Fritland, një shqiptar në podiumet e teatrit belg

Nga Elona Zhana

“Çdo gjë ka filluar dy vite e gjysmë më parë kur Zenel Laçi, me nje dosje plot shkrime poshtë krahu, mes të cilave edhe historia e jetës së tij, erdhi të na takoje, – kështu shprehet drejtori i teatrit të “Poche” z. Olivier Blin. Për ne ishte menjëherë e qartë – vazhdon ai, -askush tjetër nuk mund ta aktronte atë shfaqje si Zeneli. Ndaj ne vendosëm ti hapim atij dyert e teatrit tonë më këtë kusht të vetëm dhe me koshience të plotë që duke mos qenë aktor, kjo shfaqje do të ishte një sfidë për Zenelin dhe për ne. »
Për lexuesit mbase duhet thënë që “Theatre de Poche” i krijuar në fillimin e viteve 50 është një institucion shumë i rëndësishëm i botës së teatrit belg dhe më gjerë atij frankofon. Shfaqja Fritland ka filluar me datën 23-04-2019 dhe është që tani një sukses. Kjo ka bërë që teatri ta zgjasë atë gjer ne fundin e qershorit.

Futemi në sallë e cila është plot, madje të gjitha vendet janë rezervuar edhe për javën tjetër. Dritat fiken. Publiku gjen një Zenel të relaksuar që duke qëruar patete dhe duke kaluar me shumë finesë nga një skenë humori në një skenë të dhimbshme na tregon historinë e tij. Për publikun shqiptar historia e tij i ngjan shumë të tjerave dhe marrëdhënia e Zenelt aktor me Shqipërinë dhe të gjithë trashëgiminë e saj kulturore, morale e etike, si për një mazhorancë të shqiptarëve të diasporës, është një marrëdhënie dashurie e urrejtjeje. Tek Zeneli ky shkëmbim materializohet nëpërmes figurës së babait, një baba autoritar që lëndon nga njëra anë me aplikimin e atyre rregullave arkaike do të thotë përjetshme të cilat kur nuk janë qesharake bëhen tragjike për shoqërinë belge në të cilën jeton tashmë familja.

Nga ana tjetër, babai autoritar është një model, ai i njeriut që pavarësisht çdo gjejë beson në ëndrrën e tij dhe skena e fundit e shfaqjes, është një lloj homazhi ndaj tij ndërsa Zenel i tregon se tashmë Fritland, dyqani ku familja shet patate të skuqura është i njohur botërisht dhe i cilësuar si më i miri i Brukselit nga Shoqata e Konsumatorëve Belg. Pra nëse historia megjithëse autentike i ngjan shumë të tjerave, risia dhe do të thoja çelësi i suksesit të aktrimit dhe pjesës qëndron në aftësinë e Zenelit aktor dhe shkrimtar për të treguar me emocion dhe humor ngjarje e marrëdhënie që ende perceptohen si tabu. Dhe të gjitha këto serviren me kujdesin e madh për të qëndruar larg patosit, viktimizimit apo nostalgjisë.
Në fund të shfaqjes publiku ka mësuar se si Fritland është krijuar në vitet 70 nga një familje shqiptare e ushqyer me ëndrrën amerikane e cila vendoset në Belgjikë në pritje për më mirë. Familja Laçi blen një lokal të vogël afër Bourse dhe hapën një biznes që punon 24 orë në 24. Çdonjëri nga 6 fëmijët duhet të punojë. Nën drejtimin e një babai autoritar Zeneli punon 14 orë në ditë: patate te skuqura, salsiçe, salcë …

Ai ruan edhe sot e kësaj ditë shenjat: flokët e djegura nga yndyra, venat e dala nga të qëndruarit në këmbë, një tendinit në shpatull si pasojë e ngritjes së kovave të rënda me patate….Fritland bëhet i suksesshëm dhe familja jeton mirë. Por paratë nuk janë ëndrra e tij. Ato ç’farë don Zeneli janë letërsia, arti, të ëndërrojë, të shkruajë. Dhe kështu ai tregon e dëgjon histori me e nga klientët gjithmonë në përpjekje për të dalë nga fati i mallkuar i një patateskuqësi shqiptar, për të gjetur rrugën e tij, për të gjetur lirinë…

SHKARKO APP