Evalda Paci: Rëndësia e varianteve të hershme doktrinare në letërsinë e shkruar shqipe
R.SH. – Vatikan
Lutja është nevojë e shpirtit. Përgjatë shekujve, lutja e ka bërë njeriun të këndojë, ose të pëshpërisë, të meditojë, ose ta ngrejë zërin deri në qiell, i vetëm apo me shokë, për të shprehur gëzim, dhimbje, nevojë për ndihmë, zemërim e dashuri, por gjithnjë si bisedë me Zotin Atë e si kundrim i dashurisë së Tij të pakufishme. Prandaj, doracakët e lutjeve e libra të tjerë fetarë s’bëjnë tjetër, veçse tregojnë këtë tension të tokës drejt qiellit, këtë histori të njeriut, që i lutet dhe e pyet Hyjin për të gjitha problemet e veta.
Edhe kleri katolik shqiptar ka pasur një vëmendje të veçantë për to e, kur janë krijuar kushtet e mundësitë, u ka dhuruar besimtarëve libra të vogla uratësh, për përdorim të përditshëm. Në këto libra gjejmë edhe informacione të shumta, jo vetëm për lutjet, – të lashta e të reja – por edhe për Sakramentet, për mënyrën e ndarjes së ditës së krishterë e të krejt vitit liturgjik, për pjesë të ndryshme të liturgjisë e të Shkrimit Shenjt. Janë edhe minierë fjalori e gjuhe, siç shpjegon, në këtë artikull, Evalda Paci, pedagoge e gjuhës dhe e kulturës latine, anëtare e Akademisë së Studimeve Albanologjike…
Rreth rëndësisë së varianteve më të hershme doktrinare që i përkasin letërsisë së shkruar shqip
Nga Evalda PACI
Letërsia e shkruar shqipe shënohet dhe nga vepërza që janë paracaktuar të jenë doracakë doktrinarë që do t’i shërbenin praktikës së rëndësishme të liturgjisë së përditshme dhe besimit të krishterë në viset tona. Një traditë e konsiderueshme gjurmimesh u njeh dhe këtyre botimeve e varianteve të tyre mjaft vlera në disa pikëpamje dhe evidentimi i tyre dëshmohet në mjaft studime tematike mbi historinë e letërsisë së shkruar shqipe.
Një vijimësi e natyrshme në drejtim të hulumtimit të praktikës liturgjike në tekste të botuara dhe të shtypura mund të ndiqet që nga realizimet e Pjetër Budit(1618-1621), prelatit që u bë objekt interesi nga historianë dhe studiues të historisë së letërsisë së shkruar shqipe, ndërkohë që vepra dhe shkrimtaria e tij qëndron mes prurjeve terminologjike që mund të quhen të iniciuara me pjesë specifike të përfshira në librin e Gjon Buzukut(1555) dhe atyre që vijojnë të ndjekin një rrugë konsolidimi në sprova të mëvona që u ndërmorën si nga meshtarë vendës, ashtu dhe të huaj. Përbën një fakt i tillë një panoramë të pasur në elemente jo vetëm të leksikut të konkretizuar, duke qenë se të tilla sprova mbeten dëshmi e vijimësisë së përpjekjeve për të edukuar ndaj besimit të krishterë dhe me variante librash e veprash të shkruara.
Larmia e varianteve të sjella nga autorë të ndryshëm vë në dukje faktin që jo gjithmonë është ndjekur një linjë e vetme në përcaktimin strukturor të varianteve doktrinare që realizohen nga Gjashtëqinda e më tej, ndërkohë që çdo gjurmim i vëmendshëm ndaj secilit prej tyre mund të shpjerë dhe në vënien re të jetëgjatësisë së përdorimeve dhe dhe sot e kësaj dite mbeten themelore në një regjistër gjuhësor specialistik ai i liturgjisë. Vetë gjuha shqipe projektohet në një sërë perspektivash pothuaj në çdo rast të realizimit të varianteve të tilla. Vëzhgime mbi sistemin mbiemëror të shqipes, mbi klasat emërore që dëshmojnë për prani të analitizmit dhe sintetizmit në përdorime dhe terma specifikë që bëhen objekt përdorimi në këto variante, evidentime sintagmash dhe frazash që dëshmojnë dhe origjinalitet me format në të cilat shfaqen në tekste të veçanta bëhen të mundura duke pasuruar një panoramë kryesisht diakronike të studimit të nënsistemeve të gjuhës sonë të çmuar.
