Gabriela Misterial, rrëfimet e erosit
Hapësirë shpirti prej ari
dhe në shtrirje të artë
dy trupa si lëmshe ari
një trup i famshëm
që dëgjon e një trup
i famshëm që flet në livadh
në të cilin asgjë nuk flet…
Gabriela Misteral i shkruante këto vargje, teksa sillte në mendje ditët e trishtuara me Romelio Ureta. Ai asnjëherë nuk i kishte folur për vdekjen. Gjithë letrat që i niste shpesh drejt saj ishin të mbushura me dëshirat e një burri për t’i ndryshuar jetën një gruaje. Poezitë që shpesh lexonin bashkë teksa Kili përhumbej në mbrëmje, kishin brenda estetikën e ndryshimit. Misteral pëlqente pikërisht idetë e tij për një botë e shoqëri më të hapur, aq sa nuk ia fali asnjëherë zgjedhjen që bëri. Gabriela Misteral kthehej shpesh në kohë. Shumë pranë tryezës së saj të punës ndodhej dhe një kuti e mbushur me dorëshkrimet e Uretës.
Fotografi, letra, poezi gjithçka që gjeti në apartamentin e tij atë fundjavë, kur hyri për herë të fundit. Gjatë gjithë jetës së saj ato mbetën si një frymëzim për të shkruar. Ata do të takoheshin në mbrëmje atë ditë, kur Romelio Ureta kreu vetëvrasje. Ajo e kujtonte gjithnjë pudrën e lehtë të fytyrës, këpucët që zgjodhi për darkën dhe gjithçka që do t’i thoshte. Ikja nga jeta e Uretës do të ishte një kthesë në letërsinë dhe jetën e Gabriela Misteral. Ajo do të endej gjithnjë mes një frikë nga ajo çfarë mund të shkaktonte shkrimi i saj. Atë ditë ajo takoi vdekjen dhe mësoi të jetonte çdo ditë me fundin.
Pjesa më e madhe e poezive të Misteral do t’i kushtoheshin kësaj dashurie. Ajo nuk u martua më, por ia kushtoi jetën pasionit që dikur ndante bashkë me Uretën rrugëve të Kilit. Lucila de María del Perpetuo Socorro Godoy Alcayaga (7 prill 1889 – 10 janar 1957), poete, mësuese dhe diplomate është një nga figurat më të rëndësishme të letrave, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, fituese e çmimit Nobel në letërsi në vitin 1945. Dashuria dhe vdekja përshkruajnë gjithë letërsinë e saj. Librin e saj të parë “Tala” ia dedikon nënës, me të cilën kishte pasur një lidhje të veçantë pas braktisjes nga i ati.
Shkrimet e para ajo i boton me pseudonime. Këto të fundit ishin zgjedhje që Misteral i bënte shpesh. Vargjet e dhembjes dhe vdekjes do ta bënin atë poeten e errësirës, një zë të spikatur në letërsinë latinoamerikane. Gabriela kujtohet dhe si gruaja që kishte kaq shumë miq burra. Shenjat e para të suksesit përkojnë me dhjetorin e vitit 1914, kur merr çmimin e parë në një konkurs letrar kombëtar me emrin Juegos Florales në Santiago, me krijimin “Soneti i vdekjes”.
Nga ai çast mori pseudonimin Gabriela Misteral në të gjitha shkrimet e saj. Shpjegimi i këtij pseudonimi qëndron tek emrat e dy prej poetëve të preferuar Gabriele d’Annunzio dhe Frédéric Misteral. Me librin “Zhgënjimi” ajo merr dhe famën ndërkombëtare. Një vit më vonë botohet një tekst, “Lexime për Fëmijë”, në prozë dhe poezi, kushtuar ekzaltimit të temave të lindjes, kujdesit për fëmijët dhe nacionalizmit. Pas disa muajsh në Meksikë ajo kthehet në Kili, ku i jepet titulli akademik, profesor i gjuhës spanjolle në Universitetin e Kilit. Fama ndërkombëtare e bën të udhëtojë me veprat e saj, si fillim në Amerikë, Europë të cilën e vizitoi për herë të parë në vitin 1924 dhe që vendosi një lidhje të fuqishme aq sa i botuan në Madrid volumin Butësi, një koleksion krijimesh për fëmijë, por që shpesh përqendrohet edhe te trupi i femrës.
Një vit më vonë kthehet në Amerikën Latine dhe viziton Brazilin, Uruguain, Argjentinën etj. Pas kthimit në Kili iu dha një pension, dhe u shkëput nga mësimdhënia. Ajo ka qenë mësuesja e poetit Pablo Neruda. Nga viti 1925-1934 jetoi në Francë dhe Itali, duke punuar për Kombet e Bashkuara. Mban leksione pranë Kolegjit Barnard të Universitetit Kolumbia, Kolegjit Vassar dhe Universitetit të Porto Rikos. Më vonë, që nga viti 1932, bëhet dhe Konsulle e Kilit, derisa ndërroi jetë, duke kryer detyra në Napoli, Madrid, Petropolis, Nisë, Lisbonë, Los Anxhelos, Santa Barbara, Nju Jork. Botoi qindra artikuj në periodikë dhe gazeta në të gjitha vendet spanjishtfolëse. Në vitin 1938 në sajë të ndihmës së mikes Ocampo, botoi veprën Tala dhe të ardhurat kaluan për fëmijët jetimë të Luftës Civile spanjolle.
Ky volum përfshin poema të ndryshme që ekzaltojnë zakonet dhe folklorin e Amerikës Jugore dhe të Mesdheut. Misterali i shkrin në mënyrë unikale të dy temat duke na dhënë çelësin e shprehjes që i referohej asaj “india basca”. Në vitin 1943 një zi tjetër godet ndjeshmërinë e saj, vetëvrasja e nipit 17-vjeçar që e kishte rritur si birin e saj. Kjo vdekje, si dhe shpërthimi i tensioneve në Europë dhe Amerikë, me Luftën e Ftohtë, janë subjekti i volumit të saj të fundit Punishtja e verës që u botua në vitin 1954. Një volum tjetër me vargje Poema e Kilit doli në vitin 1967 dhe përshkruan kthimin e saj, shpirtëror, në Kili në shoqërinë e një djali Indio dhe një dreri.
Më 15 nëntor 1945 u bë gruaja e parë amerikanojugore që mori Nobelin në Letërsi, duke e afruar më tej me Nerudën, pasi një lidhje tjetër ishte shtytja që i dha nxënësit të saj si mësuese, që të ndërmerrte karrierën artistike. Në vitin 1947 laureohet me Honoris Causa në Kaliforni dhe në vitin 1951 i jepet në vendlindje Çmimi Kombëtar për Letërsinë. Në vitet e fundit edhe sepse shëndeti u përkeqësua, zgjodhi Nju Jorkun si rezidencë dhe në vitin 1957, kur ishte 67 vjeçe, vdiq nga kanceri. Qeveria kiliane shpalli për tri ditë zi në nivel kombëtar, duke u dhënë mundësi qytetarëve t’i jepnin lamtumirën e fundit. Vetëm pak kohë më parë është botuar në Kili një vëllim me vargje të zgjedhura prej saj nën titullin “Kënga që dashuroje