Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”: Për një Kuvend Mbarëkombëtar të Gruas Shqiptare

Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, në një apel publik bën thirrje për organizmin e një Kuvendi Mbarëkombëtar të Gruas Intelektuale Shqiptare.
Deklarata e plotë e fondacionit:
Thirrje
Për një Kuvend Mbarëkombëtar të Gruas Intelektuale Shqiptare
Ftojmë edhe zonjat Ambasadore të akredituara në Tiranë si dhe Amabasadoret dhe Misionaret e Paqes
Politika po pengon futjen e Shqipërisë në BE
Në këtë mars, që konsiderohet muaji i gruas, Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” dhe 20 degët e tij, në po kaq shtete, me mendje dhe shpirt të shqetësuar për situatën në Shqipëri, i drejtohet me këtë thirrje gruas intelektuale shqiptare mbarëkombëtare, jashtë bindjeve politike, për t’u mbledhur brenda këtij muaji në një Kuvend Mbarëkombëtar.
Qëllimi: T´i bëjmë thirrje liderve politikë, të çtensionojnë situatën e krijuar me synimin madhor për të përmbushur ëndrrën e gjithë shqiptarëve, futjen e Shqipërisë në BE.
Me moton se “Shqipëria është edhe e jona” ju drejtohemi edhe grave politikane, që në situatën e krijuar, në vend që të përcjellin mesazhin e bashkëpunimit, të paqes e mirëkuptimit për zgjidhjen e problemeve, për uljen në tavolinë të palëve, përkundrazi, udhëheqin turmën duke përdorur gjuhën e dhunës, urrejtjes, përçarjes.
Në këtë Kuvend, të gruas intelektuale, patriote e atdhetare, që i dhimbset ky vend, kërkojmë të bëhen pjesë edhe Misionarët e paqës, si dhe zonjat Ambasadore të akredituara në Tiranë, për të ngritur zërin me forcë dhe për t’i bërë të ditur politikanëve, se Shqipëria është edhe e jona, e gjithë shqiptarëve, kudo që janë në botë dhe nuk mund të lejojmë të bëhet shesh beteje, sikurse ka ndodhur në këto vite trazicioni, ku ka pasur edhe humbje të mëdha njerëzore.
Ftojmë edhe shoqatat e grave, që janë të pavarura nga politika, për të qënë me ne në këtë tubim, të bëhemi zë i fortë dhe t´u drejtojmë këtë thirrje politikanëve duke kërkuar prej tyre, të gjejnë gjuhën e përbashkët për Shqipërinë tonë dhe të fëmijëve tanë.
Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar
“Nermin Vlora Falaschi”

SHKARKO APP