“Fest Folk”, brezi i ri më afër traditave dhe folkut shqiptar
Qyteti i Elbasanit u shndërruar për dy ditë në një vend feste mes traditës dhe muzikës. Edicioni i parë i Fest Folk “Këndojmë e Vallëzojmë” mbushi ambientet e Teatrit “Skampa” me publikun artdashës elbasanas, si dhe me plot fëmijë.
Gjatë aktivitetit rreth 350 fëmijë performuan këngë dhe valle nga treva të ndryshme të vendit, si përfaqësues të shumë shkollave 9-vjeçare të qytetit të Elbasanit, të cilët gjithashtu ishin veshur me veshje popullore me motive nga mbarë Shqipëria.
Në fund të këtij festivali u ndanë çmime të ndryshëm për fituesit. Ky edicion ishte si një dhuratë për qytetin e Elbasanit duke iu shtuar një tjetër festival për fëmijë i rëndësishëm në fushën e krijimtarisë dhe performancës artistike e kulturore me bazë folkun shqiptar. Edicioni i parë i Fest Folk “Këndojmë e Vallëzojmë”, u zhvillua nën organizimin dinjitoz të Qendrës Kulturore të fëmijëve dhe me mbështetjen e Bashkisë Elbasan, DAR Elbasan dhe të gjitha shkollat pjesëmarrëse në këtë aktivitet.