Figura shumëdimensionale e Skënderbeut, në telajot e Gjovalin Pacit, piktori çel ekspozitën vetjake

Figura shumëdimensionale e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu erdhi në telajo, pas një kohe të gjatë reflektimi në pikturën e Gjovalin Pacit.

Pas 6-të vitesh mungesë, piktori i njohur çeli ekspozitën e tij vetjake, me titull “SKËNDERBEU”, e cila u përurua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me mbështetjen e Muzeut Historik Kombëtar .

Janë të paktën 80 punime në akrilik të pjekur e teknikë mikse, ku në çdo kuadro dallohen dy antitezat: nga njëra anë figura hijerëndë e Heroit Kombëtar, e nga ana tjetër eleganca e finesa me të cilën është realizuar çdo punë, raporton Atsh.

“Ekspozita në fakt është ndërtuar mbi legjendat që ne njohim që fëmijë prej gjyshërve dhe gjysheve, i rritur me letërsinë nëpërmjet Kadaresë, Barletit apo Schmidit”, u shpreh Gjovalin Paci.
ekspo-1
Sipas Pacit, e kuqja dhe e zeza, të përdorura gjerësisht në telajo, fshehin simbolikën e fortë të piktorit. E zeza përfaqëson 550 vite që Skënderbeu nuk është më mes nesh, ndërsa ngjyrat e tjera tregojnë arritjet e dështimet e Heroit tonë Kombëtar. Piktori shprehet se Skënderbeu është një nga njerëzit tanë më të mëdhenj, por ai është dhe një figurë komplekse.
ekspo-2
“Ai s’ka qenë vetëm një strateg, por edhe ushtarak i marrëdhënieve me jashtë. Jam munduar ta sjell si një njeri në tokë, jo vetëm si Hero Kombëtar”, shprehet Paci.
ekspo-3
Ekspozita e Gjovalin Pacit do të jetë e hapur për vizitorët deri në datën 24 prill pranë sallës së ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar.

SHKARKO APP