Ferdinand Samarxhi: Krishti lindi për të ndriçuar krijesën njerëzore
FERDINAND SAMARXHI “MJESHTËR I MADH”
NË VEND TË EPILOGUT…
Një rëndim i thellë shpirtëror, një dezilizionim, pasiguri e përgjithshme, është përhapur si pluhur bërthamor ogurzi në të gjithë qenien e krijesën njerëzore, duke shkaktuar një ekstazë të frikshme. Krijesa njerëzore apoteoze, thirrje për jetë…
FOSHNJA QË LIND, DO TË NDRIÇOJË GALILENË…
Gëzohu, o hirplotë! Zoti është me ty! Ja virgjëresha tek do të mbarset dhe do të lindë djalë dhe do t’ia quash emrin Emanuel, Perëndia bashkë me ne. U përmbush e thëna prej Zotit, me anë të Profetit.
Ky do të jetë i madh edhe Biri i të Lartit do të quhet; edhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, Atit të Tij. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit përjetë, edhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Eskili paratha ardhjen e Zotit te “Prometeu i Lidhur”. “O njerëzim, në mjerim do të jesh gjithmonë, derisa të vijë ai që është nga lart, që do të do të zbresë në Hadh. Të ndriçojë botën dhe Hadhin ta bëjë Parajsë!”
SOT JU LINDI NË QYTETIN E DAVIDIT NJË SHPËTIMTAR…
Sapo bien boritë e trumbetat, bota tronditet, dheu ngazëllehet, çdo skutë e tij ndriçohet, krijesa njerëzore gëzohet…
Të gjithë do të përjetojmë lajmin që sjellin barinjtë e magët, që në një kasolle të varfër, të ftohtë, me kashtë, në Betlehem, i mbështjellë me shparg, do të lindë një foshnjë, një princ, një mbret.
Edhe Engjëlli u tha atyre: “Ja, po ju jap lajmin e mirë, për një gëzim të madh që do të jetë për gjithë popullin. Sot ju lindi në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht”.
Edhe papandehur, bashkë me engjëllin, u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke himnuar Perëndinë e duke thënë: “Lavdi Perëndisë që është në më të lartat edhe mbi dhe, në paqe, edhe me njerëzit mirëdashje. Engjëjt sodisin dhe lëvdojnë misterin e Perëndisë, mishërimin e birit të Saj. Perëndia është me ne!
… Nëse Perëndia është me ne, kush është kundër nesh, sepse edhe po të ecë në mes të hijes e vdekjes, nuk do të kem frikë nga ndonjë e keqe, se ti me mua, je…
Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që i beson atij, po të ketë jetë të përtejshme. E kremtja, Betlehemi, drita e mesnatës, ndriçon krijesën njerëzore, ofron shpresë me frymë shpresëtare, antidot të efektshëm kundër psikozës të pasigurisë, të virusit, psherëtimës të frikës përjetë. E kremtja e Krishtlindjeve sjell për gjithë qenien njerëzore ngushëllim për ndodhitë të përjetuara të krijesës, fuqi, forcë, përballje me vesin, mëkatin, egon, errësirën e shpirtit njerëzor, egocentrizmin, botëkuptimin e egër të realitetit, qasjen e tij paqedashës e natyrë paqësore për jetën.
Kjo shpresë, fuqi, forcë, siguri, shpërbën çdo ndjesi e pasiguri të jetës njerëzore, mbush me optimizëm frymë dashurie çdo krijesë që pranon dritën dhe lavdinë e më të lartit, të porsalindurin e tij të vetëm, që e madhëroi dhe i dha natyrë njerëzore.
Biri i Perëndisë, që lind në Betlehem, edhe pse është Hy, Bir Perëndie e u mëshirua prej virgjëreshës së shenjtë Mari, vuan për miliona njerëz se në botë vuajnë shumë. Do të mbjellë paqe e dashuri, se paqja mungon e dashuri s’ka mes njerëzve në natyrë njerëzore.
Betlehemi, drita e tij që ndriçoi kasollen dhe gjithë galilenë e madhe të kombeve, ndriçon këdo, çdo qenie e krijesë njerëzore që do të ndezë llambadhen e së kremtes të Krishtlindjeve, ndriçon gjininë njerëzore.
Perëndia, falë besimit, falë krijesës njerëzore, njerëzve besimplotë me aftësi dhe pushtet që të bëhemi jo vetëm pasues të Tij, por “bij të Tij”, duke hapur rrugët për kapërcimin e frikës, pasigurisë së jetës nga çdolloj ndjesie, kundër pandemisë e kujtdo, vdekjes, që të bëhemi “pjesëmarrës së natyrës hyjnore”, kapërcimin e asaj që është e pamundur për krijesën nga ana njerëzore. Me siguri, për të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë. Besimi në të kremten e Krishtlindjeve fal bindjen besimplotë, me frymë shpresëtari se nuk jemi vetëm në këtë botë.
