Fotografia e Skënderbeut në zyrën e Ernesto Sabatos
Një fotografi e Skënderbeut vazhdon të qëndrojë ende në studion ku Ernesto Sabato hidhte në letër letërsinë e tij. Shkrimtari i madh argjentinas nuk e harroi asnjëherë historinë shqiptare të nënës së tij, të cilën e ka treguar gjatë një interviste me shkrimtarin Luan Rama. Bri makinës së shkrimit dhe dritares nga ku hyn drita duket portreti i heroit tonë kombëtar.
Kjo foto shihet nga të gjithë ata që e duan letërsinë e Sabatos, e duan të dinë më shumë mbi jetën e tij. Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markez, Asturias dhe Kortazarit. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë ese mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tri ishin romanet e vetme të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”,” Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhura me çaste të rëndësishme të jetës së tij.
Ai lindi më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij. I ati, ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej Don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë, emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860 kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas. Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos-Aires.
Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai merr një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë. Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945 botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos-Aires.
Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare. Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe eseshë, botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare. Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Engjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas, si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare.
Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes”, në Spanjë, “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Izrael etj. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës.
Ja si shprehej ai në një bisedë kohë më parë:
“Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Evropës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar ‘princ të Krishterimit’.
Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito). Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme. Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco.
Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas, ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez. Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja ‘mama’, dhe ta shoh patjetër atë fshat.
Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari (ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë.
Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90 për qind e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë”.