Filmi shqiptar në Kanë / Erenik Beqiraj prezantohet me filmin “The Van”

Filmi me metrazh të shkurtër, “The Van”,  me skenar dhe regji nga artisti i ri, Erenik Beqiraj bëri Shqipërinë pjesë të festivalit të Kanës. Filmi mban firmën e bashkëprodhimit shqiptaro-francez nën regjinë e Erenik Beqiraj. Në edicionin e rradhës së një prej festivaleve më të rëndësishëm në Europë dhe jo vetëm, filmi shqiptar u përzgjodh në mesin e 4240 filmave, duke bërë të mundur prezantimin e vendit nëpërmjet realitetit të sjellë në film.

“The Van” vendos në vëmendje të shqiptarëve dhe mbarë botës fenomenin e emigrimit; histori e vjetër, por çuditërisht po kaq reale ende sot. Synimi i artistit ka qenë të rrëfyerit të ngjarjeve në mënyrën më kreative të mundshme. Regjisori tregon  në intervistën për “SCAN MAGAZINE” se filmi trajton me shumë kujdes historinë e një 20-vjeçari shqiptar, i cili emigron për të “takuar” një tokë më të mirë. Brenda hapësirës së një furgoni rrjedh gjithë ngjarja. Brenda tij, ka histori njerëzore, që luftojnë për jetën; brenda tij do ketë humbës dhe fitues, në emër të mbijetesës.

Në Kanë do të flitet edhe një herë për Shqipërinë, për traumat e saj, pas  komunizmit, për dëshirën për të jetuar mes trajektoreve të rrezikshme. Por, çfarë e bëri të veçantë këtë film mes shumë të tjerëve? Beqiraj thekson se tematika dhe këndvështrimi mbi mënyrën sesi tregohet ngjarja kanë qenë faktorët kryesorë. Mbi të gjitha ai ndal rëndësinë tek një linjë e padiskutueshme në film e cila sjell dashurinë, si emocionin më të pastër që ekziston. Për regjisorin nuk ishte e lehtë të bashkonte në shesh-xhirim akorët, të cilët u përzgjodhën me shumë kujdes. Kasti ka shumë rëndësi për të marrë maksimumin në xhirime.

Filmi bën bashkë në shesh-xhirim aktorët: Arben Bajraktaraj, Afrim Muçaj dhe Romir Zalla, por po ashtu edhe emra të rinj në fushën e kinematografisë shqiptare. Regjisori Erenik Beqiri ka nisur të shkruajë skenare dhe të drejtojë shesh-xhirime që nga koha e studimeve, por krijimtaria e tij pas shkollës përmban në total tre filma, të gjitha të metrazhit të shkurtër. Bëhet fjalë për “Alfonso”, “Bon Appetit” dhe “The Van”.

Pas dy filmave “Alfonso” dhe  “Bon Appetit”, ju vini me një film të ri me metrazh të shkurtër “The Van” Çfarë subjekti sjell filmi “The Van?”

Synimi im është që me anë të filmave të zbuloj forma të reja për të treguar ngjarjet, duke mos ngecur në një mënyrë të vetme. Ky ishte dhe synimi për “The Van”, i cili trajton nevojën e një djali rreth të 20-ave për të emigruar ilegalisht nga Shqipëria dhe për të realizuar qëllimin e tij, ai futet në ndeshje të cilat zhvillohen brenda një furgoni. Dyert e furgonit mbyllen dhe niset në një trajektore rutinë, më pas furgoni kthehet, dyert hapen dhe nga aty mund të dali vetëm një fitues. Kjo është shtysa kryesore me të cilën personazhet veprojnë, por për mua, ajo çfarë është e rëndësishme është sakrifica që djali dhe babai i tij duhet të bëjnë për njëri tjetrin në rrethanat që gjejnë veten.

Nga 4240 filma që kanë konkurruar në Festivalin e Kanës, “The Van” ishte në mesin e 11 filmave të përzgjedhur. Kush mendoni se ka qenë pika e fortë që ka bërë filmin të veçantë, tematika, apo “loja” regjisoriale?