Duket qartë që doracakët doktrinarë që realizohen në një periudhë që kapërcen dy shekuj e që janë konkretizuar dhe pas përfundimit të punimeve të Koncilit të Arbënit(1703)përmbushin një mision të rëndësishëm në pikëpamje të transmetimit të një terminologjie që sigurisht mund të përmbahet dhe në libra kanonikë të përmasave më të konsiderueshme, duke qenë këta të fundit të paracaktuar të përmbajnë dhe të tjera tekste e sigurisht me një tjetër shtrirje në pikëpamje të integritetit përmbajtësor. Këta doracakë, në dukje modestë në vëllim karakterizohen në shumicën e rasteve nga një qartësi e dukshme në ndërtimin dhe nëndarjet mbi të cilat janë konceptuar. Veçojmë në këtë pikëpamje realizimet e njëpasnjëshme të Imzot Ndre Logorecit, ndërkohë që duhet nënvizuar dhe fakti që disponimi i disa varianteve doktrinare të përpiluara e të kujdesuara prej tij mundëson dhe sot e kësaj dite ndërmarrjen e analizave filologjike e tekstore që bëjnë të mundur të dallohen veçori dhe përkime mes teksteve të varianteve në fjalë. Çdo variant i kësaj natyre ka qenë shtysë dhe për ndërmarrjen dhe përpilimin e modeleve të tjera veçanërisht në fillim të shekullit të kaluar dhe një dëshmi e këtij fakti mbeten dhe përdorimet e ruajtura me kujdes në doracakë e të përkohshme me destinacion liturgjik të përgatitur nga personalitete si Dom Ndre Mjedja, Atë Jak Junku S.I., etj.
Një doracak mjaft me interes për historinë e shkrimit shqip, por dhe të asaj të besimit të krishterë në viset shqiptare mbetet Compendiumi doktrinar i Gjon Nikollë Kazazit, që pa dritën e shtypit në vitin 1743, nën siglën botuese të Kongregacionit të Propagandës së Fesë. Natyrshëm dhe në çdo rrethanë e veçanërisht kur bëhet fjalë për një personalitet si Imzot Kazazi vëmendja orientohet nga fakti që ai i ka kushtuar rëndësinë e duhur ekzistencës së një ekzemplari mjaft të veçantë për liturgjinë e orëve (Mesharit)në një periudhë të afërt me realizimin e manualit të tij të sipërcituar, ndërkohë që po me të drejtë me emrin e tij lidhet dhe referimi ndaj tekstesh specifike që ai veçoi të interpretonte dhe të tejshkruante nga libri i Gjon Buzukut në proces të letërkëmbimeve me eprorë të institucioneve të edukimit e formimit kishtar të kohës. Shfaqja e një interesi të gjallë nga ana e një prelati të kishës së Romës siç ishte Gjon Nikollë Kazazi ndaj ekzistencës së modeleve të tilla vijon natyrshëm çka parashtrohet dhe në sinode kishtare që u prijnë në kohë ndërmarrjeve të tij për të kontribuar dhe me sprova të vyera për praktikën e liturgjisë dhe të besimit në zonat ku ushtronte aktivitetin baritor.
Çdo vepër që shërben për të rindërtuar një periudhë kohore që kapërcen dy shekuj e që ka të bëjë me letërsinë e vjetër shqipe dhe me monumentet më të hershme shkrimore të gjuhës sonë është një realitet sa i veçantë, aq dhe kompleks duke qenë se te secila është e mundur të lexohet një përpjekje e lavdërueshme për t’i shërbyer një kauze të rëndësishme që ngërthen njëherësh lëvrimin e shkrimit në gjuhën tonë, por dhe historinë e besimit dhe të botimit të librave të veçantë, rëndësia e të cilëve nuk përcaktohet nga vëllimi, por nga brendia pothuaj çdo herë e kujdesuar dhe që dëshmon se dashuria për gjuhën dhe për dheun mëmë përkthehet dhe në të tilla sprova shkrimi, sa dinjitoze, aq dhe serioze.
Vepërza e Imzot Kazazit paraqitet e thjeshtë në elementet që e përbëjnë, por nga vëzhgimet mbi përmbajtjen dhe renditjen e elementeve themelore të ndërtimit të saj bindemi se dhe ky botim do të shërbente më së miri për të përforcuar një traditë që kishte nisur kohë më parë, qoftë dhe me libra që kanë ndjekur modele të ndryshme në strukturën përkatëse, por nuk janë të diferencueshëm ndjeshëm nga doracakët doktrinarë duke qenë se u janë referuar fushave të ngjashme semantike dhe kanë pasur si modele gjegjëse dhe emërtesa të të njëjtit destinacion gjatë shtjellimit të përmbajtjes së tyre.
