Fotot e Gjon Milit për Pablo Casals
Nga Kristaq BALLI –
45 vjet më parë, më 1973, pas një jete e krijimtarie të gjatë do të ndahej përgjithmonë muzikanti gjenial Pablo Casals (1876-1973) – violinçelist, dirigjent dhe kompozitor nga Katalonia e Spanjës. Shpesh atij i atribuohet epiteti i violinçelistit të shquar të gjysmës së parë të shek. XX dhe një nga violinçelistët më të mëdhenj të të gjitha kohrave.
Mësimet e para për muzikë i mori nga i ati (një organist dhe kormaestro) që në moshë shumë të vogël, duke luajtur në disa vegla muzikore, por në moshën 11 vjeç, ai vendosi t’I përkushtohej violinçelit. Kështu, ai iu fut një studimi të specializuar dhe i kompletoi ato në disa shkolla muzikore në Spanjë, veçmas në Barcelonë e Madrid. Në moshën 14 vjeçare dha koncertin e parë recital në Barcelonë me 6 suitat e Bahut për violinçelë. Më 1897 ai zë vendin e solostit në Orkestrën Simfonike të Madridit dhe mori çmimin Order of Carlos III (Urdhërin e Karlos III) nga mbretëresha.
Aktiviteti instrumental dhe dirigjues kombëtar dhe ndërkombëtar i Casals është shumë i gjatë, por së pari shumë i suksesshëm, sidomos pas vitit 1899, kur ai luajti në Crystal Palace, Londër, pastaj për Mbretëreshën Victoria, i shoqëruar nga Ernest Walker, në koncertet Lamoureux, Paris, në turnetë në Spanjë dhe Holandë me pianistin Harold Bauer, 1900-01, në turneun e parë në ShBA, 1901-02 dhe në turneun e Amerikës së Jugut,1903. Më15 Janar 1904 u ftua të luajë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin Rusvelt, më pas debutoi në Carnegie Hall, Nju Jork me Don Kishotin e Riçard Shtraus, në Festivalin Muzikor të Londrës në Hollin e Mbretëreshës, 1911. Ai është organizator dhe drejtor i disa formacioneve të vogla instrumentale, si Pau Casals Orchestra, me artistë të njohur.
Pablo Casals ishte mbështetës i qeverisë republikane spanjolle dhe kundërshtar i vendosur i regjimit të Frankos, për shkak të të cilit ai u zhvendos nga Spanja në ekzil, për të mos u kthyer deri sa të rrëzohej diktatura. Me këtë rast ai zgjodhi të banojë në fshatin franko-katalan Prade de Conflent në Francë, pranë kufirit me Spanjën. Madje, vendosi që të refuzojë çdo ftesë koncerti edhe nga të gjitha vendet që e njihnin shtetin totalitar spanjoll të Fransisko Frankos. Përjashtim bëri vetëm koncerti në Shtëpinë Bardhë me koncertin e muzikës së dhomës,1961 me ftesën e presidentit Xhon Kenedi të cilin e admironte, madje Kenedi i akordoi edhe Medaljen Presidenciale të Lirisë të SHBA.
Në Prade, nga viti 1950 ai rifilloi karierën si dirigjent dhe instrumentist në Festivalin e Prades, organizuar për kujtim të dyqindvjetorit të vdekjes së Johan Sebastian Bah-ut.
Në vitin 1955 ai udhëton në Porto Riko për të inauguruar festivalin vjetor “Casals”. Gjithashtu, pasi vendos së bashku me gruan e tij, 60 vjet më të re, Marta Montanez Martinez, të jetonin aty, ai dha një kontribut të veçantë në skenën e muzikës portorikane duke themeluar Orkestrën Simfonike të Porto Rikos më1958 dhe të Konservatorit të Muzikës të Portorikos, 1959.
Si kompozitor ai krijon disa vepra për ansamble violash, një oratorio, etj. të cilat u interpretuan në skena të ndryshme të botës. Një nga kompozimet e tij të fundit ishte “Hymn of the United Nations” (Himni i Kombeve të Bashkuara), të cilin e dirigjoi në Kombet e Bashkuara në vitin 1971, kur ai ishte 95 vjeç, me çrast sekretari I OKB-së, U Thant i akordoi Medaljen e Paqes të OKB dhe ku ai mbajti fjalimin e tij të famshëm “I Am a Catalan” (Unë Jam një Katalanas). I fundit concert që ai dirigjoi ishte ai me Orkestrën Simfoniket të Jeruzalemit, në vitin 1973.
