Gazmend Leka: Babai im shpirtëror është Petro Zheji
Krijimtaria e tij në pikturë gjithmonë ka marrë vlerësimin e publikut dhe kritikës, dhe sot ai është një nga personalitet e artit në vendin tonë. Piktori Gazmend Leka është vlerësuar me shumë çmime, midis tyre ‘Mjeshtër i madh”. Në një intervistë për emisionin “Thurje”, Leka ka vlerësuar përkthyesin Petro Zheji, duke e konsideruar si babain e tij shpirtëror. Piktori shprehet se Zheji ishte njeriu që i dha kuptim jetës së tij.
“Petro Zheji, ishte njeriu që i dha kuptim jetës time. Pa të, vështirë të kuptoja se çdo të thotë të përmbushesh intelektualisht. I jam falë për gjithë jetën, për çdo mësim që më ka dhënë. Më bëri të kuptoj se gjuha është gjëja më me vlerë e një kombi. Ai mbetet pa diskutim babai im shpirtëror”, u shpreh Gazmend Leka. Ai gjithashtu rrëfeu vështirësitë me të cilat u përball gjatë studimeve të tij për pikturë për shkak të prirjeve të tij borgjeze që ishin në kundërshtim me sistemin e asaj kohe.
“Në rininë time dy kanë qenë periudhat më të errta të jetës time. I pari është diplomimi i Liceut. Për pak desh me ngelën në klasë. Nga student i shkëlqyer, rrezikova të ngelja sepse arti im, ishte me ‘prirje borgjeze’. Në atë kohë quheshim “Studentë me Lakra”, sepse kisha dëshirë të lija favorite të gjata, flokë të gjata gjithashtu, doja të isha shpirt i lirë, dhe kjo gjë ata i pengonte. Klasën e kalova, me vunë një pesë për hatër. Kur u futa në Akademi dhe jeta ime ndryshoi akoma më shumë se në Lice. Në Akademi, pata sfidën e dytë më të madhe në jetë, e cila përsëri ka të bëjë me diplomimin. Edhe pedagogët e Akademisë, deshën që të më ngelnin pasi pikëpamjet e mia mikroborgjeze në art binin ndesh me sistemin”, tha ai. Por ai tregon se Akademia është formimi i vetë qënies së tij. “Akademia është formimi i vetë qënies time. Preka për herë të parë ç’do të thotë art në jetë. U rrita, profesionalisht. Zura një miqësi që kushdo e ëndërronte. Kemi qenë nja pesë shokë, të cilët mblidheshim pothuaj çdo natë në shtëpinë e Alfred Kostës. Këto takime në shtëpinë e tij, ishin për mua Akademia e vërtetë. Gjithçka e ndaluar nga koha, diskutohej mes tymit të cigares së pesë të rinjve. Lexonim Biblën, e diskutonim rreth saj. Sot e them këtë gjë dhe shumë njerëz do të qeshin por në atë kohë, të flisje për Biblën hynte të bisedat e rrezikshme.”
Gjatë bisedës me Gazmend Lekën ai rrëfen se pikturës i ka dhënë gjithçka. “Nëse flasim për ‘gjërat e duhura’, mendoj që duhet ta kem bërë dhe e kam bërë me seriozitet maksimal. Nëse ka gjëra që nuk i kam bërë janë për një arsye të një mungese, megjithatë nuk mund të gjykoj dot sepse akoma jam në valle, jam duke vrapuar, por kur kthej kokën mbrapa dhe shoh jam si ditën e parë, kam qenë shumë koshient për atë që bëja. Përpiqesha të strukturoja në këtë ‘bulevard’ të madh që ishte, të ndërtoja rrugica që të nxirrnin diku, por që e bënin shumë më të gëzueshëm qytetin. Kam punuar si atëherë dhe vazhdoj punoj akoma gati 10-12 orë në studion time”, shton Leka. “Dikur studioja ime ishte e vigjër, një manastir me katër mure ku rrija unë dhe piktura. Sot është ndryshe. Një studio me dy biblioteka të mëdha, ku duke pikturuar dëgjoj shumë intervista të kritikëve të mëdhenj të botës së artit, të piktorëve të mëdhenj. Këtij lloj profesioni, i cili për mua nuk është profesion, unë i kam dhënë gjithçka. Besoj, diçka më është kthyer. Edhe populli im, në një vend me etapa të ndryshme më ka vlerësuar me nja 15 çmime, deri te çmimi “Mjeshtër i madh”, i cili m’u dha para disa kohësh. Për mua nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe, por ndonjëherë artisti kërkon edhe të përkëdhelet. Jo se nëse nuk do t’i kisha çmime unë nuk do vazhdoja, madje mund të isha edhe më i egër, më i pamëshirshëm, më mazokist me veten time, por ajo e ka bërë më interesante, qoftë për familjen time, për miqtë e mi, për ta ndarë në etapa krijimtarinë time”, përfundon piktori i njohur rrëfimin e tij.