Fikja që la pas dritën e të qeshurave
Shuhet Fadil Hasa, mori dhe zgjodhi edhe kësaj here vdekja
Nga Albert Vataj
Pas një sëmundjeje të rëndë është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare, “Artisti i Merituar”, Fadil Hasa, njeriu modest i pretendimeve modeste që arriti të linte gjurmë kujtese dhe një emër të gjithmonshëm në artin komik dhe jo vetëm. E, bashkë me aktorin e dhjetra roleve ndalon zemra e një miku të mirë, një prindi të adhuruar dhe të atij virtuoziteti që diti të na dhuronte kaq shumë buzëqeshje. Ai do të jetojë në ëndjen tonë për të qeshur, për të qeshur me gjithë shpirt.
Fadil Hasa u lind në Krujë më 8 prill 1940. Ka kryer gjimnazin “29 Nëntori” në qytetin e Shkodërs. U aktivizua dhe u bë i njohur si aktor me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë qysh me grupin e Estrades Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970) ku edhe punonte. Talenti dhe karakteristikat dalluese si një komik, përkushtimi dhe mprehtësia e prurjes të tipave dhe karaktereve, bënë që ai të thirrej si aktor profesionist në Estraden e Durrësit. Nga viti 1970 deri në vitin 1993, kohë kur edhe do të dilte në pension. Ai pasuron galerinë e tij me role dhe tipa, personazhe dhe karaktere, të cilat rrëmbyen adhurimin e artdashëve për të mbetur në kujtesën e gjeneratave.
Veprimtarinë e tij interpretuese e shohim teksa shkëlqen me rolet në komedi, skeçe, parodi e pantomimë, dialogje dhe forma të tjera të shkurtra të estradës. Mbeten emblematike për shikuesit dhe admiruesit e tij të shumtë interpretimet, si: Latifi te “Sheqer-sheqer”, Rrema tek “Or ti i këshillit”, Hamdiu te “Mysafiri i paftuar”, Qyli (monolog) etj. Fadil Hasa, repertorin e tij si artist e pasuron edhe me rolet në kinema, ku mund të përmendim, “Zëvendësi i grave” (1987), “Trapi i vjeter” dhe “Lutje dashurie” më 2005, për të shkëlqyer në rolin e tij kryesor te “Mao Ce Dun”, më 2007 dhe “Kronikë provinciale” më 2009. E veçanta e tij është loja me “seriozitetin” e shtirur të personazheve, duke nxjerrë në pah budallallekun, naivitetin, dobësi dhe mangesi të caktuara nga karakteri. Këto falë shumë befasimeve të kendshme humoristike, që ai përdori, si dhe ndjenjës së lartë të ritmit apo përdorimit të frytshëm të kontrapunkteve.
Kishte një veprim dinamik në skenë. Ishte spontan, origjinal dhe i shpenguar. Spikaste për një përshtatje të mirë aktoriale në përjetimin e situatave ku gjenden personazhet. Rëndom, me karakterizime të imëta e me shije në mënyrën e të folurit, në gjeste e mimikë, ai ka ravijezuar me një përsosmëri të admirueshme tipa të shumtë nga shtresat të ndryshme sociale, si bujq, punëtorë krahu, familjarë, prind. Ka sjellë në skenë me aq mjeshtëri dhe origjinalitet, herë të mençurin e her budallain, herë të ngathtin e herë atë që “nuk ia ha qeni shkopin”. Të gjitha këto, duke ruajtur me natyrshmëri sensin e masës. Kjo është shfaqur si një cilësi e vyer e aktrimit të tij në aplikimin sa më të dobishëm të formave sarkastike; të farses, të burleskës, te ekzagjerimeve, te karikaturizmit, deri te “budallallepsjes” se qellimte te sjelljes se personazhit, etj..
Udha e tij në rrugën e aktorit ishte e gjatë, e suksesshme dhe frytdhënëse, nëse mund të quhet dhe të njihet edhe sot si fryt duartrokitja frenetike, admirimi i artdashësve. Jetoi një jetë modeste me shumë vështirësi si shumë personalitete, të cilët i bënë nder dhe e pasuruan artin dhe traditën e artit komik duke mos kërkuar asgjë në këmbim, as ndere as lëvdata, as kemare as llamburitje televizive. Ai ishte çfarë ne e tashmë e njohim dhe iku siç secili nga ne e ndjen në shpirt këtë ikje. Të qoftë e ndritshme udha e mashimit, Fadil Hasa.
