Fotot e papërsëritshme të Marubit në Milano

170 fotografi të përzgjedhura prej autorëve më të njohur të trashëgimisë fotografike të Muzeut Marubi në Shkodër, do të ekspozohen në ekspozitën “Rituali fotografik”, në Trienalen e Milanos.

Kryeministri Edi Rama shprehet se ky kolazh fotosh do të ekspozohet në Milano, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut.

“Mirëmëngjes dhe me këtë kolazh fotosh të papërsëritshme nga Ekspozita ‘Rituali Fotografik i Marubit’ që çelet nesër në Trienalen e Milanos, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, ju uroj një ditë të mbarë”, thotë Rama.

E iniciuar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë, ekspozita organizohet nga Muzeu Marubi në kuadër të kalendarit të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në ambientet e La Triennale di Milano, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, në bashkëpunim me MuFoCo, Museo di Fotografia Contemporanea.

Mes të përditshmes dhe ritualit, imazhet e ekspozitës “Arkiva Marubi. Rituali fotografik e kuruar nga Zef Paci, ruajnë kujtesën e mbi një shekulli jetë. Bëhet fjalë për trashëgiminë fotografike të Muzeut Marubi në Shkodër, i pari muze fotografie, i cili në datat 16 nëntor deri më 9 dhjetor 2018, paraqet në Triennale di Milano, ekspozitën e tij të parë në bashkëpunim me Museo di Fotografia Contemporanea dhe La Triennale.

Për këtë ekspozitë janë përzgjedhur rreth 170 fotografi prej autorëve më të njohur të koleksionit. Imazhet e shfaqura janë shkëputur prej vazhdës së formuar nga fotografët, të yjëzuar prej shkrepjeve të tyre e të shkëputura prej vetë vazhdës së jetës.

Bashkësia e këtyre gjurmëve dhe fragmenteve të jetës të shkëputura nga fluksi i përditshmërisë, ndërton një narracion përmes fotografisë, një rrugëtim përmes vendeve, fytyrave, marrëdhënieve njerëzore që hetojnë ritet e kalimit që në shekuj u fiksuan nga rituali fotografik.

Fotografia si ritual na ka lejuar të gjurmojmë komunitetin e historitë e tij të shumta me dëshirat për t’i dhënë publikut shijen e një realiteti shumëformësh e eklektik.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/575864279539282/?t=0

/m.m/ /a.g/

SHKARKO APP