Figura të spikatura të Beratit vlerësohen me çmime dhe tituj nderi

Në një nga mjediset e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” u zhvillua sot pasdite ceremonia e ndarjes së çmimit “Njeriu i vitit 2017” nga Bashkia e Beratit dhe e Titujve të Nderit  nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Prefekti i Qarkut, Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, deputetë, përfaqësues të klerit, punonjës të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë.

Bashkia e Beratit vlerësoi me çmimin “Njeriu i vitit 2017” dy figura të spikatura:

  1. Mimoza Sinanaj, gazetare, me motivacionin: “Për kontributin e saj si gazetare në mediat lokale dhe televizionin Top Channel, një figurë e njohur e gazetarisë dhe shoqërisë civile, e cila ka pasqyruar me profesionalizëm, vërtetësi dhe objektivitet gjithë zhvillimet, duke u kthyer në një zë të fuqishëm për opinionin publik.
  2. Oltion Dervishi, Kompania TAP, në Departamentin e Investimeve Sociale dhe Mjedisore, me motivacionin: “Për kontributin e tij në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve me cilësi të lartë, duke punuar me këmbëngulje dhe dashuri për Beratin, si një ndër ekspertët më të mirë të projekteve të zhvillimit të qytetit të Beratit”.

Presidenti i Republikës vlerësoi me Titullin e Nderit  “Gjergj  Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes, Iljaz Vrionin, një prej intelektualëve më  të shquar beratas; politikan, diplomat, patriot dhe njeriun që i bënte nder shqiptarisë kudo në botë.

Ndërsa me titullin “Për merita të veçanta civile”  Presidenti i Republikës vlerësoi  mjekun Zino Matathia; studiuesin dhe përkthyesin Çlirim Mukli;  mjekun Kozma Brisku; biznesmenin Edi Shabanaj dhe këngëtaren e muzikës qytetare beratase, Virgjini Mile.

SHKARKO APP