Egjipt, zbulohet “qyteti i artë”, dëshmi mbi jetën e faraonëve antikë

Një qytet 3 mijë vjeçar që ishte mbuluar nga rëra e Egjiptit është zbuluar së fundmi nga arkeologët. I njohur ndryshe si Aten, qyteti është më i madhi i zbuluar ndonjëherë në Egjipt dhe është dëshmi e jetës së faraonëve antikë.

Zbulimi i një qyteti 3,000 vjeçar që humbi nga rërat e Egjiptit është vlerësuar si një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike që nga zbulimi i varrit të Tutankhamun.

Egjiptologu i njohur Zahi Haëass njoftoi zbulimin e “qytetit të artë” në jug të kryeqytetit Kajro. Ai tha se gjetja ishte qyteti më i madh antik, i zbuluar ndonjëherë në Egjipt, i njohur si Aten.

“Ky qytet i humbur është zbulimi i dytë më i rëndësishëm arkeologjik që nga varri i Tutankhamun,” tha Betsy Brian, profesore e Egjiptologjisë në Universitetin John Hopkins në SH.B.A.

Ajo tha se qyteti do të “na japë një vështrim të plotë mbi jetën e egjiptianëve të lashtë” në kohën e artë të perandorisë.

Qyteti daton në mbretërimin e Amenhotep III, një nga faraonët më të fuqishëm të Egjiptit, i cili sundoi nga 1391 në 1353 para Krishtit.

Ai vazhdoi të përdorej nga faraonët Ay dhe Tutankhamun, varri gati i paprekur i të cilëve u zbulua në Luginën e Mbretërve nga arkeologu britanik Howard Carter në 1922.

Gërmimi hedh dritë mbi një numër të madh zbulimesh të vlefshme arkeologjike, të tilla si stoli, qeramikë me ngjyra dhe tulla balte që mbanin vulat e Amenhotep III.

Ekipi filloi gërmimet në bregun perëndimor të Luxor pranë Luginës së Mbretërve, rreth 500 km në jug të kryeqytetit Kajro, në shtator të 2020.

Shtatë muaj më pas janë zbuluar disa zona ose lagje, përfshirë një furrë buke, një rreth administrativ dhe një zonë banimi.

Kohët e fundit, Egjipti po kërkon të promovojë trashëgiminë e tij antike për të ringjallur sektorin e tij të turizmit, i cili ka pësuar rënie pas trazirave politike dhe pandemisë së koronavirusit.

SHKARKO APP