Fridrih Niçe: Të çlirosh shpirtin nga mëria trazimi dhe hakmarrja, është hapi i parë drejt shërimit
SOT NE DITELINDJEN E FILOZOFIT
Albert Vataj
Si ai që nuk jetoi dot kurrë mes njerëzve të ngjashëm me të dhe për të cilin koncepti i “shpagimit” ishte po aq i pamjaftueshëm sa dhe ai i “barazisë së të drejtave”, kur ndaj meje ndërmerrej ndonjë çmenduri e vogël apo dhe shumë e madhe, unë ia ndaloja vetes çdo lloj hakmarrjeje dhe mbrojtjeje dhe siç është e drejtë, çdo justifikim. Mënyra ime e hakmarrjes konsiston në atë që betejën time të budallallëkut e ndjek sa më shpejt të jetë e mundur nga një copë zgjuarsie; kështu ndoshta zhdëmtohesh. Duke folur figurshëm: ha një vazo me marmelatë për tu çliruar nga një histori e athët…
Nëse më bëhet ndonjë e keqe unë ” hakmerrem”, të jeni të sigurt se e gjej shpejt rastin për t’i shprehur mirënjohjen “keqbërësit”, ose për t’ju lutur për ndonjë favor, gjë kjo që ngjit më shumë sesa dhënia e diçkaje… Më duket se edhe fjala më trashanike, letra më trashanike është më dashamirëse dhe e ndershme sesa heshtja. Atyre që heshtin u mungon pothuajse gjithë finesa dhe dashamirësia e zemrës; heshtja është një vërejtje, gëlltitja është shenja që tregon patjetër një karakter të keq, të shkatërron madje edhe stomakun.
Të gjithë ata që heshtin janë dispeptikë ( kanë stomak të dobët dhe e tresin keq ushqimin).
Siç shihet, unë nuk do të doja ta zhvleftësoja trashamanësinë, ajo është pa krahasim forma më e hidhur e kundërshtimit dhe në mes të kësaj squlljeje moderne, një nga virtytet tona kryesore. nëse je mjaft i pasur, është fat të bësh ndonjëherë gabim. Një zot që do të zbriste mbi tokë nuk duhej të bënte agjë tjetër veçse padrejtësi; të marrësh mbi vete jo ndëshkimin por fajin- kjo është një gjë me të vërtetë hyjnore.
Për çlirimin nga mëria, për vizionin e qartë të mërisë- kush e di se kur duhet t’i jem edhe për këtë mirënjohës sëmundjes sime të gjatë! Problemi nuk është aspak i thjeshtë: duhet të kesh eksperimentuar me të duke u nisur nga forca por edhe nga dobësia. Nëse ndonjë gjë mund të jetë bërë në përgjithësi për të vlejtur kundër gjendjes së sëmundjes dhe të dobësisë, është kjo arsyeja që, në atë gjëndje, instikti i vërtetë i shërimit, ose instinkti i mbrojtjes dhe armëve tek njeriu flashket. Nuk di të heqësh qafe asgje, nuk di t’ia dalësh në krye asgjëje, nuk di të hedhësh poshtë nga vetja asgjë. Gjithshka të plagos. Njerëz e sende të afrohen në mënyrë të bezdisshme, ngjarjet të godasin mjaft thellë, kujtimet janë një plagë e qelbëzuar. Të jesh sëmurë është një formë mërie.
Kundër kësaj i sëmuri ka vetëm një ilaç të madh- unë e quaj fatalizmi rus, ai fatalizmi pa revoltë me të cilin një ushtar rus, për të cilin ekspedita ushtarake është tepër e vështirë, shtrihet më në fund për të fjetur mbi dëborë. Të mos marrësh më asgjë, të mos presësh më asgjë brenda vetes, në thelb të mos reagosh më… arsyeja e madhe e këtij fatalizmi që ndonjëherë është vetëm guximi për të vdekur, por që në rrethanat më të rrezikshme mund të funksionojë si ruajtje e vetes, është ulja e aktivitetit të funksioneve jetësore, ngadalësimi i tij, një lloj gjumi dimëror. Vetëm pak hapa përtej kësaj logjike dhe shndërrohesh në një fakir që fle për javë të tëra brenda një varri…
Ngaqë konsumohesh shumë shpejt nëse në përgjithësi reagon, atëhere së shpejti nuk do të reagosh më, kjo është logjika. Dhe me asgjë nuk konsumohesh aq shpejt sa me pasionet e mërisë. Inati, sedra e sëmurë, pafuqia për tu hakmarrë, etja dhe shija e hakmarrjes, helmimi në çdo kuptim, kjo është për të rraskapiturit mënyra më e dëmshme e reagimit. Rrjedhoja është një humbje force nervore, një shtim sëmundjeprurës sekrecionesh të dëmshme, për shembull derdhjet e tëmthit në stomak. Për të sëmurin, mëria është gjëja e ndaluar në vetvete, është e keqja e tij; por mjerisht dhe prirja e tij natyrale. Kjo u kuptua në mënyrën më të përsosur nga ai fiziologu i thellë, Buda. ” Feja” e tij, e cila më mirë mund të cilësohet si një higjienë për të mos e ngatërruar me gjëra aq tepër të mjerueshme sa krishtërimi, konsistonte në atë që veprimi i saj të varej nga ngjadhënjimi mbi mërinë:
” Armiqësia nuk merr fund me armiqësi, armiqësia merr fund me miqësi”- kjo qëndron në themel të mësimeve të Budës. Kështu nuk flet morali por fiziologjia. Mëria e lindur nga dobësia, për asnjë nuk është më shumë e dëmshme sesa për vetë të dobëtin. Nga ana tjetër, për atë që supozojmë se ka një natyrë të pasur, ajo është një ndjenjë e tepërt, dominimi ndaj së cilës është po thuaj prova e pasurisë. Kush e njeh seriozitetin me të cilin filozofia ime ka luftuar kundër ndjenjave të hakmarrjes dhe mërisë, duke i ndjekur deri në sulmin ndaj doktrinës së ” gjykatësit të lirë”, do ta kuptojë përse unë këtu nxjerr në dritë pikërisht qëndrimin tim personal, sigurinë timie instiktive në praktikë. Në kohët e dekadencës sime unë ia ndalova vetes si të dëmshme këto ndjenja; sapo jeta u bë përsëri mjaft e pasu e krenare, unë ia ndalova ato përsëri vetes sikur t’i kisha gjetur brenda meje. Ky “fatalizëm” rus për të cilin fola u manifestua te mua nëpërmjet faktit se unë për vite me radhë iu përmbajta me ngulm situatave pothuajse të padurueshme, vendeve qëndrimeve, shoqërive që më ofronte rastësia. Ishte më mirë t’u përshtateshe sesa t’i ndryshoje, të ndieje se duhet t’i ndryshoje, të rebeloheshe ndaj tyre… E merrja atëhere mjaft për keq të shqetësohesha në këtë fatalizëm, të zgjohesha me forcë: në të vërtetë kjo ishte për mua çdo herë e rrezikshme për vdekje. Ta konsiderosh veten si një të paracaktuar, të mos e dëshirosh atë “ndryshe”:- për raste të tilla kjo është një urtësi e madhe.