Ekspozita/Dëshmoje që s’je Robot!

Nga Ilir Muharremi

Projekti multimedial “Net/Rrjet” i konceptuar nga artistja Majlinda Kelmendi ka filluar që nga viti 2008 me qëllim të afirmimit të kulturës artistike ndërkombëtare  dhe prurje e vlerave apo vizioneve të reja. Qysh atëherë, por edhe në edicionet tjera në vazhdim, por edhe te ky i fundit, projekti kishte për tendencë zhvillimin dhe shkëmbimin kulturor-artistik ndërmjet rajoneve, artistëve  me gjuhë dhe kulturave të ndryshme, duke hyrë në një garë, sa të mundimshme aq edhe të bukur nën fokusimin e arteve pamore. Çdo edicion kishte një koncept të veçantë, aktual, rezident të kohës, sugjerim, përmirësim, revoltë, ose edhe parashikim. “Teknologjia sociale”, media art-Art media=pushtet social”, koncept i krijuar më 2010. U përdorë media për ta kondicionuar socialen. Qëllimshëm sepse përmes mediave krijohen krejt lidhjet e reja dhe jeta sociale, tashmë përdoret si temë kryesore e një trajtimi estetik dhe të mbikëqyrur nga artistët. Por, prapë roli i njeriut në media nuk mungon, sepse vet ai buron nga shoqëria  edhe sot është kujdestar social. Andaj, arti bëhet më shumë shpirtëror sesa medail, edhe pse mediat po përdoren si teknikë, projektim, pasojë e sociales. “Kombinimi i mjeteve kritike dhe teknike në tranzicion”, një titull tjetër më 2012, që poashtu u organizua në kuadër të këtij projekti. Qëllimi poashtu ishte i bashkimit të artistëve kombëtar dhe atyre ndërkombëtar. Shkenca, teknologjia dhe arti këtu u bënë bashkë. Ky edicion dëshmoj një lidhje me shkencën, u përdorë si kundërshtar i trafikimit modern, i cili nuk eliminohet, por mund të dilet nga kjo katrahurë. Si të dilet kurrë botës i konvenon një skllavëri moderne? Arti duhet të dyfishojë tendencat dhe prekjet ndaj problemeve të grave të ekspozuara ndaj rekrutuesve. Përmes mjeteve artistike: video, teknologjive, kompjuterit…. arti bënë punën propagandistike kundër dukurive të shëmtuara. Njeriun prapë se prapë e vendos si të lirë. Ndërsa, më 2013 projekti u titullua “Tekno-etika&Trans-Net”. U përdorë problemi popullor i komunikimit: Interneti. Për internetin kuratorja Kelemendi u shprehë: “ Mund të bëhesh banal, vulgar, të përhumbesh pa ide në kompleksitetin e temave” duke shtuar se “ Mund të bëhesh modern, i lidhur me tendencat e kohës, mund të zhbësh tabu….” Në njërën anë shpreh një ndjenjë jo shumë të përshtatshme sa i përket publikimit të asaj çfarë vërtetë e ndjen njeriu, ndërsa në anën tjetër lakmon drejt afirmimit të kohës, duke tejkaluar çdo klishe. Në fakt, njeriu i sotëm ndeshët me këtë breshëri: optimizëm, pesimizëm, paragjykim, dhe në fund rezistim, për të vazhduar. “Save As”, edicion i 2014-tës, shprehu pranimin e të dhënave të realitetit duke i konvertuar në ato konceptuale. Edhe nga natyra e njeriut, por edhe vetë natyra, transmetimi përmes intuitës njerëzore krijon një pranim, ruajtje dhe absorbim. Në fakt, shkaku dhe pasoja është bota në të cilën jeton njeriu. “ResArt”, edicion i 2015, rrokte si temë kaosin global gjatë jetës, pastaj ju referua pyetjes filozofike se: ku po shkojmë? Këtë pyetje nuk mendoj që e bënë secili në heshtje ashtu siç shprehet Kelmendi në tekstin e saj në katalog. Shprehet njeriu i cili mendon më thellë, kërkon diskutim nga shpirti, debat dhe analizë nga logjika. Kurse në realitetin tonë, njeriu mendon vetëm të mbijetoj sot për nesër. Njeriu s’mund të ndryshoj derisa sistemi të mos ndryshoj. Ky edicion ishte vërtetë intrigues, provokativ dhe solli: fotografi, video, instilacion dhe pikturë. “Question Of The Day”, titullohet projekti i parafundit i cili preku pakuptimet e fenomeneve në shoqërinë kosovare. Qëllimi ishte që përmes veprave të artistëve të ngritën pyetjet duke marrë poashtu përgjigje rreth kësaj teme.

