Foto Stamo, intelektuali që i shërbeu me devocion Atdheut dhe Kulturës Kombëtare

Nga Fitim Çaushi – 

Artisti i Popullit Foto Stamo, ka lindur në Janar 1914 në Erind, Gjirokastër, në fshatin ku lindën Heronjtë e Popullit: MistoMame, MihalDuri dhe komunisti i orëve të para, dëshmori Lato Braho. Foto Stamo shkollën filloren e ka bërë në Athinë te vëllai i tij, i cili punonte në një ambasadë europiane, por për shkak të ndjenjave të theksuara patriotike, me një notë qeveritare e përzunë nga shkolla. Kjo e detyroi djalin e ri lunxhot, të kthehet në Tiranë dhe të vazhdojë shkollën e vizatimit, çelur nga piktori AndreaKushi, në bashkëpunim me një artist italian. Mbaron shkëlqyeshëm studimet dhe me ndërmjetësinë e QazimMulletit (shtëpia e të cilit ishte baza më sekrete e Enver Hoxhës) punonjës i Ministrinë së Arsimit në atë kohë, i lidhet një gjysmë burse për të vazhduar studimet në Romë.Aktivizohet me lëvizjen komuniste italiane përmes shokut të tij SandroPertinit,  i cili më vonë zgjidhet President i Italisë. Në vitin 1939 u çel ekspozita e arteve figurative me pjesëmarrjen e të gjithë studentëve dhe pedagogeve të Akademisë së Arteve. Juria i akordon çmimin e parë Foto Stamos, por Duçja reagon: ”Jo shqiptarit çmimin e parë!”.

I dhanë çmimin e dytë, të cilin e  kishte marrë shoku i vet RenatoKutuzo, pedagog asistent, dy vjet më i madh se Foto dhe më vonë zgjidhet anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Italiane, piktor me format botëror. Prof. Foto, i vetmi nga piktorët shqiptarë që studionin në Itali, kthehet në atdhe për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi italian. Me ndërhyrjen e miqve të tij, u emërua profesor në Liceun e Korçës dhe e vendosën në një dhomë me TheofanPopën, studiuesin e ikonave shqiptare, i cili  kishte mbaruar për teologji.Me thirrjen e MihalDurit, me të cilin ishin aktivizuar në lëvizjen komuniste qysh në Itali, kur Mihali studionte për specialist shtypshkronje, kthehet në Tiranë dhe aktivizohet në grupet guerilje nën drejtimin e Sekretarit të Komitetit Qarkor të qytetit të Tiranës, GogoNushit. Guximi, vendosmëria dhe shpirti i aksionit, ra në sy të autoriteteve fashiste. Pas aksionit të prerjes së telave, në korrik 1942, arrestohet. E lirojnë për mungesë provash. Pas disa ditësh, në mbrëmje, shkon në shtëpi dhe gjen nën derë pusullën: ”Mëngjesi mos të të gjej në Tiranë, dorzou urgjentisht në Pezë!”.

Në çetën e Pezës brumoset me aftësitë organizative, ideologjike e politike dhe prej andej emërohet nga Enver Hoxha komisar i Çetës Plakë në zonën e  Gor-Oparit, ku komandant ishte Riza Kodheli. Më vonë emërohet zv.komisar i brigadës së XX sulmuese me  komisar Mistro Treskën. Gjatë luftës tregoi aftësi organizative, aftësi politiko-ideologjike dhe trimërore, duke frymëzuar partizanët me shembullin e tij personal.Pas çlirimit, emërohet Ministri parë i Kulturës, dhe më vonë Presidenti i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. E shkarkojnë për një incident që nuk u verifikua kurrë: gjatë inaugurimit të monumentit të Stalinit në Kuçovë, ku mori pjesë edhe Enver Hoxha, shtatores i bie krahu. Në vitin 1952 emërohet drejtor i Liceut Artistik “JordanMisja”, më vonë caktohet me shumë funksione të rëndësishme në fushën e artit dhe kulturës. Ka përfaqësuar vendin në disa aktivitete ndërkombëtare, duke përfaqësuar denjësisht kulturën dhe artin shqiptar.

Ka marrë pjesë si kryetar i delegacionit shqiptar në Kongresin e Paqes, në Broslav të Polonisë. Zholio Kyri, i biri i fizikantëve të famshëm francezë, Pjerr e Maria Kyri, i vendosi në gjoks dekoratën e Paqes, Pëllumbin e Bardh të Pikasos, si i vetmi piktor në të gjithë Evropën që ka marrë pjesë me armë në dorë në luftën kundër agresionit fashist. Pikaso, anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Franceze, i flet Foto Stamos, me admirim, një gjysmë ore për Shqipërinë: “Një vend me pasuri të madhe kulturore të trashëguar nga lashtësia. Kjo flet për një popull artist, që ndonëse nën pushtime të huaja, diti të ushqehej nga gjiri i nënës së tij”.

