Festohet 65-vjetori i filmit “Skënderbeu”
Dje, në Kalanë e Gjirokastrës u zhvillua një aktivitet me rastin e përvjetorit të 65-të të shfaqjes së parë të filmit ruso-shqiptar “Skënderbeu”, të realizuar në vitin 1953 nga regjisori Sergej Jutkeviç si një projekt i përbashkët të kinostudiove “Mosfilm” dhe “Shqipëria e re”.
Eventi u organizua nga Bashkia Gjirokaster dhe Unioni i Gazetarëve Gjirokastër (një falënderim i veçantë shkon për z. Ilir Lluri) me mbështetjen e Ambasadës Ruse në Tiranë, e cila siguroi nga “Mosfilmi” më shumë se 30 fotografi ekskluzive me pamje më të bukura nga filmi i famshëm, si edhe fotot nga sheshi i xhirimit. Në një nga ambientet e Kalasë u hap një ekspozitë me këto materiale të rralla.
Nën kujdesin e Kryetares së Bashkisë Gjirokastër znj. Zamira Rami dhe në prani të këshilltarit të parë të Ambasadës Ruse z. Dmitri Kazmin, u mbajt një ceremoni e veçantë ku me vendim të Këshillit të Qarkut Gjirokastër iu akordua titulli “Nderi i Qarkut” aktorit rus Akaki Horava (pas vdekjes) për interpretimin e shkëlqyer të Skënderbeut, si edhe aktores shqiptare Adivie Alibali, e njohur për rolin e Mamicës.
Gjatë aktivitetit, u vlerësua shumë kontributi i pazëvendësueshëm i Rusisë në promovimin e kinematografisë shqiptare në periudhën e pasluftës, si edhe roli i saj i rëndësishëm në zhvillimin e artit dhe kulturës në Shqipërinë e asaj kohe.