Epoka e realitetit virtual dhe inteligjencës artificiale: A do të mbesin aktorët pa punë!?
Në filma dhe në video-lojëra, kemi parë se çfarë mund të bëjnë “njerëzit digjitalë”. A jemi në prag të lindjes së yllit të parë virtual të botës së aktrimit?
Nga: Luka Kemp / Guardian
Në shqip nga: Telegrafi
Kur i sheh filmat hit, si “The Avengers”, është e vështirë t’i shpëtosh ndjenjës se gjërat që po i sheh janë pothuajse të tërat imazhe të krijuara nga kompjuteri – që nga efektet, skenografitë e krijesat fantastike. Ndërsa, nëse ka një gjë tek e cila mund të besosh se është 100 për qind e vërtetë, ata janë aktorët. Sot mund të kemi yje të muzikës virtuale, si Hatsune Miku, por ende jo një yll virtual të filmit.
Kjo ka të bëjë me realitetin trupor, por që nuk është më absolut. Kemi plot shembuj të asaj që është e mundur: Peter Cushing (ose imazhi i tij) që shfaqet në “Rogue One: Një Story Wars Story” më shumë se 20 vjet pas vdekjes së tij. Ose, Tupac Shakur duke interpretuar nga varri në festivalin “Coachella” më 2012.
Kemi një potencial tmerrësisht të madh të mashtrimeve – pamjet e manipuluara që mund të luajnë rol të rrezikshëm në fenomenin e lajmeve të rreme. P.sh. videoja e famshme e rreme nga Jordan Peele, që paraqet Barack Obaman, është shembull kryesor.
Por, a mundet teknologjia t’i bëjë të tepërt aktorët profesionistë?
Ashtu si shumica e shembujve të mësipërm, Tupacu virtual është njeri digjital dhe u prodhua nga kompania e efekteve speciale, “Digital Domain”. Teknologjia e tillë po bëhet gjithnjë e më e avancuar. Darren Hendler, një nga drejtorët e kompanisë, shpjegon se është si “protezë digjitale” – si një kostum që një njeri i vërtetë duhet ta vesh.
“Gjëja më e rëndësishme për krijimin e çfarëdo lloji të njeriut digjital është ta bësh atë të luajë. Dikush duhet të jetë pas tij”, shpjegon ai. “Në përgjithësi, dikush luan rolin e personit të vdekur. Dikush që do të studiojë tamam lëvizjet, grimasat dhe lëvizjet e trupit”.
Personat digjitalë dhe ata të transformuar në mënyrë digjitale, janë të zakonshëm në kinematë moderne. Shembujt e kohëve të fundit janë aktorët që rinohen, si Samuel L Jackson te “Captain Marvel” apo imazhi i Sean Young-ut në “Blade Runner 2049”. Ndërsa, të gjithë janë të vetëdijshëm për përdorimin e njerëzve digjitalë në çdo narrativë të video-lojërave moderne: aktorët që u japin karaktereve lëvizje të gjalla – faciale dhe trupore.
Hendler thekson se aftësia e interpretuesit do të ndërtojë ose shkatërrojë çdo njeri digjital, duke përdorur pak personin real e duke ia veshur atij lëkurën tjetër. Njerëzit virtualë, në anën tjetër, mund të veprojnë në mënyrë autonome, me të folurën dhe shprehjet që nxiten nga inteligjenca artificiale. Zhvillimi dhe përdorimi i tyre shpesh është i kufizuar në projektet kërkimore, prandaj nuk janë sa duhet të dukshëm për publikun. Por, ndoshta kjo së shpejti do të ndryshojë.
Fal financimit të Qeverisë së Britanisë së Madhe për Programin e Audiencës së Ardhshme, Teoria e Labirintit do të jetë zhvillimi kryesor në lojërat e realitetit virtual, bazuar në shfaqjet e BBC-së, “Peaky Blinders”. Sipas CEO-s Ian Hambleton, përdorimin i “karaktereve të inteligjencës artificiale, premton një përvojë të re”.
“Për shembull, nëse bëheni vërtetë agresiv para fytyrës së një karakteri, ata do të reagojnë dhe do të ndryshojnë jo vetëm atë që do të thonë, por edhe gjuhën e trupit të tyre e shprehjet e fytyrës”, thotë ai. “Një ‘kuti e zezë’ e inteligjencës artificiale në fund do të shtyjë para të gjitha shfaqjet”.
A mund të shohim një ditë njerëz digjitalë, estetikisht të bindshëm e të kombinuar me inteligjencën artificiale, që do të prodhojnë aktorë krejtësisht artificialë?
Kjo teorikisht mund të çojë në shfaqje pa pasë nevojë për aktorët njerëzorë. Aktori Yuri Lowenthal, puna e të cilit përfshin rolin kryesor në lojën “Spider-Man” në PS4, thotë: “Njerëzit tuaj të përditshëm nuk janë në biznesin ku vullnetarisht japin të dhënat si unë. Kur njerëzit regjistrojnë të gjitha të dhënat nga shfaqjet e mia, si dhe detajet e fytyrës e të zërit tim, si duket e ardhmja? Sa kohë do të duhet që të krijosh shfaqje nga asgjëja”?
“Kjo ende duket larg”, thotë Hendler. “Inteligjenca artificiale po rritet kaq shpejt sa është e vështirë ta parashikojmë… Do të thosha se brenda pesë apo dhjetë viteve të ardhshme, do t’i shohim gjërat që janë në gjendje të ndërtojnë versione gjysmë të besueshme të një sistemi të plotë të lëvizjes së fytyrës”.
“Zëri merret po ashtu parasysh”, thotë Arno Hartholt, drejtor i kërkimit dhe zhvillimit integrues në Institutin e Teknologjisë Kreative të Universitetit të Kalifornisë, “meqë nuk është e lehtë të krijosh në mënyrë artificiale një shfaqje të re nga pjesët e një fjalimi të aktorit të vërtetë”.
“Duhet ta bëni një si bibliotekë të shfaqjeve. Keni pra nevojë për shumë shembuj, jo vetëm për mënyrën sesi një zë tingëllon natyrshëm, por sesi tingëllon kur është i zemëruar? Ose ndoshta një kombinim i zemërimit dhe lëndimit, ose kur ka probleme me frymë, me ritmin…”, thotë ai.
Nuk është kjo punë e lehtë, siç nuk është mbledhja e një sasie të madhe të të dhënave ekzistuese të performancës sepse, siç thotë Hartholt, një varg karakteresh të luajtura nga i njëjti aktor nuk do të prodhojnë një grup të qëndrueshëm të të dhënave për të folur. Ndaj, puna e aktorit, të paktën tani është e sigurt.
Sidoqoftë, Hendler beson se avancimi i teknologjisë digjitale dhe virtuale do të bëhet më i dukshëm për publikun, madje në shtëpitë tona, brenda 10 viteve të ardhshme: “Mund ta keni një ekran të madh në mur dhe një asistent personal virtual me të cilin flisni dhe ndërveproheni: një njeri virtual që ka fytyrë dhe që lëviz rreth shtëpisë, me ju, në shtratin tënd, frigoriferin, sobën dhe lojërat që luani”.
Shumë nga këto gjëra mund të tingëllojnë çuditshëm, por elementet e saj ka kohë që po i shohim. /Telegrafi/