A jemi robot?

Ndërkaq, edicioni i sivjetmë ishte jubilar mbante titull “Të lutem vërtetoje që s’je robot!” si arsye se makinerive që janë në rritje, ndërsa inteligjenca po bëhet çdo ditë artificiale, dhe bota po vuan nga ky kërcënim. Njeriu më nuk ka komunikim veç funksionim dhe këtë e trashëgon nga një dorë tjetër. Si mund ta vërteton njeriu që s’është robot? Ky njëri jeton në botën online dhe këtë e shpërfaq edhe në realitet, dhe vetë realiteti tashmë është bërë robot. “Përfshi këtu të gjithë aspektet e jetës, fekondimin artificial, mënyrën e sjelljes, komunikimin, mendimet kolektive pa identitet persona. Iluzioni dhe realiteti në deformim ekstrem. Origjinale  apo jo, në boten e artit !?”, shkruan kuratorja e ekspozitës Majlinda Kelmendi. Arritja e shkencës dhe reflektimi i artit në të, vetëm sa e ngritë nivelin intelektual, konkretisht fekondimi artificial, njeriun e liron nga dora e Zotit, tashmë vetë njeriu zotëron. Ndërsa, sjellja përcaktohet nga rrethanat e jashtme, kjo është trashëguar nga antika. Përfundimi i deklaratës së kuratorës, nuk mund të ketë përcaktim sepse origjinaliteti është i vështirë kur jetojmë në kohën online teknologjike. Vetë arti tashmë është robot, ndërsa njeriu servil i ndjenjave, kohës dhe artit.

Ajo çfarë vlen të veçohet në këtë ekspozitë është gërshetimi i shkencës me artin, zhvillimi i artit me atë tekniko-shkencor. Atëherë, në ç’mënyrë ndikojnë arritjet e shkencave dhe të teknikës  moderne mbi zhvillimin e artit? Të tria përfaqësojnë anët e shoqërisë dhe tri sisteme dukurish shoqërore, por që dallojnë cilësisht, kanë tipare të veçanta, porse kanë anë të përbashkëta. Arti-teknika janë si pjesë të pandara të botës njerëzore, janë produkte të një përvetësimi praktik-shpirtëror të realitetit, unitet i qenies së tyre ontologjike, materiale shqisore, ashtu edhe i përmbajtjes shpirtërore, ndonëse të objektivizuar. Kjo mund të veçohet si anë e rëndësishme e përbashkët e artit dhe teknikës.

Porse shkenca nuk e largon artin e afron dhe ekspozita shprehë funksion njohës ndihmës përmes artit dhe ndihmës pra shkencës.  Arti dhe shkenca plotësojnë njëra tjetrën, në këtë rast koncepti pra “Roboti”-shkenca, ana prezentative pra mjetet: përformanca, fotografia, piktura, videoja, instilacioni, derdhen me shpirtin e artistit. “Njeriu synon ta njohë në mënyrë sa më të përshtatshme tablonë e saktë e të thjeshtë të botës”, shkruan Albert Einstein. Me këtë punë merret artisti, por edhe shkencëtari, secili në mënyrë të vet. Pse është e rëndësishme shkenca në art? Zgjeron njohjen e botës dhe njeriut, arti si njohje specifike estetike, është shumë i dobishëm edhe për shkencëtarët, sepse jep atë çfarë s’mund ta jep as vet shkenca. “Qoftë në rrafshin e njohjes, qoftë në drejtime të tjera”, shkruan Alfred Uci. Nuk kishte faj Einstein-i që nuk ndahej nga violina e tij e famshme, sepse i jepte lumturi të madhe, në të gjente burimin e kënaqësisë shpirtërore, si në asnjë fushë tjetër.

