Ekspertë anglezë dhe shqiptarë, studim mbi situatën në kalanë e Gjirokastrës
Vëmendja dhe kujdesi për të mirëmbajtur monumentet e trashëgimisë sonë kulturore, mbetet në fokus të ministrisë së Kulturës.
Problematikat për këto monumente me vlera të mëdha historike, po inspektohen në mënyrë profesionale nga ekspertët për t’u siguruar turistëve një vizitë të denjë në këto vende të cilat tregojnë shumë për vlerat tona.
Një monument me vlerë është dhe Kalaja e Gjirokastrës e cila ndër vite ka patur problematika të shumta për shkak të mungesës së projekteve të cilat të mund t’i japin zgjidhje konkrete problematikave.
Për zgjidhjen e këtyre problematikave institucionet përkatëse dhe ministria e Kulturës kanë ngritur një grup pune, të përbërë nga ekspertë ndërinstitucionalë, me qëllimi vlerësimin dhe marrjen e masave të nevojshme mbi situatën emergjente në Kalanë e Gjirokastrës.
Projekti mbi të cilin po punohet nga ekspertët, do të mund të sigurojë qëndrueshmërinë e strukturës së terrenit mbi të cilin ngrihet Kalaja e Gjirokastrës si dhe qëndrueshmërinë e strukturës së objektit, duke ruajtur vlerat monumentale e kulturore të tij.
Projekti multidisiplinar do të përfshijë studimin gjeologjik dhe inxhinierik, studimin sizmologjik, studimin mjedisor, studimin inxhinierik të strukturës së monumentit dhe studimin arkitektonik për restaurimin e monumentit.
Puna do të nisë menjëherë me fazën e parë, në të cilën të gjithë grupet e punës, pas një studimi të situatës në terren do të mund të prezantojnë termat e referencës, për të vijuar më tej me fazat e tjera.
Aktualisht në Gjirokastër, ekspertët anglezë nga “ArupGroup”, janë duke realizuar një studim të situatës të cilët shumë shpejt do të publikojnë rezultatet përkatëse. /a.g/