Ferid Kola, skulptori i vlerave përfaqësuese, artisti i shpirtjes krijuese dhe t’njerzishmes shkodrane
Nga Albert Vataj
Portreti për Ferid Kolën, një prej skulptorëve ma unik shkodran, metet sipërmarrje e vështirë, njaq sa dhe obligim, ngase ai asht njeni prej njatyne qi me veprën e tij ka dëshmu, se munden me ken përfaqësus i denj i traditës shkodrane, me ken përfaqësus i këtij privilegji dhe njasaj përgjegjsie.
Noshta Feridi asht nga t’paktit qi, megjithë sfidat e jetës, asht gjithmonë dhe gjithkund ku prezenca e tij asht e domosdoshme dhe fjala prej intelektuali dhe profesionisti, duhet me u ndigju si nji za i randsishëm. S’mundet me pas nji ekspozitë apo takim artistësh, tubim poetësh apo kremtim i shkaseve krijuse, qi mos me ken ai, mendimi dhe përshtypja e tij me u kuptu si pagzim dhe urdhnim n’rrugën e promovimin e veprave dhe vlerave qi i begatojnë përditshmërinë shkodrane.
Edhe pse shumë vepra t’tij kanë mbetë në bocete, n’pritje për me ken dikush i interesum apo nji ambicie sponsorizuese me marr jetë, ai punon dhe punon, tue mos u ndal s’dhanuni ma t’mirën për artin dhe për Shkodrën, por tue mos heq dorë me ken nji bashkëshort i devotshëm apo nji gjysh i dashtun, nji mik i mirë, sikurse nji qytetar model.
Më shumë se një foto e mikut tem, Ferid Kola, asht nji shkas me nda me ju faktin se dashnin e Shkodrës, s’asht se munden me e mbajt mbi shpirtje, vetëm hiret dhe stolisjet e saj t’nusnimit t’kahmotshëm, pa ju ba gajret njata qi mëkimin e t’njerzishmes mylmejnë, me mirsinë, fjalën e tamëlt e gjindshmërinë e natyrshme. Ferid Kola, asht prej njatyne miqve n’Shkodër, qi tue m’begenis, më mylmen me pranin e tij t’përkor, si tue dasht me nda botën krejt, me kërrkend tjetër veç me mu. Sepse ky asht në t’vërtet shpirti i Shkodrës qi ai përfaqson.
E cili asht ky burrë, kjo copë Shkodër, kjo kandje qi xen vend t’privilegjum n’kyt qytet zotnimesh t’potershme e artistësh të çdo brezniet, n’kyt trull ku asht hedh farë pasioni dhe ka mbi tue u harlin njajo stinë hyjnimi vlerash dhe përfaqësimi?!
Ferid Kola, asht nji burrë shtatshkurtër, që hyn e del prej viganes krenuese të emrit dhe veprës së tij, me nji solemnim qi i ofrohet me dinjitetin e një akti kremtimi, atyne, qi vepra dhe vlerat, janë dhe mbeten gurë në themelët e kësaj qëndrese. Ban nji jetë modeste, pa përfitime e privilegje, por me dinjitet prej idealizit dhe ambicien e nji artisti qi s’din me ba kompromise, por din me i dhan jetë veprës së vlertë.
Po aq sa si skulptor, ai qëndron nalt edhe si profesor, veprimtar qytetnor gjithashtu, sepse e njerëzishmja te ai asht ma e fuqishme se sfida, shpirti i paepun krijues asht ç’ka ai i kundërvë gjithëmonshmërisë me t’cillën ndeshet për me fitu.
Asht i tani i thinjun, si me ken i derdhun në nji breror t’shkëlqimt. Ma shumë se vitet, mbi katë identitet të ndryshtë për nga karakteri dhe temperamenti, randon e tashmja e pështjellimtë, ditëpërditshmëria që ka gjithnji arsye me e ligshtu, por pa mujt me marra ma shumë se tue i dhan nji zbardhëdhim, thellim vështrimi e kumbim zani, si tue dasht me fol ma shumë se me ty, me ç’ka duhet me ju ba yshtje këtij kushtrimi, kësaj atyshmërie qi bahet tregus nji situate t’t’razimt.
