Feti Brahimi, gjashtë violina dhe një penë e artë

Nga Gëzim Llojdia –

Feti Brahimi ishte poet një ndër xhevahiret e mëdhenj të polifonisë. Kur themi Feti Brahimi, ne kemi në mëndje, perlën e polifonisë tonë :“Janinës ç’i panë syri”. “Gjashtë violina” i kanë quajtur 6 djemtë nga Laparadhja, që kënduan atë këngë dhe “një penë e artë” në mes që identifikohet Fetiu. Ai ishte autori i vargjeve, por edhe i melodisë të cilën e krijonte vet.

Feti brahimi lindi në Lapardha dhe jetoi atje dhe në Kotë e së fundi në Vlorë, por ai ishte i zgjedhur nga bukuria hyjnore, si poet dhe një ndër më të veçantët. Nëse polifonisë, do ti themi ujëvarë, uji më i distiluar i saj ishte Feti Brahimi me krijimet e tij. Përpara se grupi i Lapardhasë të shkonte në Gjirokastër aty nga viti ‘83, reportazhin e parë te gazeta: “Zëri i Vlorës dhe gazeta: “Bashkimi” e realizova një ditë vere, ndërsa në vjeshtë ,kryesisht në muajin tetor në bedenat e kalasë gjëmonte kënga, vallja dhe bukuria e folklorit shqiptar.

Atë verë shkova në Lapardha dhe takova Fetiun. E njihja nga grupi i Lapardhasë i cili konkurronte çdo vit në Kotë, ose jepte shfaqje për kooperativistët dhe banorët e tjerë të zonës. E gjeta përpara dyqanit me artikuj të përzier. Lapardhaja është një fshat në këmbë të malit të Shushicës, që e rreh dielli sapo lag agun e ditës. Fetiu mësoi qëllimin tim dhe më tha: “Flasim më Mirë jashtë”. Kishte fshatarë në dyqan dhe nuk ishte i qetë. Lëvizëm ngadalë duke shkuar drejt shtëpisë së tij. Ai fliste në këmbë.

-Feti, e pyeta me se do paraqiteni në Gjirokastër?

-“Janinës c’i panë sytë”. Dëgjoje më thotë dhe filloi ta këndonte vete i pari, pastaj do shkojmë te dyqani se kemi nja dy djem të grupit atje dhe ta dëgjosh më mirë.

-Si i gjet vargjet e këngës, ose më mirë si i keni krijuar?

-Në fakt i kam dëgjuar nga babai im. Bënte fjalë për një këngë të vjetër të hershme të luftëtarëve shqiptarë.

-Kënga përmend ngjarje historike ndoshta të viteve 1840 – 1890 dhe ka për vendngjarje Janinën, dhe Pesë Puset. Kur e pyeta ku është kënduar kënga, më tha në fshatë, Velcë ,Mavrovë në Lumin e Vlorës.

-Unë e përpunojë vetë melodinë e ripërpunoje me veten pastaj bëjmë prova te vatra e kulturës. Në prova shikojmë mangësitë dhe çfarë duhet ribërë nga e para për të arritur përsosmërinë. Lidhur me tekstin e këngës, Fetiu më, thotë është tekst i vjetër më shumë gjendet në memoriet e njerëzisë se në libra.

Unë ,tha ai, i dëgjojë nga pleqtë e vjetër, këngët bejtet e tyre i mbledh dhe i shkruaj ose i stivos në memorie për ti shikuar më vonë. Në një dasmë në një ziafet dhe kudo ku këndohet apo citohen bejte, vargje popullore nga të moshuarit unë i dëgjojë dhe i shkruaj. Pasi pimë një gotë me raki te shtëpia e tij u nisëm te dyqani ku ishin disa nga këngëtarët e grupit folklorik të Lapardhasë, që aso kohe punonin në kooperativë. Më duket ishte Nazifi dhe një tjetër.

-Gazetari do të dëgjojë këngën, që do shpiem në Gjirokastër.

Nazifi me bukurin e zërit, virtualitetin dhe magjinë e zërit më bëri të rrëqethem. Ishte aq mahnitëse sa kurrë më parë s’kisha dëgjuar një melodi të tillë të bukur flurore me aromë hyjnore.

Janinës çi panë sytë,

ish e premte ajo ditë.

Te pesë puset në grykë

Zenel Çelua vet i dytë.

Zeneli me të velçiotë

dhe trimi Jaçe Mavrova.

Çau mes përmes taborë,

kur shtriu Pashanë e njohën.

Janinës çi panë sytë - Grupi i Lapardhas

2.

Kënga dëgjua publik në festivalin folklorik në Gjirokastër në vitin 1983, ndërkaq më parë ishte dëgjuar në festivalin zonal të Kotës, ku përzgjedhësi ishte një juri me Haxhi Dalipin sikurse më vonë më tej në Vlorë nga ku bëhej përzgjedhja definitive për të shkuar në fest-folkun e Gjirokastrës.

2.

