Fituesi i ”Palmës së Artë” në vilën e Hoxhës
Filmi “Distanca mes nesh dhe qiellit” i regjisorit Vasilis Kekatos, fituesit të Palmës së Artë në Festivalin e Filmit në Kanë 2019, do të prezantohet në Vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Në të njëjtën datë, më 19 gusht (20.30) regjisori do të zhvillojë edhe një bashkëbisedim për të rrëfyer eksperiencën e tij kinematografike brenda në vilën e diktatorit.
Regjisori grek përreth tetë orë ka arritur që të realizojë filmin me metrazh të shkurtër, (9 minuta). Ngjarjet në këtë realizim kinematografik zhvillohen në mbrëmje në rrugë kombëtare. Dy të huaj takohen për herë të parë në një pikë karburanti. Njëri është në pritje, ndërsa tjetri thjesht është në pritje. Pa 22.50 eurot që i duhen për t’u kthyer në shtëpi, ai do të përpiqet t’i shesë atij distancën që i ndan ata nga qielli.
Cine Tarkovsky, emërtuar sipas mjeshtrit të kinemasë Andrei Tarkovsky, vjen i organizuar nga Neritan Zinxhiria dhe Iphi Ghenie, të cilët sjellin për një natë këtë aktivitet në formën e një kinemaje nomade, duke synuar që të prezantojnë për publikun objekte të ndaluara edhe arkitekturën e sistemeve totalitare, që kanë qeverisur vendet e Ballkanit.
Festivali i Filmit në Kanë, prej 1946 prej dekadash është Festivali më i rëndësishëm në botë, i cili sjell emrat më të mëdhenj e inovatorë në industrinë e filmit. Për herë të parë Shqipëria në Kanë është prezantuar në vitin 1953 me filmin “Skënderbeu” me regji të kineastit sovjetik Sergei Yutkevich. 50 vite më vonë, Gjergj Xhuvani bëhet i pari shqiptar pjesë e kategorisë Director’s Fortnight me filmin “Parrullat”. /Shqiptarja.com/