Fotografi e rrallë: Bekim Fehmiu në shtëpinë e familjes së Bajram Currit
Me 24 korrik kalova ditën në Shkodër dhe veç qejfeve tjera i bëra një vizitë (tjetër) Muzeut Nacional të Fotografisë Marubi, ku përpos ekspozitës së përhershme, nga 20 qershori po qëndron e hapur edhe ekspozita e fotografit shkodran Angjelin Nenshati (1929-2008), “Nenshati – dëshmitar mes dy kohëve”, e cila përmban në vete kryesisht fotografi dokumentuese të jetës kulturore nën ombrellën socrealiste si dhe disa sosh nga fillimet e demokracisë shqiptare (1990/1991) ku mund të veçohen 3-4 kompozicione fotografike me përmbajtje religjioze të cilat mund të konsiderohen si të vetmet fotografi estetikisht të qëndrueshme dhe me vlera të theksuara artistike.
Nga pjesa tjetër e fotografive të “zakonshme” bie në sy njëra që mund të konsiderohet me interes edhe për publikun kosovar. Fotografia me numrin rendor 7, në fletushkën e legjendave të ekspozitës ka këtë përshkrim: “7. Vizitë e Bekim Fehmiut në familjen e Bajram Currit, 1972”.
Në vitin 1972, nga data 20 prill deri me 4 maj, aktori ynë i madh Bekim Fehmiu po qëndronte për vizitë në Shqipëri, me ftesën e bërë nga Kino Studio “Shqipëria e Re”. Për dy javë resht aktori kosovar me famë botërore u mirëprit nga shumë institucione kulturore dhe individë të jetës kulturore në Shqipëri duke ndarë me të gjithë përshtypjet e tij për artin dhe kulturën shqiptare. Gjatë kësaj vizite historike Bekim Fehmiu veç Tiranës vizitoi edhe Gjirokastrën, Butrintin, Krujën dhe Shkodrën e fëmijërisë së tij, ku sipas rrëfimeve të vet aktorit, kishte përjetuar edhe dashurinë e parë jetësore. Në Shkodër ai duhej të përmbushte edhe një amanet nga nana e tij: ta vizitonte Dervishe Hanmin, gruan e patriotit Bajram Curri.
Fotografia e shkrepur nga Angjelin Nenshati ku shifet Bekim Fehmiu duke i shtrenguar dorën bashkëshortes së heroit Bajram Curri është realizuar me 29 ose 30 prill të vitit 1972 dhe nuk është publikuar ndonjëherë në mediat e Kosovës. Në fotografi, në krahun e majtë të aktorit kosovar shihet vajza e Bajram Currit, Hajria, si dhe anëtarë tjerë të familjes së ngushtë. Në qendër të pjesës së epërme të këtij kompozicioni fotografik zënë vend portreti në kornizë i diktatorit shqiptar, Enver Hoxha.