Filarmonia e të rinjëve të Tiranës, shpresa e një kryeqyteti

Nga: Arben Skënderi

Mbrëmja e 11 shkurtit do të mbetet në kujtesën e të rinjve pjesëmarrës të Filarmonisë së Tiranës, në kuadër të kremtimit të 102-vjetorit të pikënisjes së Tiranës si Kryeqytet. Koncerti u realizua në Sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën sugjestionin e befasueshëm të akustikës së përmirësuar, skenografisë plot fantazi dhe publikut artdashës, ku spikati kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, z. Erion Veliaj, personalitete të kulturës, ambasadorë të akredituar në Tiranë, si dhe dëgjues të apasionuar me artin muzikor.

Si një vazhdim e, në të njëjtën kohë, si një risi e aktiviteteve kulturore të Tiranës, koncerti i Filarmonisë së Tiranës u mbështet nga Bashkia e Tiranës, e cila pati vizionin dhe besimin se procesi i nisur ishte diçka, për të cilën të gjithë duhet të besojmë se ka ardhur momenti për t’u dhënë një shans të strukturuar në një organizëm siç është Orkestra e Filarmonisë së të Rinjve të talentuar të Tiranës.

Një qytet, i cili mirëpret energjitë, pozitivitetin, kreativitetin dhe forcën e artit të të rinjve meriton më shumë, ashtu siç e meritoi dikur Tirana e fillimshekullit XX vlerësimin e përfaqësuesit të Lidhjes së Kombeve falë koncertit të Bandës Muzikore VATRA, një histori e sjellë me një natyralitet dhe finesë nga ana e kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit për publikun e koncertit të Filarmonisë së Të Rinjve të Tiranës, e në mënyrë të veçantë para trupit diplomatik prezent në sallë.

“Vallja e Zileve”, motivi që frymëzoi për krijimin e tij për orkestër harqesh kompozitorin Fatos Qerimaj, hapi siparin e këtij koncerti, i cili do të kremtonte përmes këtyre ritmeve e melodive atmosferën e gëzueshme të ceremonive të festave tiranase.

Programi i koncertit ishte i konceptuar me vepra muzikore të mirënjohura, të cilat i shtuan elemente koherence e sinergjie lojës së të rinjve anëtarë të Filarmonisë së Tiranës. Një Schubert 18-vjeçar në kohën e krijimit të simfonisë së tij të tretë i interpretuar nga të rinjtë e orkestrës nën drejtimin dhe sigurinë e garancinë e dirigjentit të mirënjohur, Jean Michel Ferran, apo vallja hyrëse e koncertit me Vallet Hungareze të Johannes Brahms krijuan edhe konture të një profesionalizmi dhe atmosfere të gëzueshme e festive. E ndërkohë, supersolisti i Operës së Parisit, Frederic Laroque, e drejtoi orkestrën e të rinjve dhe e udhëhoqi me magjinë e tingullit të violinës dhe të mjeshtërisë së tij, nga përfytyrimet vivaldiane të Koncertit “Dimri” nga vepra e famshme “4 Stinët”, në harmoninë e tingujve të Faure dhe Kreisler.

Bashkëpunimi me solistë e dirigjentë të njohur ndërkombëtarë, përvoja me artistë ndërkombëtarë, iu dha mundësinë të rinjve të Filarmonisë së Tiranës të ndërveprojnë, duke ofruar një imazh të shkollës shqiptare të interpretimit muzikor dhe arritjeve të saj, si edhe një imazh të një kryeqyteti europian, ku, po të mos njihje artistët e rinj në skenë, nuk do të kishte ndonjë mëdyshje për t’i konsideruar si të ardhur nga ndonjë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Duartrokitjet e publikut në “Standing ovation” në përfundim të koncertit ishin sa mijëra fjalë për standarde integruese europiane, aq natyrshëm të arritura nga të rinjtë e talentuar të kësaj orkestre filarmonike gjithëpërfshirëse, të cilët përçuan mesazhin përmes tingujve të tyre se janë dhe duhen konsideruar pjesë e trashëgimisë së familjes së madhe europiane.

SHKARKO APP