“Festa” e fjalës shqipe
Nga Nexhmije Mehmetaj –
Më 9 qershor 2019 në qendrën Safnern – Bernë, Lidhja e Arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, LAPSH organizoi Konkursin e diturisë tashmë të kthyer në traditë, me shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Në këtë veprimtari konkurruan 22 nxënës nga shkollat ku organizohet mësimi shqip si: Zyrih, Jura, Gjeneva, Vaudi. Për të ndjekur konkursin e diturisë, ishin ftuar drejtues të shkollave shqipe, prindër, nxënës dhe mësues.
Kjo “ festë” e fjalës shqipe u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Diasporës, Republika e Kosovës. Meriton përshëndetje, sepse krijoi mundësinë e vazhdimësisë të kësaj veprimtarie që ka vlera të shumëfishta humane, arsimore e më së shumti atdhetare e kombëtare. Është një shërbim i vyer për shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe sepse u krijon mundësi nxënësve të shpalosin e të përcjellin nivelin e mësimdhënies e mësim-nxënies, njëkohësisht edhe kujdesin ndaj më të mirëve.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i LAPSH-it, Nexhat Maloku ku ndër të tjera vuri në dukje dhe cilësoi se sa e rëndësishme është puna edukative që bëjnë prindërit me fëmijët e tyre, për t’u ushqyer dëshirën për gjuhën dhe kulturën e bukur shqiptare.
Konkursin e udhëhoqi prof. Nuhi Gashi nga Ministria e Arsimit dhe përgjegjës për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Saktësinë e përgjigjes e verifikonte juria, e përbërë prej tre anëtarësh.
Pyetjet e konkursit ishin të bazuara në mësimet që kanë marrë nxënësit gjatë mësim-nxënës në shkollë. Garat u zhvilluan me nxënës të tri nivelesh, por sikur edhe viteve të kaluara mbetemi vetëm në përpjekjet e mësueseve: Remzije Shabani, Elfete Hasi, Sabahate Krasniqi, Afërdita Veliu (Zyrih) Nexhmije Mehmetaj (Jura), Lumnije Emini, Hyrije Kurteshi (Gjenevë) dhe Albana Thaçi (Vaud).
Pyetjet kishin të bënin me gjuhën shqipe dhe letërsinë shqiptare, historinë kombëtare, gjeografinë e etnikumit shqiptar dhe artit muzikor. Lista e pyetjeve përbëhet nga pesë pyetje për nivelin e parë dhe 7 pyetje për nivelet tjera.
Në përfundim të kësaj veprimtarie, mbi bazën e pikëve të grumbulluara, nga juria u dhanë këto çmime:
Niveli ulët vendi i parë i takoi shkollës së Zyrihut. Niveli i mesëm vendi parë shkollës Gjeneva, vendi dytë Zyrihu, vendi tretë Jura. Niveli i lartë vendi parë Vaudi dhe vendi dytë Jura. Ekipi fitues u shpërblye me (karta me vlerë 40, 30, 20 franga.)
Nuk mund të lëmë pa përmendur se tërë veprimtaria u prezantua me plot emocion dhe korrektësi nga mësuesja Mirela Xoxi.
Ky është një rast i bukur, që flet vetë. U krijua një mundësi më shumë për këta misionarë të vegjël të bashkimit të kombit, që të njihen e të bëhen miq me njëri-tjetrin, të sodisin nga afër vlerat historike të shkollës shqipe dhe pse jo, të shkëmbejnë përvojë dhe dije.
Shpresoj dhe më shumë besoj, se të tilla veprimtari do të jenë të mirëpritura kurdoherë tek ne. Le të bëhet shkolla e mësimit shqip një qendër e zhvillimit të vlerave qytetare dhe arsimore.
Delemont, 10.06. 2019