Event kulturor nga studentët artistë të vendeve fqinje

Qendra studentore “ABC Tirana Club” organizoi të premten pasdite (05.04.2019), në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet koncertin pianistik “Fqinjët”, i dizenjuar si një sinergji studentësh artistë, një kontribut konkret i tyre për promovimin e vlerave kulturore evropiane, por dhe të kulturës kombëtare.

Projekti “Fqinjët” është investim për krijimin e një hapësire komunikimi dhe ndërveprimi mes studentëve nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke përfshirë dhe mesazhet pro integrimit evropian, meqënëse të katër shtetet janë aspirante për të realizuar këtë objektiv strategjik.

Për këtë projekt të ABC Tirana Club protagonistë ishin studentët pianistë: Marija STOJANOVA, (Maqedoni e Veriut); Ljubica GAVRILOVIÇ, (Mali i Zi); Denita DEDUSHAJ, (Kosovë) dhe Johan MUKA, (Shqipëri).

Në program u përfshirë pjesë nga Frédéric Chopin; Wolfgang Amadeus Mozart; Ludwig van Beethoven; Sergei Rachmaninoff; Claude Debussy e Ludovico Einaudi, si dhe krijime nga kompozitorët ballkanas Toma Proshev, Rafet Rudi, Tonin Harapi dhe Senad Gačević.

Johan Muka, një nga organizatorët e eventit kulturor u shpreh për mediat në fund të koncertit, se projekti “Fqinjët” do të vijojë dhe me aktivitete të tjera, “ku veç shkëmbimit kulturor e artistik, ato do të fokusohen dhe në axhenda të tjera rinore, ku grupet e interesit dëshirojnë të bashkëveprojnë mes tyre”.

ABC Tirana Club është një organizatë joqeveritare dhe joftimprurëse e themeluar në Universitetin e Tiranës më 18 tetor 2017. Është një grupim studentor proevropianist, që nxit dhe promovon iniciativa e projekte rinore me karakter social, kulturor, ekonomik, shkencor etj. Credins Bank, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe ABC Tirana Club ishin mbeshtetes të eventit.

www.abctiranaclub.wordpress.com

SHKARKO APP