Gazmend Leka, rrëfim për “Lutjen” në tempullin e përjetshëm të pikturës

Lutja shpirt e trup trazuar e ka kryer funksionin e saj…! Tani jemi pikërisht në majë. Jemi nën pushtetin absolut të tablove të Gazmend Lekës, të cilat do të prezantohen për publikun sot pasdite në ekspozitën “Lutja”. Ekspozita do të çelet në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve dhe do të qëndrojë e çelur deri më 31 tetor.

Duke parë tablotë e kësaj ekspozite vëren se imazhi i piktorit hyn e del lirisht i rrethuar nga dritat. Emocionet njerëzore të mbështjellin në një dashuri të thellë për prekjet e penelit, për ngjyrat dhe dritat e mëngjesit që e bëjnë të zezën karakteristike të autorit mos të duket e tillë. E kuptueshme qartë simbolika e piktorit. Ndoshta se “Lutja” është edhe për mua, edhe për ty. Shumë vite më parë Gazmend Leka ishte shprehur: “Gjithmonë e kam konsideruar pikturën time si një lutje të gjatë që nis me lindjen e diellit”. Sot duket si një profeci, sepse lutja është përmbushur.

Kuratori i kësaj ekspozite, Ermir Hoxha, thotë se “duket sikur artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet”, duke shtuar më tej se: “Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak.” Sipas kuratorit Hoxha, kjo ekspozitë “Është autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i ngjizur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial.”  Ndërkohë në një intervistë për “Shqiptarja.com”, vetë piktori Gazmend Leka të udhëheq me modesti drejt kodeve të ekspozitës “Lutja”, e cila sipas kuratorit Hoxha “ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës.”

Intervista

Në natyrën tuaj të punës vihet re se ju vini në ekspozita me disa cikle, një dukuri që i bën zakonisht ekspozitat tek të tjerët më të rralla, por tek ju ndodh ndryshe, ciklet po prodhohen gati nga viti në vit. Si shpjegohet kjo që po ju ndodh me krijimtarinë  tuaj?

-Ky konstatim është shumë i vërtetë. Këto vitet e fundit kam ndërtuar disa cikle, si “Ikarus” apo “Black Box”, “Molla”, “Natyra Morte”, “Taso” dhe sot po vij me një cikël tjetër, e cila quhet “Lutja”. Nganjëherë kushtet; edhe kur galeria është e vogël dhe intime dhe nuk është super e madhe, sheh se të vijnë për mbarë t’i përshtatesh asaj. Kështu, unë në këto raporte e filloj punën me mendimin sesi do ta ndërtoj ekspozitën time. Dhe unë tani e kam fituar këtë lloj aftësie, që kur nis të pikturoj në studion time, përfytyroj sesi do ta vazhdoj. Dhe më vjen mirë se e quaj pasuri krijimtarinë time që gjithë këto kohë ka nisur të ndërtohet si një frazë e plotë, jo si fjalë. Ciklet i nis thjesht, bëj një punë, nis ta shoh mirë punën time dhe vendos që këtë punë po e hap dhe po e zgjeroj. Cikli “Lutja” ka nisur kur kam gërmuar në memorien time, ku kam  gjetur shpesh fjalë, muzikë apo imazhe të fjetura. Unë befas zbulova që ruaja një kujtim nga “Vëllezërit Karamazovë” të Dostojevskit që e kam lexuar që në vitin 1977. Ka qenë libër i ndaluar në atë kohë dhe nuk ishte përthyer në shqip. Në momentin kur At Zosima bie në tokë nën këmbët e Dimitrit dhe bie me zhurmë në tokë e përplas kokën, të gjithë u tmerruan, sepse askush nuk e kuptonte se çfarë po bënte. Në fakt, ai po lutej duke parashikuar një krim në familjen e tyre, se ishte në konflikt Dimitri me të atin. Kjo gjë mua më është ngulitur dhe nuk më është shqiptuar kurrë në kokë. Erdhi momenti kur këto imazhe dhe ato të murgjve të mëdhenj, siç është tek “Emri i trëndafilit”, rasti që Umbertoja rrinte i shtrirë në dysheme, dhe atje do të përqendrohej i tëri në lutje, m’u kthyen në mjete shprehëse. Dhe ndonjëherë lutja bëhet shumë e plotë, kur lutesh për një gjë që bëhet fjalë për jetë a vdekje. Dhe unë atje fillova të përqendrohesha, kur lutja njerëzore bëhet shumë e fortë, kur lutja nuk bëhet kalimtare, atëherë ndodh që priftërinjtë e mëdhenj bëhen edhe lakuriq e dorëzohen të tërë trup e shpirt në lutjen e tyre. Kështu nis edhe ky cikël, me këtë pikturë, që e çova tek ekspozita “Nëntori”. Atje, duke biseduar me njerëzit e mi, dëgjoj të më thonë, “Ore Gazi, pse  nuk bëni një cikël?!”. Dhe kjo shtysë zgjohet brenda meje, dhe unë nisa ta përgatit sepse isha pikërisht në atë fazë i gatshëm për të ndërtuar ciklin. Dhe në këtë mënyrë, unë para një muaji mbarova pikturën  fundit dhe erdhi ky moment, brenda një viti, ku unë ndërtova këtë cikël të ri.

