Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve
Erzen Shkololli do të jetë drejtuesi i Galerisë Kombëtare të Arteve duke filluar nga dita e sotme.
Propozimi i Këshillit të Ministrave për drejtorin e ri është miratuar menjëherë nga kryeministri Edi Rama. Erzen Shkololli, artisti kosovar është bërë i njohur si autor e kurator i ekspozitave dhe bienaleve ndërkombëtare.
Për sezonin e aktiviteteve kulturore 2016 ai ka qenë këshilltar kuratorial në COD në kryeministri. Katër artistë të njohur Helidon Haliti, Kreshnik Xhiku, Erzen Shkololli dhe Artur Çela kandiduan për postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare pas mbarimit të mandatit katërvjeçar të drejtorit aktual Artan Shabani.
Praktika artistike e Erzen Shkolollit lidhet me përdorimin e ritualeve dhe folklorit vendas për të tërhequr vëmendjen te situata specifike socio-politike. Punët e tij janë ekspozuar ndërkombëtarisht në muzetë e Parisit e më gjerë.
Shkololli ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri më 2015. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales së Venecias.
Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë, e cila e transformoi Nga viti 2008 deri më 2009 ishte përfitues i Bursës së DAAD-së për Artistët në Rezidencë. Nga viti 2003 është anëtar i Parlamentit Europian të Kulturës.
Vendimi:
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA