“Femën, nanë, grue… ti ballinë shtrëngatë”, poezi nga Liridon Mulaj
– poezi nga Liridon Mulaj
M’ligshton ftyra e pervuejtun e nji grueje
Rrug’s për n’kapanone fasonerie
Natën për sabah, e natën për natë
E njajtë ajo rrugë…
…në hapa vuejtnie
M’ligshton fisnikëria e saj e dorëzueme
Rrudhat si udhë pa krye, varun ballit
Njaj trup i plog’sht qi rendet n’këpucë t’vjetra
Vrapi i saj i vonuem, drejt kapanoneve t’hallit
M’ligshton njaj fmi i grues vogël
I veshun n’dishrim t’teshave t’reja
Tuj imitue t’pasmit me kupa lodër
Hypun kalistrof n’andrra të véja
M’ligshton njaj fmi i grues vuejtun
M’ligshton ajo grue, nan’ e fmis’
Qi bukë t’zezë hanê prej kapanoneve t’errta
N’vegzh t’farave t’jets’, kambëkryq n’mes t’shpisë.
M’ligshton kjo simfoni varfnie.
********
Ma prano sonte dashninë e pastër!
Qëllimin tem t’mirë në jet’ t’humbuna.
Gjunjtë e mi të pistë
ti mbështes në mermer t’ altarit tand.
E kryet ndër grusht ta zhys, n’pëshpërima lutjesh.
M’prano sonte si qënien e nxime prej lakmie!
Si nji lumë dashnie që rrjedh në shtrat urrejtjesh…
Dorën tande mbështetma mbi krye.
Ta ndij edhe unë çka don me than i falun
Zbatue i kam urdhnesat tua dikur, f’mijë…
T’kam dasht prej frike, jo prej but’sije
M’ke dasht prej mirësie , jo prej frike
Zoti ynë! Kur perdja zezë t’bjeri mbi ne
Ma mbështill shpirtin n’krahë t’bardhë
E falmë që s’të kam dasht gjithmonë
Ti varun m’ke mbajt për fije t’zemrës.
N’prehnin tand m’ke pranue!
Mu…mëkatarin.
T’jam falë Zot!
************
Shpesh vragat e kohës, derdhin mbi mua shtrëngata malli.
Rrëke lotësh përplasen mbi lëkurë…
Në buzë shuhen si fëmijë të deteve pa siqërfaqe!
Kam varur kohërat në sy.
Në zemër kam akrepat e saj…
E ardhmja është shpresë,
veshur me pak dhimbje të shkuar.
E tashmja , vajton të shkuaren
e qesh me të ardhmen…
Në telajo kohërash të përziera,
jam portreti i kohës pa busull.
**********
E paimagjinueme sesi kjo dit’ erdh’ bosh
N’rreze t’nadjes shndriti veç nji aureolë
Dy kambë n’dhimt hapash, tundên drrasat e thamuna
E dita filloi si mó zó ma keq
Veshit shurdht’ ja ofshâna dó dvētje
Si ja del me rrejt’ njerzínë kur t’dvesin për mu?
Si ja del me i fshi gjurmt’ e synit tem n’kundërmim t’shtatit tand?
Si ja del me i copëtu drómcat e dashnis’ vdekun
n’gjoks
M’thuj n’mos ja dalsh, se dromca dashnie mbushun e kam trupin edhe un’ si tý
Të thâmuna tashmâ…
M’pýt si ja dal pa frym’marrjen e buzve
n’kurriz t’agut dits’
M’pyt si zemnës ja pastrova dromcat n’tel t nxeht’
M’pýt edhe a t’kam msheh’ tuneleve t ‘errta t’harresës
N’errësin’ si vorr pa Zot
Ç’dreq mallkimi isht’ ky qi ra mì ne
N’çfarë skicash t’mbrapshta u ndërtu kjo bot’
Përgjigjê nuk kam…
Di me t’thanë veç se nesër kur dìlli t’ketë lý varrat e shpirtnave t’vdekshëm
Bash’ n’rrugën ku t’pashë për t’paren herë
S’di a ka me t’fol, s’di a ke me m’fol
Dromcat e vdekuna t’dashnis kanë me u s’provu n’gjallnim
E kanë me dhan shpirt fill pa u nis
Se rastësia mâ nuk výn
N’filma t’djegun frymorsh pa frymë.
*****
Ndìj nji zâ n’kryet tem
N’mjegull mshtjellun
Qi m’thotë rri mos fol’
O dashni tredhun
Nji zâ gj’mon për s’kthjellti
N’lahut’ t’parve
N’sut’ t’rrashts tonë
N’krye t’marrve
“Mos fol,, piskât heshtja
N’gjamë vujtnie
N’t’vetmin tel mbetun
Lahutë malcie
Mos b’zaj o qyqar
N’darsëm t’vdekunve
Ti tredhe dashni-qyqen
N’vraga t’tretunve
Ruaje unin tand për dit’ ma t’mira
Çohu e luj për s’gjalli
N’lahutë t’parvet çíle gjoksin
N’gur’ zalli
Ti s’ke lind për kët’ mot
Tel lahute i padredhun
Vadë uji kjo jet’ n’sy tandin
O dashni-tredhun…
*****
Femën!
Ti ballinë shtrëngatê
Kush n’hall nuk të pat?
Ti kërrkand s’pate…
Nanë!
N’hak hy bota
Ti, vetē i madhi Zot
N’tokë shpërnda…
…në miliona Zota
Femën!
Jet’ mjalt i hidhun
N’ngatrresa t’penit jetës
Fund e krye, fill i lidhun
Grue!
N’mburojë t’tamlit tand,
Fryma e posht-këmishës
Kryq Krishti kryqëzue…
…n’derë t’kishës
Femën! Nanë! Grue!
Frymë shpirti n’gjak tretun
Perëndeshë e hyj mbi ne
N’cep t’oxhakut,
N’farë bulmeti
Dheu n’duer t’pâstra
Shtatë fmij nân sjetull
…n’jetë t’jetëve mbetun
****
Jam Shqipnia, me nji krye
N’vegza pushke, rritun shtati
Kohëna t’kobta plagët e nximuna
N’rod t’nemun , mbet sahati
Jam Shqipnia me nji kamë
Kapun n’kthetra, fort vuej
Nxanun shtratin lëngoj, s’lshoj
Zhyt n’dhimbje të zotve t’huej
Jam Shqipnia pa dy sytë
Qorre n’vegzha t’zjarmit tem
Kuk n’shpinë brenga mbledh
Kangë e jeme, qyqe n’gem
Jam Shqipnia krejt pa krye
N’teh t’tradhtisë pre n’shpátë
Tokë e qiell , veshun ‘n t’zézë
Ditë e natë , besâ veç natë
Jam Shqipnia, gur n’krye tem
Pa duar e kambë, shtat gjymtuem
Zemër tretun , n’damarë t’dekun
Veç emni mbetun( SHQIPNI) i bekuem.