Europa, Shqipëria dhe Princi i Linjës
Nga Alfred Papuçiu*
Po lexoj librin e Philip Mansel me titull : “Charles-Joseph de Ligne” (1735-1814). Midis të tjerash në të thuhet : “Charles-Joseph, princ i Linjës (Ligne) :”, qe Europian i shekullit të XVIII-të, për të cilin nuk egzistonin kufijtë. I bindur se “humbet konsideratën e vet në një vend ku jeton”, duke folur frëngjisht, gjuhën ndërkombëtare të epokës, ai udhëtoi kudo, midis Parisit dhe Sen Petërsburgut, dhe kërkoi shtatë atdhe : gjë që përbën sot Belgjikën ku ai lindi, Perandorinë e Shenjtë romane gjermanike, Austrinë, Francën, Poloninë, Rusinë dhe Hungarinë…Kujtimet dhe letrat e tij përbëjnë dëshminë më të pasur që kemi mbi kohën kur Vjena ishte në fakt kryeqyteti i Europës. Ai jetoi atje 20 vite, në të njëjtën rrugë me Betovenin, dhe vdiq atje nga një të ftohtë që mori gjatë kongresit të Vjenës…Në Europë, kujtimi i Ligne, nuk është errësuar asnjëherë. Në Belgjikë, ai është hero kombëtar, dhe tema e vete e një botimi shkencor: „Analet e princit të Ligne“. Paul Valéry qe një fanatik i “princit hyjnor të Linjës”. Paul Morand përshëndeti tek ai “mishërimin e shekullit të XVIII-të”. Liria e tij e të shprehurit, europianizmi i tij i natyrshëm kanë ngjallur një interesim të ri. Cdo vit veprat e tij rishtypen. Në një kohë që Europa është duke rilindur, thotë Philip Mansel, qysh në 1992, dhe se Europa qëndrore, atdheu i dytë i Linjë, rijeton, ky kurtizan i shekullit të XVIII-të është një njeri i kohës sonë”.
Princi i Linjës mbante korrespondencë me Volterin, darkonte me Frederikun e Madh, përshkroi tej e përtej Krimenë me Katerinën e Madhe, korrigjoi dorëshkrimet e Kazanovës, shkëmbeu poema me Gëten. Ai jetoi dhe tregoi për vitet e arta të “Lumières”, për rivalitetin midis Austrise dhe Prusisë për sundimin e Gjermanisë, premisat e rënies së Perandorisë osmane, lindjen e nacionalizmit gjerman dhe luftën e Europës për t’u çliruar nga hegjemonizmi napoleonian. Në Kongresin e Vjenës të 1814, siç dëshmon zonja Eynard, anëtare e delegacionit zviceran, me të shoqin, që figurojnë midis kronikuesve më të mirë të Kongresit : “Fola pothuajse gjithë kohën me princin e Linjës, i cili është një admirator i madh i Zvicrës”
Princi Linjë e donte “Europën pa kufi” qysh në shekullin e kaluar. Dhe sot nga postulatat e tij dhe të shumë baballarëve të kësaj Europe, prekursori i së cilës ishte dhe mbetet Shumani, hendeku midis “Europës tjetër” dhe Europës së 27-ve nuk duhet të thellohet më. Ka ikur koha kur vende europiane apo edhe jashtë saj, pse jo, mbanin regjimin komunist të E.Hoxhës në pushtet, pasi kështu u interesonte në kuadrin e ekulibreve të tyre, me SHBA, apo edhe me Serbinë dhe regjimin e Titos dhe pastaj të Milosheviçit. Epoka e Enver Hoxhës e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një “vend i mbyllur”, “hermetik”.
Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur “flakën” diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët.