25 DHJETOR: SOLSTICI DIMËROR, KREMTIM PARA KRISHTERIMIT…
Mesi i dimrit ka qenë për të gjithë popujt një kohë kur të gjithë festonin Krishtlindjet, para se të vendosej dita e festës si Dita e Lindjes së Jezusit.
Më 25 dhjetor, në Skandinavi, njerëzit, duke u lutur për rikthimin e ditëve me diell, sillnin në shtëpi trungje të mëdha pemësh që digjeshin deri në fund.
Çdo shkëndijë prushi zjarri që shpërthente nga oxhaku, sillte për ta fat, një gic një viç.
Në Gjermani, njerëzit nderonin perëndinë pagane, Oden. Teksa besonin se ajo fluturonte natën nëpër qiell për të vendosur fatin kush është i mirë e kush është i keq, kush duhet të jetonte, shumë njerëz nga frika zgjidhnin të qëndronin brenda.
Në Romë festohej Saturnalja. “The World Book Encyclopedia” shkruan se festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët në kremtimet e lashta të Saturnit, nga romakët parakristianë.
Festa të ngjashme vihen re te Mitraizmi qysh në shekullin VI p.e.s. në Persi dhe Indi. Uilliam Edelen, në artikullin e tij “Christian Mythology”, vëren se edhe Mitra kishte lindur nga një virgjëreshë në prani të barinjve. Shpëtimtari i madh dhe perëndia Mitra, i adhuruar në Indi dhe në Persi, njihej me cilësime si “rruga”, “e vërteta”, “jeta”, “drita”, “fjala”, “biri i Zotit” dhe “Bariu i Mirë”. Ai përfytyrohej dhe paraqitej në arte vizuale me një qengj në krahë, ndërsa në besimin mitraist njëlloj si në Krishterimin bashkëkohor, dita e diel quhej “dita e Zotit”. Te Mitraizmi, dita e 25 dhjetorit, e cila më vonë do t’i bashkëngjitej traditës së Krishtlindjeve, përjetohej me festime tradicionale, me kambana, himne, qirinj e shkëmbim dhuratash, ndërsa ndjekësit e këtij besimi merrnin pjesë në një lutje të posaçme adhurimi.
Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe i botës së nëndheshme në Egjiptin e lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 dhjetor.
Buda (Buddha) në Kinën e lashtë besohej të kishte lindur më 25 dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja.
Shumë kohë përpara konvertimit në Krishterimin ortodoks, grekët festonin 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i Zotit suprem të grekëve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme, Alcmena.
Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekët e lashtë, kishte lindur mrekullisht më 25 dhjetor. Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njëjtën shpellë, ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik.
Skandinavët parakristianë festonin “Krishtlindjen” e tyre më 25 dhjetor. Për ta, kjo ditë shënonte ditën e lindjes së Zotit të tyre të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i Perëndisë së lartë të qiejve, Odinit.
KULTI I DIELLIT TË PAMPOSHTUR TRASHËGIMI
Kohë më parë, Perandori Aurel kishte themeluar një tempull të diellit të pamposhtur si një pikë qendrore e gjithë sistemit fetar të një shteti (274). Ditëlindja e Zotit qe menduar të jetë më 25 dhjetor dhe kjo, e transformuar në Krishtlindje.
Adhurimi i Zotit-diell vazhdoi gjerësisht, kudo në perandori dhe nën Perandorin Aurel (me origjinë ilire) (270-275 p.e.s). kulti u rivendos në pozitën e lartë.
Në vitin 274, Aureli e shpalli Zotin, tash të quajtur Deus Sol Invictus, perëndinë zyrtare të Perandorisë Romake dhe vendosi festimin e lindjes së diellit (naturalis solis invicti) më 25 dhjetor, ditë e cila u pranua për solsticin dimëror.
Datëlindja e Jezusit, e cila festohej në Lindje më 6 janar, u vendos në Romë më 25 dhjetor, ditën e festimit të ditëlindjes së Sol Invictus. Kjo ka ndodhur në shekullin e katërt pas Jezusit.
DITËLINDJA E ZOTIT DIELL TË PAMPOSHTUR, DITËLINDJE E KRISHTIT…
Ajo që përfundimisht dhe pa dyshim kishte qenë pagane, tash u “pagëzua” dhe me anë të një akti magjik, u transformua në diçka të krishterë. Së paku për historianët, kjo nuk dukej të ishte e krishterë.