Vepra më e madhe kompozicionale e Casals ishte “El Pessebre” (Grazhdi), një oratorio 2 orëshe që ai e kishte filluar në vitin1943, si kundërshim ndaj izolimit të okupimit nazist.
Kujtimet e Casals u botuan nga Albert E. Kahn nën titullin “Joys and Sorrows: Casals, His Own Story” (Gëzimet dhe Brengat: Casals, Historia e Tij), 1970. Në Porto Rico, çdo vit mbahet festivali Casals, ndërkaq në Gjermani, çdo katër vjet Konkursi Ndërkombëtar i Violinçelës “Pablo Casals” nën patronazhin e Marta Casals Istomin, për të promovuar violinçelistët e karierës. Disa holle, shkolla e institucione përqark botës mbajnë emrin e këtij instrumentisti e dirigjenti të famshëm. Regjistrime të pafundme diskografike e digjitale janë publikuar me krijimtarinë e tij interpretuese e dirigjuese. Casals konsiderhet si muzikanti që rilindi violinçelin dhe kompozitorin e madh Johan Sebastian Bah.
Ai ndërroi jetë në vitin 1973, në Porto Rico, në moshën 96 vjeçare dhe u varros po aty. Më 1979, eshtrat e tij u rivarrosën në qytetin e tij El Vendrell të Katalonias dhe më 1989 ai u nderua (pas vdekjes) me “Grammy Lifetime Achievement Award” (Çmimin Grammy për Arritje në Jetë).
Midis citimeve të pafundme, Casals ka thënë: “Unë jam,ndoshta, muzikanti më i vjetër në botë. Jam i moshuar, por në shumë kuptime edhe një njeri shumë i ri. Dhe kjo është ajo që unë dua për ju, të jeni të rinj, të rinj gjithë jetën tuaj dhe të thoni gjëra që janë të vërteta.”
Miqësia e Gjon Milit me Pablo Casals ishte e gjatë, thuajse 20 vjeçare. Ai ka patur shansin për t’iu gjendur muzikantit në shumë ngjarje të jetës dhe karierës së tij muzikore dhe ka realizuar për të qindra foto nga më të ndryshmet me një inspirim të veçantë shpirtëror e artistik, ashtu si ishte edhe kontributi madhor i instrumentistit dhe dirigjentit legjendar Casals. Gjon Mili ka përshkruar me shumë sinqeritet e ngrohtësi nëpërmjet shkrimit dhe pamjeve fotografike disa prej momenteve që ka përjetuar nga takimet me të: “Gjatë verës së vitit 1949 takova Aleksandër (Sasha) Schneider për të bërë një vizitë në shtëpinë e Pablo Casals, në mërgim në Prade të Francës jugore… Casals ishte në gjendje të shkëlqyer fizike dhe fuqitë e tij interpretuese ishin të pashterëshme, pavarësisht 72 viteve të tij dhe një dekade të vetëizolimit si protestë kundër regjimit të Francisko Franko-s në Spanjën e atdheut të tij nativ. Duke u ushtruar vetë, duke luajur muzikë dhome (vizitorët ishin të rrallë), duke mësuar ndonjë student – këto ishin aktivitetet e pakta të ekzistencës muzikore.
Ngjarjet politike që pasuan Luftën II Botërore as nuk e zbehën botkuptimin moral as nuk e dobësuan zotimin e tij të mospjesëmarrjes. Ai i trembej mungesës së mbështetjes për bindjet e tij politike dhe, për më tepër, ndjehej i demoralizuar mbi parashikimin e kohës së ekzilit. Në gjendjen e tij të vështirë ai mund t’i besonte René Puig, mjekut dhe mikut të tij personal: ’Unë dëshiroj të luaj violinçelë,’ dhe shpesh shtonte: ‘J’ai joué la carte que m’annulle.’ (Druaj se mos humbas duart).
