Efekti Monna Lisa ekziston, por jo te Gioconda
Miti i vështrimit magnetik të Monna Lisës, vepër e gjeniut Leonardo Da Vinci, që jep përshtypjen e ndjekjes së vëzhguesit rreth saj, është hedhur poshtë nga një studim i Universitetit gjerman të Bielefeldit, i botuar në revistën ”i-Perception”.
Përkufizimi, madje edhe në nivel shkencor ekziston, por për ironi nuk ndodh pikërisht me pikturën e ekspozuar në Muzeun e Luvrit.
“Mund të ndihesh sikur dikush po të vëzhgon, nëse je duke e parë drejt, domethënë në një kënd prej zero gradësh”, shpjegon profesori Gernot Horstmann, një nga autorët e studimit.
”Edhe me një vështrim pak anësor mund të ndjeheni të vëzhguar, por vetëm rreth 5 gradë nga një distancë normale e shikimit. Pastaj kjo përshtypje nuk ekziston më”, thekson ai.
“Çuditërisht, ne nuk duhet të qëndrojmë para imazhit për këtë ndjenjë. Efekti në vetvete është i pamohueshëm dhe i demonstrueshëm, por me Giocondën nuk kemi pasur këtë përshtypje”, Sebastian Loth.
Të paktën 24 personave iu kërkua të shikonin pikturën të ulur para një ekrani dhe të vlerësonin drejtimin e shikimit.
Pjesëmarrësit treguan se në çfarë gradacioni kanë ndeshur shikimin e Monna Lisës.
Për të provuar nëse karakteristikat e fytyrës kishin ndikuar në perceptimin e shikimit nga spektatorët, u përdorën 15 seksione të ndryshme të portretit. Çdo imazh është treguar tri herë në mënyrë të rastësishme. Në mes të seancës, distanca nga monitoruesi u ndryshua.
Në më shumë se 2 000 vlerësime, pothuajse çdo matje e vetme tregoi se vështrimi i Monna Lisa nuk është i drejtpërdrejtë, por në anën e djathtë.
“Pjesëmarrësit kanë pasur përshtypjen se pamja u kthye në drejtim të tyre dhe këndi i shikimit ishte mesatarisht 15,4 gradë. Është e qartë se ‘efekti Monna Lisa’ nuk është veçse një term i pasaktë”, shpjegon profesori Gernot Horstmann./atsh/