Kostandini njihej në Romë si “inkarnimi” ose “trupëzimi” i diellit dhe adhurohej nga romakët në atë kohë si perëndi. Pas konvertimit në krishterim, Kostandini e orientoi besimin e krishterë jo drejt një ndarjeje të ashpër me paganizmin, por e pasuroi besimin e ri me shumë elemente ekzistuese në besimet e mëparshme romake. Në fakt, ende kishte edhe bërthamë pagane.
SANTA KLAUSI-BABAGJYSHI I KRISHTLINDJEVE DHE VITIT TË RI…
Në histori ekziston realisht një personazh i quajtur Shën Nikolla (që sot njihet me emrin Santa Klaus). Shën Nikolla (greq. Agios Nikola ose “fitorja e popullit”). Në Shqipëri njihet me emrin Shën Nikolla i Mirës në kishën katolike, edhe Shën Nikolli i Barit në atë ortodokse. Nikolla Mrekullibërësi, që jetoi në shekullin IV në Lician Bizantine (sot me emrin Demre, Antalia, Turqi), në botë njihet më tepër si Santa Claus, ndërsa në Shqipëri njihet edhe si Plaku i Vitit të Ri. Lindi në Patara, në Turqi, nga një familje e pasur. Në shekullin IV u bë peshkop i Myra-s dhe mori pjesë në Koncilion e Nicea-s në vitin 325. Kur vdiq, eshtrat e tij u vendosën në Myra, deri në 1087. Sipas legjendave, këtij shenjtori i kishte rënë në dorë një objekt mitik, “sacro graal”, kupa e shenjtë, përveç se të qenurit për të dhuruar dhe kupës së shenjtë, qe dhe shkaku i hapjes së varrit nga kavalierët italianë me urdhër të Papa Grigorit VII, ku u morën eshtrat dhe u sollën në Bari, ku ruhen deri në ditët e sotme.
Një nga legjendat më të famshme, e konfirmuar nga Dante në “Purgatorin” (XX, 31-33) tregon që Shën Nikolla, i prekur nga lutjet e një njeriu të mirë, që s’kishte mundësi të martonte tri vajzat e tij sepse kishte rënë në mjerim, vendosi t’i hidhte për tri net me radhë në dritare gjithnjë e hapur e kështjellës tri thasët me monedha që do të bënin pajën e vajzave. Shën Nikolla i ndante dhuratat më të varfërve në të gjithë botën, duke shëtitur me slitën e tij, duke udhëtuar edhe nëpër dëborë, duke ua hedhur dhurata nëpërmjet oxhaqeve ose dritareve të tyre.
PEMA E KRISHTLINDJEVE, ORIGJINA DHE HISTORIA E SAJ…
Pema e Krishtlindjeve është një pemë halore me gjelbërim të përhershëm, që lidhet me traditën e festimit të Krishtlindjeve. Sipas Biblës, pema e ka zanafillën e saj nga Kopshti i Edenit, që mbolli Perëndia.
Në mes të kopshtit mbolli edhe dy pemë të tjera të veçanta, njëra pemë e jetës që me frytin e saj dhuronte pavdekësinë dhe tjetra vdekjen. Dihet që njeriu, i nxitur nga djalli dhe nga epshi, hëngri frutat prej pemës së keqe. Por Perëndia, në planin e saj për shpëtimin e njeriut që aq shumë e deshi botën sa dha dhe birin e Tij të vetëm lindur, që kushdo që të besojë tek Ai, të mos humbasë, por të ketë një jetë të përtejme (Jn: 3:16). Kryqi, tashmë është “Pema e Jetës”, e cila gjendet në Parajsë. Druri i Kryqit u bë bekim për gjithë natyrën e pemëve. Në një tjetër himn thuhet “u gëzofshin të gjithë drunjtë e pyllit, sot u shenjtërua natyra e tyre nga druri zotëror, që u mboll në fillim…”
Sipas historisë, pema është e lidhur dhe me Shën Bonifacin dhe qytetin gjerman, Geismar. Një herë,(672-754) ai preu pemën e Thorit (perëndi pagane), në mënyrë që të hidhte poshtë hyjnizimin e perëndive skandinave mbi fiset lolak gjermane. Shën Bonifaci pa një pemë bredhi të mbinte në rrënjët e një lisi të vjetër. Duke marrë këtë si një shenjë të besimit të krishterë, ai tha: “Le të jetë Krishti në qendër të familjeve tuaja”, duke përdorur drurin e bredhit si simbol të krishterimit. Historia e simbolit të vendosjes së pemës fillon me Martin Luterin (1483-1546), i cili vendosi për herë të parë pemën si simbol, ashtu siç dhe Shën Françesku i Asizit (1181-1226), që vendosi si simbol grazhdin e lindjes së Krishtit, ku në gjithë botën sot skenografia e lindjes së Krishtit parafytyrohet në grazhd.
