Edicioni i tretë i ZA Fest në Theth, jo vetëm festë
Fare pranë majave të thepisura të bjeshkëve të nemuna, në vendin legjendar të zanave të maleve do të mbahet edicioni i tretë i ZA Fest. Në nisje të muajit gusht, për tre ditë rresht, Thethi do të falë argëtim, muzikë, legjenda, histori dhe aktivitete sportive.
Përpos argëtimit, Za Fest ka në qendër promovimin e bukurive të vendit malor, por jo vetëm. Ajo që nuk ndryshon nga viti në vit është ndërgjegjësimi për të ruajtur dhe mbrojtur destinacionet turistike.
Vlashent Sata: “Dëshira më e madhe është të shkosh në Theth dhe të kuptosh dashamirësinë e atyre njerëzve atje që kanë qenë të izoluar dhe prapë kanë një zemër shumë bujare. Neve na bën përshtypje por ata e kanë zakon. Është vazhdimi i dëshirës për të pastruar Thethin nga mbeturinat, promovimi i vendit, bashkëbisedimi për sa i përket historisë.”
Pjesëmarrja mbetet ende pa shifër konkrete, por të gjitha bujtinat e zonës janë prenotuar nga besnikët e festivalit përgjatë datave 1, 2 dhe 3 gusht.