Filmi “Arbëria” në kinematë italiane
Historia e komunitetit të shqiptarëve arbëreshë në Itali, lidhjet e tyre të forta me origjinën, traditat e kulturën që për gati 6 shekuj i mban të bashkuar me njëri-tjetrin në jetën e tyre të zakonshme në disa qyteze të vogla në jug të Italisë, është rrëfyer në një film kinematografik me metrazh të gjatë me titullin “Arbëria”.
Filmi sapo ka mbërritur në sallat kinematografike italiane në territorin e rajonit të Kalabrisë ku është pritur mjaft mirë nga publiku.
“Arbëria” është realizuar nga skenaristja e regjisorja me origjinë kalabreze Francesca Olivieri, e cila jeton në Francë dhe është prodhuar nga shtëpia kinematografike Open Fields Production në bashkëpunim Lucana Film Commision, Calabria Film Commision, Ministria italiane e Kulturës e nga Enti Publik i shoqatës së autorëve e botuesve italianë.
Në qëndër të këtij filmi është historia e Aidës, një stiliste e suksesshme mode e cila jeton prej vitesh në një qytet metropolitan evropian. Aida me origjinë arbëreshe e lindur dhe e rritur në qytezën e vogël Shën Katerina Arbëreshe, e pozicionuar mes Calabrisë dhe rajonit të Basilicatës, pas vdekjes së babait të saj rikthehet në vendlindje.
Në një takim brezash ekskluzivisht femëror (nga e mbesa tashmë adoleshente të cilën e kishte lënë të sapolindur e deri tek halla e moshuar) Aida zbulon vetëdijen e përkatësisë së saj arbëreshe, krenarinë e harruar e përmes një udhëtimi në vendet e kujtimeve fëminore, gjen gjuhën, traditat e atmosferën e madhështisë së kulturës arbëreshe.
Roli i Aidës interpretohet nga artistja nga Roma por me origjinë kalabreze, Caterina Misasi, e njohur në interpretimin e disa filmave si “100 vitrinat”, “Një mjek në familje”, etj.
Në kastin e aktorëve merr pjesë dhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi, këngëtarja e njohur arbëreshe Anna Stratigo etj.