Me nje za të thella dhe kumbues, ai e “poteris” rendien ton, atë ditë rrugëve të Shkodrës. Tetraliteti komunikus i tij asht i denjë për çdo skenë, edhe pse ai asht artist i nji dimensionit tjetër. Më flet për Shkodrën, pak për veten. Në një shfletim kujtimesh hedhim vështrim e përkudim me mallje. Jo gjithça asht siç duhet n’qytetin qi e dum fort. Bisedojmisedojmë e debatojmë, për artin, për njato nivele t’epërme, ku vërshon frymëmarrja eterne qi mush me frymë guri dhe e shndërron në vepër arti, ku i mëkohet gji legjendës dhe naltohet në përmendore murimi, ku zakonshmëria e gjanave t’bukura hymnizohet në ngjarje, ku gjithgjëja qi na rrevjen asht ç’ka duem e dëshirojmë.
E megjitharë shumë gjana n’Shkodër munden me ken ma mirë se janë, tue u përpjek me zgjidh prej shpërgejve të politikës, e me u çliru prej robinimit të interestit, për me i lan vend meritimit, konkurrimit t’ndershëm dhe përfaqsimit dinjitoz. Me ik prej meskines, me mbrujt nji land njerëzore dhe nji integritet qi fisnikëron t’bukurën dhe e mrekullon zakonshmërinë, për t’mos me leju qi t’talentumit e zhgënjym me kërku dikun tjetër shanset. Dakordsohena e njimendena, se jo çdo gja asht aq e idealizume siç e mbujm na në shpirt, por gjithqysh Shkodra i ka t’mundshmet me ken e me mbet, ç’ka motit bijt e saj e kunorzun si “Djep të kulturës”. Ferid Kola, flet e ndin ç’ka i dëshirojmë Shkodrës, sepse ai pranon përgjegjsinë që ka artisti në të tashmen e kohës së vet. Edhe pse shpesh arti s’mundet me i than të tana, ai e shpreh se duhet me ndyshu shumë gjana, me dëshmu si me vepër njashtu edhe me vullnet qytetar, se tolerimi i problematikave legjitimon t’keqen tue e ba zakonshmëri.
E në këto ujna voziti kovendimi jonë atë ditë. S’mundem me than se i dolem m’ane, por gjithqysh na i’a hapëm zemrën zashëm atij trazimi n’shpirt, ngase na i duem gjanat me ken siç i meriton Shkodra, e cila mundet mos me ken vend leku, por asht dhe duhet të jetë kandje shpirti. E kur asht kësisoj, ajo mundet me u ndi gjithqysh, mundet me u naltsu në çdo akt sublim, për me ken e me mbet Shkodër.
Dolem prej këtij qerthulli e folem edhe për të tjera gjana, përvojat e tij, rrugtimin e shumë veprave që ka mbrujt me baltë e me mermer, shpirtje të këputuna, e ka naltu zamje të qiellta, ngase ka dit me ken rrahje zemre në çdo krahnor dhe guf shpirti në çdo dhimbje.
Prej duarve t’tij kanë dalë mbretër legjendarë e krydjelm Shkodret, kanë rilind emblem dhe hedh shtat, kulmime të kandjes dhe kujtesës, gjënezës të sqimës krijuese dhe historisë n’themelet ku asht ngritun shtatnaltë ambicia jonë, jo aq shkodrane, se sa shqyptare.
N’studjon e tij asht e tan historia e arbnimit tonë, qysh prej Gentit Mbret e deri te nji za i kputun në shpirtin e nji dashnimi qi s’ngopet me qiell e s’ngihet me det.
Ai, Ferid Kola, asht miku jem, por n’krye të herës asht nji bashkëshort qi zotnon nji shpirt t’paepun misjonari, nji baba qi mundet me ken e me e zotnu nji qiell ku gjejn prehje dhe falje çdo gabim e faj, e me u gjet shpagume çdo tançka na ngas n’trazim e lyp n’ne çmim e shlymje, rrëfenj e rrëmet.
Asht fort zoritshëm me gjet sot nji mik, i cilli tue u mundu me fshi hallet dhe trazimet e veta, din me ken njaq i dritshëm e përplot me rreze, si tue dalë njitash prej zhguallit t’krijimit. Sepse ai guxon me besu se jeta meriton me ken e ngjyrshme, dhe gjithçkaja qi na rrevjen me ken e stolisun prej kësaj llamburitje, qi mëkohre në shpirt e kurrkund tjetër ku mbruhet dritë e mëkohët vezullim.
T’paça miku jem, Ferdi Kola, ti qi Shkodrën e dishmon si za e si zemër, si dhimbje e si trazim, si andje e si andërr, ngase ne i duem dhe dashnohemi me gjanat dalun prej mrumjes tonë krijuse.
Albert Vataj