Kjo ekspozitë ka për qëllim ta lirojë njeriun nga dirigjimi online, ikje nga robotika , përzierje shkencore estetike dhe reflektim nga përditshmëria jo veç kosovare, por edhe globale. Në kuadër të këtij koncepti shfaqën artistë jo veç kombëtar, por edhe ndërkombëtar, të cilët ofruan zgjedhje origjinale, ndaj një vendi i cili ende nuk e ka të qartë rrugën e duhur të artit krahas me atë botëror.

Ndonëse, artistët në ekspozitë kishin ndërgjegje reale dhe shumica e punimeve ndërlidheshin me konceptin. Por, ajo çka u theksua është realiteti virtual, derisa kultura fizike u shmang pothuajse krejt sepse eksperiencat virtuale tashmë po zëvendësojnë edhe mendimet hyjnore. Por, kjo shfaqi inteligjencë shumë artificiale në ekspozitë dhe s’mund ta zëvendësojë frymëmarrjen origjinale të gjallë njerëzore. Çka është teknologjia dhe çfarë roli luan në art? Bota po ndryshon me teknologji, lufton sëmundjet e ndryshme, njeriu është i monitoruar dhe asnjëherë nuk është më vetëm, informatat më nuk janë sekrete, e fshehura po bëhet e dukshme, ekonomia globale funksionon mbas teknologjisë, por edhe mund të dështoj. Jemi robot dhe skllav të teknologjisë, por ndoshta një ditë do t’i kthehemi prapë gurëve dhe shkopinjve sepse po rraskapitemi nga teknologjia. Njeriu është robot i telefonit, gjumit, ëndrrave, zgjimit, shkuarjes në punë, drekës, kthimit në shtëpi, internetit, nevojave fiziologjike, pushtetit dhe Zotit. Nëse kërkojmë lirinë, atëherë atë e gjejmë në çmenduri, por prapë jemi robot të çmendurisë, por edhe nëse vdesim, jemi robot të vdekjes, por edhe pas vdekjes, nëse takojmë përjetësinë, jemi robot të përjetësisë. Teknologjia nuk po krijon rregull, por kaos, me të drejtë Einstein gjykon: “Kompjuterët janë shumë të shpejtë, preciz dhe budallenj. Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak preciz dhe inteligjent. Sëbashku përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.”

 