Besoj që tematika dhe këndvështrimi mbi mënyrën sesi tregohet ngjarja kanë qenë faktorët kryesorë. Ndeshjet që personazhi duhet të zhvillojë brenda në furgon për të siguruar paratë kanë një ndikim të fortë mbi shikuesin. Mbi të gjitha, filmi tregon dashurinë që prindërit kanë ndaj fëmijëve dhe e anasjellta. Ky është emocioni më i pastër mbi të cilin, çdo njeri në botë mund të lidhet. Gjithashtu, mendoj se kinemaja shqiptare ka munguar në këtë festival dhe kjo, besoj, sjell një lloj kureshtje mbi kinemanë shqiptare dhe atë të Europës Lindore.

Shqipëria konkurron për herë të parë në festivalin e Kanës., ku“The Van”  garon në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. Sa përgjegjësi është ky festival për ju, si regjisor?

Festivali i Kanës është një ëndërr e bërë realitet dhe synimi i çdo regjisori në botë. Për mua është një nder të shfaq filmin në një festival të tillë, por në të njëjtën kohë dhe një pergjëgjësi për filmat në vijim.

Kur nisët punën për xhirimet e filmit, a e patët menduar pjesëmarrjen në këtë festival të rëndësishëm të filmit?

Gjatë xhirimeve, fokusi kryesor ishte të merrnim maksimumin e skenave në atë moment. Është shumë e vështirë të parashikosh sesi mund të shkojë filmi. Thënë këtë, producentët francezë që kur lexuan draftin e parë të skenarit më shprehën synimin për të qenë pjesë e festivalit të Kanës. Ata besuan te projekti dhe e bënë të mundur që të realizohet pas 3 vitesh.

A do të ketë premierë të filmit edhe në Shqipëri?

Premierë zyrtare, mendoj, që do jetë gjatë festivalit të filmit në Tiranë, por po planifikojmë të bëjmë një shfaqje për miq, para festivalit.

Ekrani i kinemasë ka fuqi të jashtëzakonshme të “komunikojë” me publikun, ashtu sikundër çdo gjini e artit. A mendoni se filmi juaj do “komunikojë” me publikun shqiptar?

Duke pasur parasysh tematikën e filmit, besoj që shumë shqiptarë të moshave të ndryshme do mund të gjejnë emocionet e tyre tek personazhet. Besoj që shumica e shqiptarëve e kanë menduar të paktën një herë që të emigrojnë nga ky vend dhe ne jemi një popull me histori emigrimi. Kjo e bën filmin të afërt me atë çfarë ne kemi kaluar dhe po kalojmë. Edhe unë jam kurioz të shoh reagimin e publikut shqiptar.

Përzgjedhja e kastit është pjesë e rëndësishme e një sipërmarrjeje kinematografike. Sa e vështitrë ishte për ju që të bënit bashkë kastin që dëshironit?

Bashkimi i kastit ka qenë i vështirë, pasi gjithçka varej nga datat e xhirimeve dhe impenjimet e aktorëve, por më në fund ia dolëm në një mënyrë, apo tjetrën. Jam shumë mirënjohës ndaj aktorëve që pranuan të jenë pjesë e filmit, duke qenë që dhanë maksimumin e tyre, që në fazën përgatitore, e deri te xhirimet.

Çfarë është ngacmim për ju si regjisor, për të ndërmarrë një proces artistik, siç është ai i realizimit të një filmi? A mundet që realiteti shqiptar të ngacmojë me tematika për t’i dhënë jetë një filmi?

Mendoj që gjithçka nis nga një ndjesi personale, të cilën, me kalimin e kohës mundohesh t’i japësh një formë të caktuar; është një fazë zbulimi. Deri më tani, çdo gjë që kam bërë është e frymëzuar nga ngjarje shqiptare, të cilat jam përpjekur t’i realizoj në mënyrën më interesante për mua. Besoj që realiteti dhe tematikat përmblidhen në një grup të vogël; mënyra sesi ti ia prezanton shikuesit është ajo çfarë bën ndryshimin.

/ SCAN Magazine

SHKARKO APP