“Ekzagjerimet a pasaktësitë në veprën e Marin Barletit për Skënderbeun”

Tema “Rrëfimi letrar përmes historisë” është bërë shkas për të diskutuar mbi pasaktësitë e veprave që ngërthejnë përmes letërsisë edhe historinë e faktin historik, mbase duke e tepruar në lavdet për personazhet ose duke i dhënë më shumë hapësirë trillit letrar. Në “Ditënetët e Librit”, Dorian Koçi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, njëherazi studiues dhe njohës i mirë i historisë, në një bashkëbisedim me të rinje e të ftuar të fushës tregoi rolin e letërsisë në përçimin e ngjarjeve historike.

Për të, historia në antikitet kishte muzën e vet të njohur me emrin Klio që  ishte një nga nëntë muzat që respektohej në botën antike. Origjina etimologjike e kësaj fjale vinte nga greqishtja që do të thotë të tregosh të rrëfesh dhe në të njëjtën kohë të bësh të famshëm ngjarjen apo personazhin që rrëfen.

Herodoti, historiani i parë i njohur i botës antike në veprën e vet “Historia” kur përshkruan vende, popuj dhe zakone të tyre, mbretër dhe heronj duket sikur e respekton muzën e vet se pasi e shpall Historinë si nënën e dijeve, rrëfimet e veta i transmeton në formën e rrëfenjave dhe sigurisht duke bërë të famshëm gjithkënd që përmend. “Që nga ajo kohë e deri në kohët e sotme ka rrjedhur shumë ujë dhe historia është bërë një shkencë që rrëfen të kaluarën përmes dokumentave, burimeve historike dhe rrënojave arkeologjike, ndërtesave, fotografive etj. Ajo e ka humbur tiparin e fiction, proza e saj është e thatë dhe pa emocione dhe vetëm si një dëshmitare e paanshme rrëfen sekuencat e së shkuarës”, tha Koçi. Si e tillë ajo ka audiencë më të pakët, kryesisht mes profesionistëve ndaj dhe një tendencë moderne e shkrimit të historisë është dhe kombinimi i saj me historinë sociale për të krijuar vepra që nuk përshkruajnë vetëm ngjarjet historike dhe personazhet historikë por dhe impaktin e tyre në jetën sociale.

Leximet e historisë tha ai, bëjnë të mundur që të krijojnë dhe ndihmojnë nxënësit në arsyetimin dhe analizën logjike të ngjarjeve dhe të kuptojnë më mirë dukuritë shoqërore që ndodhën në atë kohë. Këto lloj leximesh dhe shkrimesh të historisë i tejkalojnë historitë panegjerike të shkruara në mesjetë përreth herojve dhe ngjarjeve historike, të tipit alla Plutarkian, pasi janë një kombinim i mirë multidisiplinar i dijeve shoqërore. “Gjithësesi lexuesi i ri apo dhe i maturuar edhe në këtë lloj librash historikë mund të bëjë zgjedhjen e vet. P.sh historianët prej kohësh kanë gjetur ekzagjerime apo pasaktësi në veprën e Marin Barletit, ‘Historia e Skënderbeut’, por vëmendjes së tyre nuk i ka shpëtuar ‘Kronika e Muzakajve’, e Princit arbër Gjon Muzakës, botuar në Napoli në 1510, një kryevepër historike e shkruar me stil lakonik por gjithë informacion për botën mesjetare arbëre dhe Motin e Madh”, vërejti Koçi.

Ai shtoi se një variant i mirë i historisë sociale të kësaj epoke është dhe libri i Oliver Shmidt “Arbëria Venedikase”, një përmbledhje e gjithë burimeve për qytetet shqiptare që ishin nën Venedikun duke përshkruar jo vetëm historinë administrative por edhe ekonominë, rrugët, ndërtesat, kishat etj.

 

Leximet historike sipas tij vazhdojnë të jenë po aq magjepëse sa dhe më parë kur kombinohet me rrëfenjën e fabulën në vetvete për fëmijë e të rritur. Përkthimet e hershme nga letërsia greke të ‘Eskilit në Prozë”, “Sofokliut në prozë” dhe “Euripidit në prozë” në fund të viteve  80’ duket se dhanë një model që u ndoq në botimin e poemave të mëdha të Rilindjes Kombëtare në prozë. Edhe pse në pamje të parë duket sikur humbnin origjinalitetin, botime të tilla në fakt bënë më mirë të mundur të shpërndanin mesazhin e tyre.

Një përvojë e mirë në këtë drejtim janë disa botime të shkrimtarit për fëmijë Odhise Grillo, si “Historia e Skënderbeut nga Naim Frashëri”: roman i rikrijuar për fëmijë apo “Erdhi ditë e Arbrit”: ritregime, sipas poemave të De Radës. Botimi dhe pajisja e bibliotekave të shkollave me koleksione të tilla librash do të bëjë të mundur që emra emblematikë të kulturës sonë si Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Gjergj Fishta, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroi të njihen dhe të citohen, të lexohen dhe shijohen duke i dhënë lexuesit tharmin e duhur identitar. Bota e madhe e Arbërit që shpaloset në toponiminë e vendeve në poemat e De Radës pasqyron shtrirjen e etnosit arbër në mesjetë, të ardhur përmes kujtesës kolektive të arbëreshëve. Një hap i tillë mund të ndërmerret me shkrimin në prozë të “Ali Pashaidës” së Haxhi Shehretit, e cila mund të qëndrojë përkrah romanit të Sabri Godos “Ali Pasha”. Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës.

Leximet historike nuk duhen dhe nuk mund të shmangen nga kurrikulat e shkollave sepse nëse duhet të kujtojmë fillimin e një shprehje të Oruellit , “kush kontrollon të shkuarën kontrollon dhe të ardhmen”, besoj se nuk e kemi luksin që të humbasim një monopat të rëndësishëm të njohjes të së shkuarës përmes historisë dhe leximeve historike dhe t’u privojmë të ardhmen brezave të rinj, theksoi Koçi.

SHKARKO APP