Shqipëria është tanimë në NATO dhe aspiron për në Bashkimin Europian, si dhe ka realizuar lëvizjen e lirë edhe të shqiptarëve në Europë, e në botë, e kete ecuri nuk do mundin ta ndalin më llobi serb apo edhe krahu famëkeq i llobit grek, “armiq” të Shqipërisë apo edhe ndonjë tjetër që për interesa të ngushta nacionaliste hedh gurë nën rrogoz. E rëndësishme është që ne vetë shqiptarët të jemi solidarë dhe në unison për çështjet e kombit, parlamentarë, pozitarë dhe opozitarë, si gjithë kombet e tjera të qytetëruara : si Zvicra që e mendonin Shqipërinë rilindësit tanë, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë dhe të na fusin në kallëpet e atij “qoftëlargut” që shkon herë nga e majta apo e djathta, nga fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë. Jemi në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë dhe kur nuk ka kufij midis shtetesh si Zvicra, Franca, Austria, Lisenshteini, Italia por vetëm fusha me grurë apo lule që i ndajnë ato. Shqipëria dhe Kosova janë tepër të afërta me kulturat europiane. Me gjuhën tonë, ne kemi të përbashkëta kulturat e mbi 300 million europianëve.
Kam ngritur, jo pa qëllim në librin tim: „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“ (Toena), problemin e përkatësisë europiane apo në Aleancën Atlantike, të kombit shqiptar. Argumentat kanë qënë dhe janë të shumta për të bindur bashkëbiseduesit e shumtë për praninë e Shqipërisë „de jure“ dhe „de facto“në Evropë dhe në NATO prej kohësh: qysh në fillimet e demokracisë së brishtë. Nuk ka nevojë të bëhet shumë filozofi lidhur me këtë problem. Nuk kanë qënë shqiptarët më pak se qytetarë të kombeve të tjerë paqedashës, liridashës, mikpritës, bujarë, punëtorë, vendet e të cilëve janë pranuar shumë më parë në NATO, pas rrëzimit të diktaturave të tyre. Po nuk i dhe dorë një vendi të ri, s’ka si ai të përparojë. Kështu është vepruar me Greqinë, Spanjën, Portugalinë apo edhe me vende të Europës Lindore. Diznivelet do egzistojnë, por nuk mund të vazhdohet përjetësisht të pengohen vende që i përkasin Europës apo NATO-s dhe të mbahen jashtë tyre. Këtë duhet ta vënë vath në vesh jo vetëm ata parlamentarë europianë që i shohin me syze të zeza zhvillimet në Shqipëri apo Ballkan, por edhe ata që vendosin për fatet e Shqipërisë, apo Ballkanit në përgjithësi. Ata duhet me maturi, me arsyetim, duke bashkuar në një emërues të përbashkët palët për çështjen europiane, të ndikojnë për të mirën e gjithë bashkësisë europiane. Taksapaguesit shqiptarë që punojnë në vendet europiane apo edhe drejtpëdrejt në Bruksel, paguajnë edhe për rrogën apo dietat e atyre parlamentarëve apo funksionarëve të instancave të larta europiane. Dhe ata duan një minimum konsiderate për djersën që derdhin. Por fatmirësisht sot Shqipëria është pranuar në familjen e madhe paqëdashëse të Aleancës Atlantike, si rezultat sidomos i dashamirësisë së autoriteteve amerikane. Shqipëria e meriton një çmim të tillë, pasi ajo është një partnere shumë e rëndësishme e paqes në Europë, e zhdukjes njëherë e përgjithmonë të nofkës famëkeqe të „ballkanizimit“, e vëllazërisë midis popujve. Ajo është një faktor i rëndësishëm i lirisë së ëndërruar edhe nga paraardhësit tanë që e mbrojtën me gjak tokën e tyre amtare, që e ruajtën të pastër gjuhën shqipe. Ne jetojmë në një realitet multikulturor dhe multifetar që ka futur në gjirin e kontinentit një refuzim të centralizmit apo uniformitetit. Edhe Skënderbeu, Nënë Tereza, Rilindasit tanë, Isa Boletini, Adem Jashari, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për heronjtë e Kombit tonë kudo. Le të kujtojmë fjalët e të madhit Viktor Hygo. shumë dekada më parë: “Do të vijë një ditë kur bombat do të zëvëndësohen …nga një arbitrazh i nderuar i një Senati të madh sovran që do të jetë Europa, njëlloj si Asambleja Ligjvënëse është në Francë…”. Ai Viktor Hygo i madh që ne të “Europës tjetër” e kujtojmë me respekt drejtoi në vitin 1849 “Kongresin e Miqve të Paqes” ku u bë thirrje për “Shtetet e Bashkuara të Europës”.
*Diplomuar në Universitetin Europian të Gjenevës