Fjalor i ri dhe ligj për ruajtjen e Gjuhës Shqipe, akademiku: Dikur populli shqiptar analfabet, por fliste bukur, sot …
Gjuha Shqipe prej 14 vitesh nuk ka një fjalor të ri, por duket se Akademia e Shkencave të Shqipërisë do të propozojë hartimin e një fjalori të plotë në gjuhën shqipe dhe të një ligj për ruajtjen dhe zhvillimin e saj.
Ky pritet që të jetë prioritet i ASHSH në këtë vit të ri, teksa mësohet se kryetari Skënder Gjinushi do t’i propozojë qeverisë miratimin e këtij ligji që për akademikun Gjovalin Shkurtaj, duhet bërë një orë e më parë.
“Nëse s’e mbrojmë ne gjuhën shqipe, s’ka kush ta mbrojë tjetër. Në fushën e albanologjisë, Shqipëria dhe Akademia e Shkencave duhet që të jetë në avangardë. Në këtë drejtim duhet një ligj, edhe një fjalor i plotë. ASH ka bërë projekte më parë, por do t’i rishikojë dhe riprozojë, me ligj edhe me vendime të Këshillit të Ministrave për gjuhën në institucionet publike”, është shprehur Gjinushi.
Akademiku dhe gjuhëtari Shkurtaj shton se ky ligj do të preke institucionet, që shpeshherë nuk kanë as korrektor edhe as redaktor.
“Besoj se është një gjë e dëshirueshme, jo vetëm për mua, por për cilido shqiptar që do të mirën e Shqipërisë edhe ka krenari se është shqiptar. Sa mirë do të ishte që të flasim shqip, të kujdesemi për gjuhën edhe para se të themi fjalën ta mendojmë mirë. Do të dëshiroja që viti 2020 të jetë një vit i këndelljes për gjuhën shqipe. Populli shqiptar ka një pasuri fjalësh edhe shprehjesh, është një popull që ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot ka më shumë diploma edhe flitet më keq…” ka pohuar Shkurtaj.
Fjalori i fundit i Gjuhës Shqipe, me rreth 48 mijë fjalë është botuar në vitin 2006 nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.