Enver Petrovci sjell emocionin njerëzor me “Kreolët e Ballkanit”
Drama ”Kreolët e Ballkanit” vjen premierë sonte në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për publikun.
Shkruar dhe me regji nga Enver Petrovci ”Kreolët e Ballkanit” sjell histori dashurie, aksion dhe dramë. Shfaqja teatrore vjen mbrëmjet e datave 8 dhe 9 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”, ku këtë vit drama shqipe me autor dhe regjisor Enver Petrovcin duket se është dhe premiera e fundit.
Kjo dramë është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur i cili ka nevojë të ul në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë.
Rolet në dramën “Kreolët e Ballkanit” regjisori Enver Petrovci ia ka besuar aktorëve si Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci. Skenografia është e realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Enkeleda Fishekaj.
Këtë herë për premierën e Tiranës janë aktorë që publiku i njeh për aktivitetin me teatrin, por mes tyre rol i ka besuar dhe vajzës së tij Vanesa Petrovci. Vepra pas skenës së Tiranës mendohet që do të vijojë më pas dhe në skenat e teatrit në Kosovë. /a.a/j.p/