 

Sipas kujtimeve të prof. Fotos, kryetari i delegacionit Italian, RenatoKotuzo, piktor me famë botërore, shoku dhe miku i ngushtë i Artistit të Popullit Foto Stamos, anëtar i Byrosë Politike së Partisë Komuniste Italiane, i shkon në një orë të vonë të natës në rezidencën ku ishin vendosur dhe i thotë: “Më kanë kërcënuar neofashistët, më kanë thënë të mos i zë në gojë në fjalimin tim në kongres, si të veproj”? Kjo e befasoi ish ilegalin sypatrembur Foto Stamon dhe i përgjigjet: “A je komunist? S’ke për të hequr asnjë fjalë nga ajo që ke përgatitur, rri me ne, nuk të gjen asnjë e keqe”. Në vitin 1970 Shqipëria po provonte një bllokadë të egër, në marrëdhëniet diplomatike me Italinë, ishte krijuar një ngecje. Enver Hoxha e ngarkon prof. Foton me detyrë të shkojë në Itali për të lidhur një konventë kulturore: “Foto, shko takoi shokët e vjetër që tani janë me reputacion në opinionin intelektual të Italisë, të influencojnë për të realizuar këtë marrëveshje, se po na izolojnë”. Detyra ishte e rëndësishme dhe përgjegjësia ishte e madh, si do të kthehej nga Italia? Çdo t’i thoshte Enver Hoxhës? Në Itali prof. Foto takon SandroPertinin dhe shokë të tjerë të fushës së artit për të influencuar sadopak në opinion zyrtar që marrëveshja të ishte sa më e larmishme dhe e shpejtë. Zyrtarisht takon edhe zv/ministrin e Kulturës dhe Arteve të Italisë shoqëruar nga tre senatorë. Zv/ ministri Italian u hodh në sulm: “Shqipëria është një shtet që nuk interesohet për miqësinë midis dy popujve, nuk  ka organizuar veprimtari që promovojnë kulturën italiane”. Foto Stamo sikur priste pikërisht këtë ngacmim, u lehtësua nga pesha e madhe e detyrës së rëndë. Ashtu i qetë, sikundër ishte natyra e tij humane dhe e përmbajtur, i renditi një sërë veprimtarish kulturorë të organizuara në Tiranë për kulturën italiane : Simpoziumi për Shpalljen e Republikës Italiane, Përvjetorin e Garibaldit, përkthimet nga literatura italiane, operat italiane në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë etj. Pala italiane u detyrua të tërhiqet nga pretendimet absurde të saj dhe i premtuan të dërguarit të Shtetit Shqiptar një sërë veprimtarish kulturore për Javën Shqiptare në Romë.Si Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Foto Stamo ka dhënë kontribut të shquar në ngritjen e sektorit të Arteve Figurative, duke organizuar një sërë veprimtarish kombëtare e lokale përmes ekspozitave të artit figurativ. Me shumë dashamirësi prof. Foto Stamo ka ndihmuar vazhdimisht artistët, veçanërisht artistët e rinj, në krijimtarinë e tyre me brendi të shëndoshë dhe nivel të lartë artistik. Së bashku me ta, ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të artit figurativ. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Artit  janë ruajtur 125 punime të Artistit të Popullit Foto Stamo. Studiuesit e huaj, që janë njohur me këto punime, i kanë vlerësuar shumë për ngrohtësinë e ngjyrave, vizatimin elegant, thjeshtësinë e formave pa prirje gjestikokacionesh të ekzagjeruar.

Tema e tij e preferuar ishte fshatarësia kooperativiste dhe klasa punëtore, historia dhe kantieret e ndërtimit. Gjinitë më të preferuara ishin peizazhet dhe portretet. Në punimet e tij ka bukuri e poezi të jetës dhe të natyrës, të dhëna me mjeshtëri e qartësi. Foto ka qenë piktor me shtrirje të gjerë tematike, në punimet e tij ai ka sjellë vlera të larta ideoemocionale artistike e njohëse. Përmes motiveve të larmishme piktori shpreh burim të pashtershëm frymëzimi. Karakteristika dalluese e punimeve të Foto Stamos është këndvështrimi i veçantë dhe interpretimi i dukurive të jetës si rrjedhojë e njohjes së gjallë dhe ndjekjes nga afër të saj. Bukurinë e peizazhit autori e jep me një frymë epiko-lirike, me hapësirë e dritë, shquhet për linja të shkathëta dhe vërtetësinë e pasqyrimit si dhe mjeshtërinë e vizatimit. Foto me bukuri të veçantë ka pasqyruar madhështinë e historisë dhe punën ndërtimtare të popullit nëpër vepra të ndryshme të 5-vjeçarëve. Në vitin 1985 Foto Stamo boton albumin me 80 vizatime grafike, fryt i një pune shumëvjeçare, e cila e prezantonte si vëzhgues i pasionuar i natyrës dhe kërkues i përhershëm. Vizatimet e këtij albumi dallohen për motivet karakteristike të trajtuara me ngrohtësi e lirizëm. Ato ishin punuar plot dritë transparente e freski, shprehnin qartë qëndrimin aktiv të autorit ndaj natyrës, historisë dhe jetës, botës shpirtërore të njeriut dhe atmosferën e kantiereve të punës. Punimet e Fotos shquhen për kontrastet e lehta, dritën e plotë dhe thellësinë. Thekset delikate e të ndjeshme herë-herë kalojnë në tone grafike te lehta.  Një veçori dalluese e autorit ishte përdorimi i një gjuhe artistike e stili vetjak të kristalizuar me kulturë artistike.  Prof. Foto Stamo, është konsideruar si njeriu që ka mbajtur ekuilibrin në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me përkushtimin dhe organizimin e tij operativ dhe tepër njerëzor, ka ndihmuar shumë përparimin e artit shqiptar. Nuk ishte sektar, ka shkuar mirë me kolegët, nuk krijonte konflikte me shokët, kishte një vetëpërmbajtjeshembullore, përfaqësues tipik i prototipit të krahinës së Lunxhërisë.Është vlerësuar dhe dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me titullin e lartë Artist i Popullit.

Gazeta Dita

SHKARKO APP