Festivalit “Skampa 2018” i bashkohen edhe artistë nga Shkupi dhe Prishtina
Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen “Të harruarit” me regji të Shkurt Aliut dhe nën interpretimin e aktorëve Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi.
Në vepër është një rrëfim për dy të rinj të izoluar, pa shpresë dhe të ngujuar në vendin dhe në mendjen e tyre, në kufijtë e Europës, në një çmendinë e burg të krijuar nga pushteti. Njerëz të harruar në shtëpinë dhe rrugën e tyre, të dhunuar, të poshtëruar e të trajtuar si kafshë, të padinjitet e si të çmendur. Rrugën e vetme të shpëtimit shohin emigrimin.
Në ditët e festivalit “Skampa” u prezantua dhe Indipendent Teatër Kompani, Shkup. Artistët nga Shkupi sollën në skenë shfaqjen “Unë Selma” me regji nga Millosh B. Andonovski. Vepra është një rrëfim për një vajzë 14 vjeçare, me emrin Selma, një emigrante nga Siria, e cila arratiset nga vendlindja, së bashku me gjyshen e saj dhe arrin e vetme në Maqedoni. Ajo mbërrin aty vetëm me një valixhe dhe një kukull në dorë. Shfaqja përbëhet nga 9 episode të ndryshme, ku secili mban një titull të veçantë. Një aktore e quajtur Simona fillon t’i mësojë Selmës gjuhën maqedonase.
Të dyja miqësohen me njëra-tjetrën dhe Simona mëson pak nga pak se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Selmën: kush është ajo, për çfarë ëndërron, përse u dashurua me Nebojshën. Rrëfyese në këtë shfaqje është Simona, vetë aktorja, e cila tregon historinë se si ajo u takua me Selmën dhe gjithçka që ajo di për të dhe në të njëjtën kohë ajo, herë pas here, shndërrohet si Selma. Simona luan 3 personazhe në 45 minuta, në formën e monologut. Selma dëshiron të kthehet pas dhe të vizitojë Bejrutin, të shkojë në plazh dhe të shohë detin, vendin dhe qytetin e saj më të preferuar në botë.
Megjithatë, ajo nuk e kupton se ajo nuk mund ta marrë nënshtetësinë, apo një pasaportë dhe nuk do të ketë kurrë më mundësi të udhëtojë jashtë Maqedonisë. Ajo mbetet e bllokuar për 9 vjet në Shkup dhe pas disa kohësh humb edhe kontaktet me Simonën. Pjesa interesante e kësaj shfaqjeje është se bëhet fjalë për një personazh dhe histori të trilluar, që Simona i tregon publikut. Shfaqja fokusohet në fuqinë e ndjeshmërisë.
Në edicionin e njëzetë të festivalit ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor “Skampa”, në qytetin e Gramshit u prezantua shfaqja “Luledielli” nga LAB Theatër ATK, e cila do të jetë pjesë e programit edhe në teatrin e Elbasanit, në ditët në vijim.