Sula, president i akademisë “Kult”, i ftuar në “Shqipëria live” tha se në fund të vitit të kaluar janë mbyllur listat e të nominuarve, pas një përzgjedhjeje me shumë kujdes.
“Brenda dy tre ditëve të ardhshme do të zgjidhen fituesit”. Eno Melkani, fitues i çmimit “Dokumentari i vitit”, në 2019-ën e vlerëson akademinë “Kult” si organizim shumë i rëndësishëm për artistët.
“Fitues është ai që vjen në sallë, është i vetmi konkurs që artistët mblidhen dhe kuptojmë cilët janë librat, muzika, aktorët e mirë. Akademia duhet të bëjë thirrje për të gjithë ata që prodhojnë, dhe të ketë më shumë informacion për krijimin që prezantohet, që juria të shohë si realizohet”.
Koço Qëndro, fitues i çmimit “Aktori më i mirë i vitit”, në 2019 me rolin e Kopracit, tregon se ky çmim mbylli karrierën e tij. “Jam shumë i lumtur, me këtë çmim unë mbylla karrierën time në skenë, gati 7 dekada”.