Endje në “Varrezën e Librave të Harruar”

-Ëndrra për “Varrezën e Librave të Harruar” u fanit sërish në mendjen e përgjumur të dhjetë vjeçarit, Daniel Sempere. Teksa endej mes Rambias së një Barcelone të ngecur në të shkuarën, tingulli i ftohtë i çelësave në duart e tij, i kujtoi se ish koha për të ç’kyçur portën e vendprehjes së librave të zymtë.

Pas shpine, dritat e qytetit rrëzëllenin më të largëta se kurrë.  Pezmi, po kështu edhe kureshtja i rëndonin njëlloj mbi supe. Kangjellat klithën. Porta u hap. Papritmas e gjeti veten të rrethuar nga një labirint i tërë shkallësh, spiralesh, urash e harqesh të ndërtuar nga tullat më të pazakonta, ato të mijëra librave të pluhurosur.

Në fund të këtij rrugëtimi prej një somnambuli të ndërgjegjshëm, ku pas çdo hapi Danieli vigjilohej nga engjëj dhe të tjera krijesa afreskesh, para tij u shfaq një strukturë e lartë, ku në bazën e saj, brenda një sarkofagu të hapur, prehej e ëma. Duart e nënës kryqëzoheshin mbi gjoks, ndërsa lëkura e saj rrezatonte ftohtësinë e mermerit. Por heshtja u shprish. Kufoma e kristaltë i hapi sytë. Nga goja e saj shpërtheu një zë bubullimë që e flakëroi trupin e të voglit. Mes katrahurës së kësaj ëndrre të vështirë, Danieli mundi të dëgjonte uratën e saj:

“Duhet të tregosh të vërtetën, Daniel”

Pas kësaj ai zgjohet në dhomën e tij, dhe nuk është më një fëmijë. Tani Daniel Sempere ka një grua, Bean dhe një djalë të vogël, Juliánin, i cili jeton i rrethuar nga magjia e librave. Një nga këta është edhe “Labirinti i Shpirtrave VII”, për të cilin ai madje nuk ka asnjë vend në raft. Natën që erdhi në jete i biri, Danieli mëtoi të arratisej, dhe ky mendim e përndjek edhe sot, si një ndjenje idhnake, të cilën mund t’ia rrëfente vetëm mikut të vjetër, Ferminit…

Një tjetër linjë e ngjarjes zhvillohet në Barcelonën e Marsit 1938, ku Fermín Romero de Torres  është vënë në kërkim të një vajzë të quajtur Alicia, fill pas bombardimeve fashiste. Kjo pjesë e librit rrëfen tmerret e luftës, në një mënyrë atipike, si dhe rrugëtimin e Alicia, si një personazh i rralle femëror në librat e Zafon.

Në këtë vepër finale, ne e gjejmë veten në Spanjën e Frankos, ku zymtësia është kryefjalë. Kjo atmosferë nderet ndër imazhet bardh e zi të një qyteti thuajse fantazmash, dhe veçanërisht tek një foto e habitshme, e një fëmijë krahëhapur në vitrinën e një librarie.

Gjithashtu, Zafon shtjellon një temë thelbësore në librat e tij, që ka të bëjë me gabimet e të shkuarës, dhe se si pesha e këtyre hapave të pandreqshëm ndikon në fatet e njerëzve.

“Labirinti i Shpirtrave” përmban një mori karakteresh që jo vetëm luftojnë pabarazinë, por edhe e ekspozojnë atë natyrshëm.

Përpos këtij këndvështrimi, ky libër, ashtu si e gjithë biblioteka e krijimtarisë së Zafon, është një himn kushtuar rolit të librit në shoqëri, dhe fuqisë që dija ka në ndërtimin e shpirtit të njeriut.

Ndofta, ky nuk është romani emblematik i Zafon, por në tërësi, 2,250 faqet e universit të “Varrezës së Librave të Harruar” paraqesin, në çdo mënyrë, një arritje të pamohueshme.

/Ora News

 

SHKARKO APP