Figura e Skënderbeut në koleksionin e britanikes Patricia Nugee
Viti Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka rikthyer në Tiranë koleksionisten britanike Patricia Nugee së bashku me koleksionin e saj prej 37 librash unikë kushtuar heroit tonë kombëtar. Muzeu Historik Kombëtar mirëpriti artdashësit kryeqytetas, por jo vetëm, në ekspozitën, “Jehona përmes shekujve”, hapur dje me këtë rast. Siç shkruan atsh, në hapjen e ekspozitës, Nugee tregoi si u njoh për herë të parë me figurën e Skënderbeut. “Unë nuk kam ardhur këtu për t’ju folur mbi historinë, pasi nuk jam historiane, por koleksioniste. Hera e parë që unë u njoha me figurën e Skënderbeut ka ndodhur shumë vite më parë. Unë punoja në një librari të madhe në Londër, ku kishte libra antikuarë nga e gjithë bota. Gjatë një bisede një klient pyeti, nëse kishim libra mbi Skënderbeun”, tha ajo.
Më tej Nugee theksoi se, “pasi ai u largua, kërkova në Enciklopedi për Skënderbeun dhe mora vesh se ai ishte një luftëtar i madh dhe një figurë e dukshme në shekullin e 15-të. Pak më vonë bleva librin e parë të koleksionit tim të botuar në 1596 e më pas librat që bleva ishin në gjermanisht, portugalisht, suedisht, anglisht, frengjisht, spanjisht, latinisht etj”, tha ajo. Ajo çka e mahnit më shumë britaniken është fakti se ai vdiq në 1468 dhe për të u shkrua për 500 vite me radhë në shumë gjuhë të botës. “Është i mahnitshëm fakti se ai vdiq në 1468 dhe për të është shkruar për 500 vjet në shumë gjuhë, apo në pjesë librash, si dhe në drama që e përshkruajnë atë dhe arritjet e tij.
Ai u mor peng nga turqit që në moshë të re, por asnjëherë nuk e harroi atdheun e tij apo besimin e tij kristian. Në 1743 në Edinburg u botua një libër ku thuhej se, “ai nuk luftoi për pushtet, por për lirinë. Ai ishte një personazh i përkryer si mbret, ushtar dhe i krishterë”, përfundoi koleksionistja britanike, Patricia Nugee.
Ekspozita përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe beteja të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Një perlë në koleksionin e Nugee është fjalori i parë shqiptar, një fjalor latinisht-shqip i Frang Bardhit, i botuar në Romë në vitin 1635. Kapitulli i fundit është një koleksion prej 11 faqesh të proverbave shqiptare.
Nëpërmjet këtij koleksioni, duke pasur parasysh përmasat europiane të kësaj figure, këto libra japin një panoramë të admirueshme të botimeve për Skënderbeun.