“Janinës, c’i panë sytë” u bë një ndër këngët më të dëgjuara dhe më të kënduara. Ishte vështirë ta këndoje një perlë, sepse duhej zëri i Nazifit dhe teknika e tij e veçantë në përpunimin e zërit. Aq popullore u bë “Janinës ….” saqë nami i saj shkoi përtej detit. RAI e morri këngën dhe e përpunoi .Jo si ai përpunimi që bëri Ansambli i këngëve ,por nxori një melodi tejet të bukur që i shkonte për shtat veç asaj bukurie polifonike. Shpesh melodia e këngës së Janinës jepej në RAI, aq sa edhe vet italianët mahniteshin me këtë bukuri të pashoq. Mirëpo, RAI, një ditë e hoqi perlën nga transmetimi, pjesëtarët e grupit të Lapardhasë nuk kishin dakord . Një ditë pa u mbyllur vitet 80. Grupi i Lapardhës dhe Fetiu shkuan në Francë me: “Janinën…”.

Mirëpo edhe: “Janina e Fetiut, kishte kundërshtarët e saj. Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Fatos Merro Rrapaj vjen një ditë dhe më thotë se kënga që ishte shfaqur në Gjirokastër: “Janinës c’i panë sytë nuk ishte ashtu siç e kishte shkruar Fetiu, por diçka ndryshe, madje s’kishte fare të velcotë apo mavronjotë. Fatosi kishte botuar këngët popullore te Çamërisë dhe Labërisë dhe më tregoi tekstin origjinal.

-Dëgjo Fatos miku i thashë, ja u bë një artikull ,ja u bënë dy, ja edhe më shumë por ata se rrëzojnë dot nga piedestali atë perlë, që vijon të mahnitë ende të huajt edhe pse ka shumë vite që është krijuar dhe kënduar.

-Ke të drejtë tha Fatosi. Më tutje i thash Fetiut se studiuesi F.M.Rrapaj kishte një oponencë me vargjet tekstit të Janinës. Fetiu u nxi në fytyrë dhe më tha: Kënga mund të ketë si tekst disa variante. P.sh në zonën tonë është kënduar pikërisht ashtu siç është tashmë. Në zona të tjera mund të jetë përshtatur dhe kështu me radhë.

3.

Disa radhë nga bejtete Fetiut.

Fetiu punonte si normistë në Lapardha. Një ditë ai vuri në lojë kryetarin e operativës me bejten e tij të famshme. “68-49 mbushur me mish nga brenda…”, ku diskreditohej kryetari i kooperativës, kryetari bënte nder e hynre për vete te të mëdhenjtë në Tiranë. Një herë tjetër ai thuri një bejte për një shofer autobusi i cili vinte çdo mëngjes e darkë në Kotë dhe sillej shumë mirë me njerëzit, madje nuk linte njeri pa marrë. Fetiu si rapsod popullor thuri në vargje një fletërrufe ku midis të tjerave shkruhej: “Kush e njeh shofer Pëllumbin, atë djalin atë brunin…. dhe pas asaj fletë rrufeje të bukur siç kishte një traditë aso kohe, por kjo ishte krejt ndryshe ajo nuk kritikonte, por nxirrte në pah vlerat humane të një njeriu punëtorë, shoferi që i ishte hequr autobusi të nesërmen erdhi sërish në linjën e vjetër Vlorë-Kotë. Një ditë ishim në Mavrovë unë punoja në sektorin e bujqësisë në atë fshatë. Për mungesë të mjeteve ky sektorë asnjëherë se realizonte planin që shkruante në fillesë të viteve. Fetiu aty për aty i bëri këtë varg agronomit: Agronomi ynë krenar ka një plan në inventar….

Ka shumë vargje të thurura nëpër dasmë.nëpër festivale, ceremonira dhe nga aktivitete të ndryshme nga Feti Brahimi.Janë aq shumë saç do të kërkojnë volume të tëra për ti botuar

4.

Disa mendime për ikjen rapsodit të shquar lab,Feti Brahimit.

Albert Lula: Ish energjik dhe i palodhur, në dobi të shoqërisë me grupin e mrekullueshëm të polifonisë së Lapardhasë…

Vangjel Sako: Ishte njeri me zemër të madhe…

Qerim Skenderaj: La prapa një vepër dhe një emër të bukur

Perparim Hysi: Ngushëllime për këtë krijues që vargjet i ktheheshin në këngë!

Gëzim Tushi: Humbem nje nga korifejte e polifonise labe!

Odise Çaçi: Vlores i iku një rapsod me vlera te jashtëakonshme, një qytetar me integritet, një lab me tipare burrerore. U prehte ne Parajse shpirti i tij.

Nazif Çela: Pikëllim dhe dhimbje pa kufi, për ikjen e Feti Brahimit! Sot labëria por edhe gjithë vendi, ndahet me një penë të arte që pati, e me një artist të madh. I pavdekshëm!

Irini Qirjako: Vepra e tij është e pavdekshme.

Neshat Beqiraj: Fetiu si ligj i natyrës largohet fizikisht nga kjo jete,por do ngelet ne shekuj i gjalle dhe i pa harrur. Fetiu me krijimet e tij te kenges labe e ngriti ne piedestal ku u be e njohur ne te gjithe boten.

Leonard Rudaj:

Legjendat që zbritën,

nga malet e lartë,

atje’ ku burimet,

burojn vetëm mjalt,

Legjendat që shkruan,

histori te zjarrtë,

gjashtë’ violina,

dhe një penë e artë.

Nëse them’ legjendë,

e ka nje kuptim,

do të mbeten në mendje,

për brezat qe vijn,

Do të mbeten legjendë,

dhe sdo t’kenë të dytë,

jo vetëm’ “janinës”,

çi kanë parë sytë…

SHKARKO APP