U shprehën për mjeshtrin e humorit:
Muharrem Hoxha
“Unë e kam detyrim moral të shprehem për Fadil Hasën, sepse më ka rritur. Për mua ka qenë prind i dytë dhe më ka mbajtur afër. Kam 40 vite me të. Ai nuk e dinte që kishte sëmundje të rëndë. Sot e kisha lënë për t’u takuar me të. Jeta kështu është. Ai i përkushtoi jetën gocave pasi i vdiq e shoqja, ka qenë rreth 50 vjeç. Ishte baba shembullor. Është i pazëvendësueshëm, Fadili me humorin e tij origjinal, me batuar, personazhet. Ngushëlloj vajzat e tij, të jenë krenare për atë baba të mrekullueshëm”!
Roland Koca
“Është një lajm jashtëzakonisht i hidhur. Kur mora vesh lajmin mbeta i shokuar. Fadili hyn tek njerëzit që do kujtohet jo vetëm nga ne kolegët e tij që kemi një jetë që kemi punuar bashkë në skenë, kemi ndarë materiale të mira e të dobëta, por gjithmonë me sukses, por do të kujtohet edhe nga populli shqiptar. Ishte një aktor i jashtëzakonshëm, i batutës, i karaktereve, i humorit megjithatë kështu është jeta. Nuk të pyet. Ishte një njeri shumë i madh, por Zoti të merr. Nuk e prisja vdekjen, kohët e fundit ka qenë sëmurë, por si duket sëmundja iu zhvillua shumë shpejt dhe na vjen që iku jashtëzakonisht shumë shpejt. Por do mbetet gjithmonë një njeri shumë i mirë, një familjar shumë i mirë”!
Shpëtim Saraçi
Të qoftë i lehtë dheu shpirt i bukur artisti, që me humorin e bukur bëre të qeshin shpirtat e qindra njerëzve.Ngushëllimet më të sinqerta familjes. R.I.P Fadil Hasa.
Elton Deda
Disa njerëz lindën për të qëndruar përjetësisht pas vdekjes, i tillë ishte edhe Fadil Hasa. Ta dish mjeshtër, “nuk ka burrë none me m’vën n’gjumë, pa mor kistin e parë”! Të qoftë dheu i lehtë, aktori ynë i dashur i humorit, barseta simpatike, sheqer i përzim’ me krypë!
Besnik Bisha
Miku im. Miku i të gjithëve Fadil Hasa. U largove qetë, paqësisht për në botën e përtejme. Sikur nuk ishe ti që jetove aq vrullshëm. Sikur nuk ishe ti që na dhe aq shumë gëzim. Sikur nuk ishe ti që na bëje të qeshnim si askush. Sikur nuk ishe ti që na jepje kënaqësi kur rrinim bashkë me familjet tona me orë pafund. T’u prehtë shpirti në paqe. Do mbetesh i përjetshëm në kujtimet e mia dhe familjes sime. Ngushëlloj familjen që humbën njeriun e dashur, prindin, shokun. Oerda dhe Blerona bëhuni të forta dhe të jeni krenare për babain tuaj.
Julian Deda
Lamtumirë Fadil Hasa. Faleminderit për çdo të qeshur, për çdo sekondë kënaqësi që i dhurove spektatorit të vendit tënd. I paharruar qoftë kontributi yt. U prehsh në paqe artist!
Sonila Meço
Sa e hollë është ajo fije, që ndan të qeshurën nga trishtimi, komedinë nga drama, humorin nga dhimbja! I përulem kujt di të më bëjë për të qeshur, të më argëtojë e të më mbajë në anën tjetër të fijes, pavarësisht trishtimit, dramës e dhimbjes së vet! Faleminderit për humorin Fadil Hasa! Do të na mbajë gjallë e ty të gjallë ngahera. Të kujtofshim edhe për të mirën tonë!