Në kuadrin e një panorame tërësore të botimeve me destinacion ndaj praktikës së liturgjisë dhe edukimit katekistik që nga realizimet e sipërcituara të Pjetër Budit e më vonë, Doktrina e kërshtenë apo Compendiumi i Gjon Nikollë Kazazit zë një vend të përveçëm dhe një fakt i tillë përforcohet dhe nga studime e kërkime mbi personalitetin e tij që hedhin dritë mbi angazhime të shumta të natyrës baritore. Vepra të tilla bëhen më të afërta në rastet e përafrimit të tyre në dimensione botimesh kritike e filologjike(B.Demiraj, Gjon Nikollë Kazazi dhe “Doktrina” e tij,ASHAK, Prishtinë, 2006) dhe në rastin e Kazazit një fakt i tillë jo vetëm ka dëshmuar se të tilla vepra angazhojnë filologun e tekstit në një sërë dimensionesh e kërkimesh, por dhe bëjnë të mundur të ndiqet një ecuri dhe në kulturën e shkrimit që nga një autor në tjetrin ka pësuar ndryshime, por ka pasur dhe vijimësi të natyrës logjike.
Kur bëhet fjalë për doracakët doktrinarë që pasuan në kohë zhvillimin e Koncilit të Arbënit(1703), emri i Imzot Gjon Nikollë Kazazit mbetet një referencë themelore për nga rëndësia e kontributit, por dhe nga momenti domethënës në të cilin sheh dritën e shtypit ekzemplari sintetik i realizuar prej tij. Janë një sërë përdorimesh që tërheqin vëmendjen në përbërjen e këtij varianti, mes të cilave dhe disa elemente më të përveçme ndaj të cilave Kazazi ka qenë i qartë në pikëpamje të përzgjedhjes dhe të konotacionit që u kishte deleguar. Për sa mund të konsiderohet bindshëm si vijues i disa tipareve shkrimore që ndeshen më parë dhe në autorët që përfaqësojnë letërsinë e vjetër shqipe, po aq e rëndësishme është dhe të vihet në dukje që ky autor dhe përpilues lë gjurmë me inovacione në fushë të përdorimeve që janë themelore për konceptimin e praktikës së liturgjisë dhe figurave bazilare të saj.
Konciziteti në përmbajtje nuk ka kushtëzuar aspak veçori dhe elemente origjinale që i atribuohen vepërzës në fjalë sa herë që trajtohet kjo e fundit në këndvështrime që priren nga historia e shkrimit shqip dhe ajo e letërsisë së shkruar shqipe.
Një kuadër i tillë ka vijuar të përmbushet në kohë me të tjera sprova që janë pothuaj të gjitha dëshmi e një angazhimi të fortë të autorëve a përpiluesve dhe në drejtim të shprehjes së një lidhjeje të fortë shpirtërore me viset në të cilat shërbenin dhe kryenin misionin meshtarak. Variantet që në disa raste janë shtypur dhe në formate dygjuhëshe(Atë Zef Guagliata S.I.; Romë, 1845) kanë qenë dhe mbeten dëshmi e njohjes nga ana e autorëve të kontekstit në të cilin operonin e në rastet kur këta të fundit nuk kanë qenë shqiptarë, veçantitë përbëjnë një tjetër vlerë për t’u konsideruar e marrë në shqyrtim nga disiplina e filologjisë së tekstit. Në veçanti përpilimi i botuar dhe i ribotuar vite më vonë i Atë Zef Guagliatës S.I., doracaku i ngjashëm me të i përbërë nga lutje dhe tekste themelore kishtare Ruga e Parrisit, i përgatitur e botuar nga Atë Vinçens Basile S.I. në vitin 1845(Romë, Të sctampùemin të t’Scêitit Cuvén de Propaganda Fide), por dhe variantet e sipërcituara të Imzot Ndre Logorecit(1880; 1886 etj.) janë dhe burime nga të cilat vilen veçori përdorimesh që kanë të bëjnë me të folme dhe zhvillime gjuhësore specifike të gjuhës shqipe të kohës në të cilën jetonin autorët në fjalë. Janë po këta autorë që natyrshëm bënë të rijetonin elemente që së pari çdo gjurmues i teksteve të vjetra shqipe i gjen në autorët e parë të letërsisë së vjetër shqipe dhe në dëshmitë më të hershme shkrimore të gjuhës shqipe.
Së fundi, vetë larmia e pasuria gjuhësore e sipërcituar në lidhje me variantet doktrinare që dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për të përuruar nëpërmjet gjuhës shqipe dhe arsenalit të saj një kulturë e një traditë besimi dhe në vendin tonë, mund të bëjë të mundur të rindërtohet dhe një panoramë gjeografike aspak e rastësishme që lidhet drejtpërdrejt me historinë e besimit të krishterë në viset shqiptare dhe me atë të dioqezave kishtare përkatëse.