Për herë ta parë, pema është vendosur në sheshin “Shën Pjetër” të Vatikanit, në vitin 1982.
TRADITA E FESTIMIT TË KËRSHËNDELLAVE NË SHQIPËRI…
Natën e Kërshëndellave, ose siç thonë “Natën e Buzmit”, më 24 dhjetor herët në mëngjes, nëpër terr, tre-katër djem të rinj dalin në mal tinës, pa i parë kurrkush dhe presin dy copa dru qarri ose arre me gjatësi 1 ose 1,5 metër. Kur i sjellin në shtëpi, i gdhendin me sqepar (teslic) ose me thikë dhe në të dy skajet e Buzmit e thellojnë nga një kryq. Diku e thellojnë vetëm një kryq në një skaj. Drurët e Buzmit mandej i fshehin deri kur të vijë koha me i qit Buzmin. Drunat i lënë diku mbas dere në anë të djathtë. Pak para darke, kur nis me u err, dalin prapë dy-tre djem dhe e kapin drunat e Buzmit si me qenë tu i bajt nji leste, vijnë te dera e shtëpisë së zjarrmit. I zoti i shtëpisë i pret te votra.
I pari djalë, i cili u prin të tjerëve, nis e ban za:
– O zoti i shtëpisë!
– Hajde, mirë se u ka pru zoti! Me kë po na vini?,-u përgjigj i zoti i shtëpisë.
Mandej, dy djem tue hy ngadalë brenda thonë:
– Jemi t’u ardhë me gja, mall, ushqim, bereqet dhe me të tanat të mirat e Zotit. Diku-diku besa thonë edhe: “Po vijmë me të lumen Zojë, me të lumen Sh’Jozef dhe me të lumen Jezu Krisht”.
– Atëherë, zoti i shtëpisë i merr prej tyre drunat e Buzmit, më së pari bën kryq dhe mandej në skajet e drunave të Buzmit, ku janë gdhend kryqet, qet nga pak laknuer, tëlyn, fasul, djathë, raki, venë, etj., d.m.th. nga të gjitha bereqetet, tue mendue se çka i japim tash na Buzmit, Buzmi ka me na dhanë neve. Tu i qit nga të tana bereqetet mbi kryq të Buzmit, thuhet kështu:
Unë po t’iap tëlyn, ti me m’dhanë tambël;
Unë po t’jap pite – laknuer, ti me m’dhanë grun, kallamoq;
Unë po t’jap raki, ti me m’dhanë kumblla;
Unë po t’jap vene, ti me m’dhanë rrush etj”.
Atëherë e marrim edhe bukën bitevi edhe bëjmë kryq tri herë mbi Buzm. Masandej, Buzmin e qesim në votër kur është zjarri më i madhi. Derisa është Buzmi në votër, nuk guzon kush me i frye zjarrit. Mbas darke, mbase të digjen mirë midiset e Buzmit, i marrim disa gaca prej drurit të Buzmit nji e nga nji tue i shënue me rend dhe tue i vu në çerep:
Nji gacë po e qes për grun,
Nji gacë po e qes për kallamoq,
Nji gacë po e qes për sanë (ushqim),
Nji gacë po e qes për pemë.
Çerepit ia vëmë saçin dhe e lëmë mbi çerep deri në nadje. Në mëngjes herët e heqim saçin prej çerepi dhe kqyrim ngacat, mbi të cilat ka shpuzë më shumë.
Thuhet se cila gacë ka qitë më shumë shpuzë, ajo do të ketë më shumë bereqet. Kjo doke e çerepit dhe e saçit është përdorë dhe përdoret qysh moti në shtëpinë e Ramë Alisë në fshatin Brekocë.
Njëkohësisht është zakon i moçëm që natën e Kërshëndellave duhet me ju qit me hangër sa më mirë gjëve të gjalla, sepse është gjynah i madh me i lanë unshëm në këtë natë. Kuajve, lopëve dhe tana kafshëve ia qesim Dujën e Tallës bitevi tue mos ia zgjidh aspak thuprën, ia hekim thuprën dujës së tallës pa i thye aspak, dhe qashtu ia qesim gjave në grashtë. Thuprat e drunjëve të paprishuna i marrim dhe i qesim në zjall, pa i thue, menjëherë sa të “hyjnë buzmat në votër”. Zjarrin nuk guxon kush me e fik gjithë natën e lume derisa janë buzmat në votër.
Sofrën e lanë të shtrueme gjithë natën. Nji laknuer pa e prek dhe nji bukë të pathyeme e lamë për nesër në nadje kur duhet me e ba lamën. Gjithashtu, gotat e rakisë dhe të venës i lamë plot gjithë natën si bollëk për jetën.