Veprat e artistëve

Artistja Albana Ejupi, u prezantua me një punim  si koncept ka asgjënë, në fakt nuk ndodh asgjë, dhe klithja e zgjon nga një gënjeshtër, të cilën ajo e trajton  shumë bukur. Ndërsa, Erza Gjonbalaj, u prezantua me punim konceptual nga fusha e mix media, duke e trajtuar mollën, kureshtjen që fshihet pas saj, ose kureshtja ndonëse nuk është ajo që fshihet pas. Shikuesin e lë në pikëpyetje ta gjej vet atë se çfarë fshihet. Frederik Berisha u prezantua me konceptin se diçka që duhet të përfundoj, pastaj e trajton historinë si diçka që përsëritet si punë drejt së ardhmes. Si mund ta dëshmojmë që s’jemi robot, kurrë jemi robot të historisë. Bes Hoxha shprehu udhëtimin nëpër kohë, nga pika A në pikën B, të tërën e rrumbullakon me lojë. Ndërsa, Roland Kabashi u prezantua me titullin “Po fluturon”, krejt fillon aty ku përfundon gjithçka, kolektiven dhe intimen e shprehë si bazë të asaj që fillon dhe mbaron. Njeriun e paraqet  të vetëm në këtë botë, ndonëse përplot përjetime, prapë se prapë personalja i mungon sepse edhe e lidhur ngushtë me individualitetin dhe prezencën e përgjegjësisë personale. Arti i tij arrin të krijon platforma të kënaqësisë dhe kujtimeve të pashpresa.  Drita paraqitet si burim i energjisë, e krejt këtë e sheh të krijuar nga vetë ne dhe ndërlidhet  me socialen. Irina Gabiani, prezantohet me video dhe rrëfen fenomenet molekulare kozmike, dhe këtë e paraqet si rezultat i kombinimit të tri forcave të ndryshme dhe kundërshtare. Mendimi bashkëkohor realizon ekzistencën e dy forcave dhe domosdoshmërinë e këtyre dy forcave për prodhimin e një fenomeni: forcë dhe rezistencë, magnetizëm pozitiv dhe negativ, energji elektrike pozitive dhe negative, qelizat mashkull dhe femër, e kështu me radhë. Por nuk i vëzhgon as këto dy forca gjithnjë dhe kudo. Asnjë pyetje nuk është ngritur për të tretin, ose nëse është ngritur nuk është dëgjuar fare. Në punimin poashtu video ajo përdorë poezinë e Rumit dhe rreshton këto vargje: “Flladet në agim kanë sekrete për t’ju thënë/Mos u kthe për të fjetur!/Ju duhet të kërkoni atë që ju dëshironi./Mos u kthe për të fjetur!/Njerëzit po shkojnë/mbrapa dhe me radhë/nëpër dyert ku dy bota prekin,/Dera është e rrumbullakët dhe e hapur/Mos u kthe për të fjetur!”. Artisti tjetër Dean Tafaj paraqet në punim një djalë të ri i cili takon një vajzë në një pub, derisa të nesërmen e gjen vetveten në hotel. Kurrë zgjohet niset vrap për në kishë. Vesh rrobat e priftit dhe hyn në altar për të martuar çiftin e ri. Artistja Kaltrina Vrajolli prezantohet me pikturë (vaj në pëlhurë), dhe vepra rrëfen një përfytyrim për një pëlhurë dhe shprehë ngacmim të lehtë. Berna Blakqori, vjen me një instilacion gjeometrik, ndërlidh artin me matematikën që përfshihen një vizatim me përdorim të formave, duke i dhënë kuptim koncepteve. Abetare Syla, paraqet një grumbull gotash të varura në tavan të Galerisë. Këto gota janë marrë në 23 qytete të ndryshme të Evropës përgjatë periudhës së studimeve në Çeki, për të mos e prishë kujtimin e përjetimin e momenteve, gotat janë lënë të papastruara ashtu siç kanë qenë. Qëllimi ishte te ruajtja e kujtimeve gjatë udhëtimeve sepse më herët nuk kishte telefona për t’u fotografuar, dhe ajo zgjodhi gotat. Naim Geci, paraqitet me teknikë të kombinuar me titull “Një drejtim Biletë”, aty paraqet kushte, parime, rregulla, ligje…. Me pyetjen “Deri kur”, tenton njeriun-robot ta liroj, sepse edhe arti ka këtë qëllim.

E veçantat e kësaj ekspozite janë dëshmitë shkencore dhe limitet e njeriut dhe çdo shpikje e re ngrit nivelin estetik edhe në art. Krijojnë vlera të mirëfillta estetike, por artet e reja nuk i referohen shumë estetikës sa konceptit. Shtrohet pyetja a mund njëri ta vërtetoj që s’është robot? Ndoshta do lirohet nga të gjitha klishetë, por prapë do jetë në rrethin e robotikës.

SHKARKO APP