Alexander Schneider kishte shkuar tek Casals si një student më1947 dhe ishte kthyer për t’u bërë një dishepull, një mik i devotshëm dhe, përfundimisht, në mënyrë të papritur, një mirëbërës, një shpëtimtar…” (Gjon Mili, Photographs & Recollection”, f. 124 )
Dëshira, por edhe dilema e Casals ishte të celebronte botërisht Dyqindvjetorin e Vdekjes së kompozitorit Johan Sebastian Bah. Dhe do të ishte Schneider, një entusiast i palodhur, i cili e zgjidhi situatën. Nqs Casals nuk mund të shkonte në botë, bota do të vinte tek Casals. Schneider ia mbushi mendjen atij, se përderisa ai kishte arësye dhe një kauzë të lartë humane e artistike për t’i bërë homazh Bahut, miqtë dhe kolegët e Casals mund të mblidheshin dhe të luanin muzikë në kishën e qytetit. Dhe kështu u bë realitet një ëndërr që pas një viti do të bëhej e njohur si “Mrekullia e Prades” dhe “Festivali i Shekullit.” Qyteti priti muzikantët, pastaj pelegrinët, artdashësit dhe atmosfera e qytetit të zymtë u shndrrua në një ndriçim të gjallë që thuajse e transformoi mjedisin e tij shoqëror e shpirtëror si kurrë ndonjëherë tjetër. Muzika u bë shoqëruesja kryesore e ditëve e netëve, por sidomos brenda kishës, ku zhvillohej festivali e ku përkundër dëshirës për duartrokitje të gjata e të përsëritura, në kishë ishte i ndaluar ky regull
“Ishte, gjithashtu, një seri e gjatë netësh të bardha, të mbushura me diskutime marramendëse, këngë dhe argëtim. Dhe në finalen e madhe, kur kumboi edhe akordi i fundit i koncertit në D-minor për dy violina dhe Eminenca e Tij, peshkopi i Pergnan qëndroi me krahët e ngritur, i befasuar nga gjëmimi i duartrokitjeve të papërmbajtura, pranoi thyerrjen e rregullit frustues të mjedisit kishtar…Ky nuk ishte si ndonjë festival tjetër muzikor. Ky ishte më shumë si një ringjallje fetare, një pelegrinazh për t’iu bërë thirrje fuqive shëruese të një shenjtori…”(Po aty.f. 128 )
Me nota shumë entusiaste dhe të ngrohta emocioale Gjon Mili përshkruan, gjithashtu, atmosferën festive pas koncertit, në një klub të zbukuruar enkas për këtë ngjarje, ku ceremonia zgjati shumë orë pas mesnate. Dhe në një çast nga këta, “…Casals u ngrit …pastaj, pasi nguli sytë në fytyrën e Schneider-it…, deklaroi: ‘Ishte Sasha, i cili e theu heshtjen time.’ Meqë festuesit qëndronin të fiksuar si dëshmitarë në rrëfimin e jashtzakonshëm të Casals, Schneider u ndje i mallëngjyer dhe i shokuar nga fjalët e mjeshtrit për të.” (Po aty, p.128)
Shumë vite më vonë, më 1966, gjatë një vere të mrekullueshme, kur Gjon Mili e kishte ndjekur Casals në turnetë e festivaleve të tij, fillimisht në Marlboro, Vermont, pastaj në Prade të Francës, në Athinë me performancën e oratorios të kompozuar nga vetë ai, “El Pesebre” dhe së fundi në San Juan të Porto Rico-s, ku ai ngriti shtëpinë e vet, ai e takoi përsëri atë për revistën “LIFE” me rastin e 90 Vjetorit të tij… “Ishte mesi i Tetorit dhe u ktheva në Nju Jork nga vizita me Casals në San Juan. Pasi lashë takëmet e mia në studio nxitova në laboratorin e LIFE me tundim e etje për një natë të gjatë pune laboratorike. Kisha harxhuar plot 20 kaseta filmash për të pasqyruar një ditë me Casalsn në privatësinë e shtëpisë së tij pranë detit. Të nesërmen, herët në mëngjes, u ktheva në laborator për të gjetur një vandak me foto-provash për t’i parë. Ishte një bollëk zgjedhjesh. Menjëherë fillova të printoj pa pushim, gjithë ditën, edhe në mbrëmje. Pastaj, drejt e në shtëpi, duke kënduar edhe pse shumë i lodhur…” (Gjon Mili Photographs & Recollection, p.136)