Gafa e kryeministrit/ Haradinaj shpall ‘të vdekur’ Alfred Kaçinarin: Pikëllues lajmi për ndarjen e tij nga jeta
“Arti dhe kultura shqiptare humbën sot një profesionist prestigjioz në fushën e muzikës në Shqipëri, të madhin Alfred Kaçinarin”. Kështu e niste kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj një postim në rrjetet sociale të cilin e ka fshirë shumë shpejt teksa edhe ngushëllonte familjen, miqtë dhe kolegët.
Përveç kësaj, gafa e Haradinajt bëhet ende më e madhe pasi krah shënimit ka vendosur edhe një foto të Alfred Kaçinarit, ndërsa ditën e sotme në fakt u shua në moshën 80-vjeçare kompozitori i njohur nga Kosova, Gjergj Kaçinari.
Pak minuta pasi ka bërë postimin në fjalë, Haradinaj e ka fshirë atë duke e zëvendësuar me një tjetër, ndërsa këtë radhë ka ngushëlluar familjen e të ndjerit, Gjergj Kaçinari.
“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta e kompozitorit të njohur prizrenas Gjergj Kaçinari. Arti dhe kultura sot humbën një mjeshtër që ka kontribuar shumë për muzikën e vjetër shqiptare.
Botës së kulturës do t’i mungojnë veprat dhe gjithë krijimtaria e veçantë e z. Kaçinari. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e kolegëve të tij.
I pushoftë shpirti në paqe!
RH”, shkruan Haradinaj në postimin e dytë.