Zakonisht lutjet bëhet edhe për falje të mëkateve njerëzore. Dhe ju thoni se lutja funksion, kur bëhet vërtetë për gjëra të rëndësishme. Cilat mëkate do të toleronit dhe për cilat do të luteshit fort në rastin tuaj?

-Kam përshtypjen se kur njerëzit shohin nga jashtë ekspozitën, “Lutja” mendoj që ka një konotacion të lidhur me fenë. Unë e di se vërtetë njerëzit lutjen superiore të tyre e kanë të lidhur me krijuesin, të cilin nuk e kanë takuar, nuk e kanë parë asnjëherë, vetëm sepse e besojnë atë. Mirëpo unë di se në jetën e zakonshme, njerëzit kanë edhe lutje të thjeshta, sepse duhet të mbijetojnë. Njerëzit kanë lutje ndaj drejtorit të tyre, mikut të tyre, për të bërë një gjë për shtëpinë e tyre. Këto janë lutje që edhe të rëndojnë. Por lutjet e mëdha kanë të bëjnë me jetën dhe vdekjen. Kjo lutje nuk është një lutje esktravertive që del nga unë, që i lutet një tjetri jashtë; që është më i fuqishëm për të plotësuar tekat apo dëshirat e mia. Kjo është një lutje introvertive. Është një lutje që i bëj vetes sime në qenien time më të thellë. Atje ku fshihet e gjithë energjia, atje ku fshihet nukli im, gjithë potenciali im krijues ose si njeri. Dhe unë këtë dua të bëjë. Unë dua që kjo lutje të jetë e tillë, si e thënë tjetrit që t’i shkojë puna mbarë për punën që ai po bën. Cikli synon që të dalë kjo energji dhe të dalë pa mbetje, dhe tek publiku të transmetohet pa mbetej.

Po ta vësh re tek veprat tuaja, që ju pohoni se janë lutjet për shëndetin për mbijetesën, janë shenjat e artit, janë kutitë e bojërave, penelat e hedhura kudo e ngado. Domethënë a është një lutje kjo për artistin si qenie?

-Në fakt unë ekspozitën më përpara e quajta “Lutja e artistit”. E hoqa fjalën artistit më pas, sepse lutja për çdo njeri është pothuajse e njëjta e gjë.. domethënë lujtja ime është simotër qoftë edhe me lutjen tënde, në punën tënde të përditshme, edhe me lutjen e të tjerëve në punën e tyre të përditshme. Domethënë nëse unë bëj pikturën, unë lutem sigurisht për pikturën time, sepse rri 12 orë në studio dhe punoj nga mëngjesi deri në darkë dhë çdo ditë kur hap derën unë sigurisht them “Do Zoti dhe më ec mbarë sot dita!”. Nuk është se unë bëj këto gjeste që shihen në pikturën time, që shtrihem në dysheme, ose rri me kokën e përkulur mbi telajot e mia. Ky është një gjest, një pantomimë e duhur për t’u bërë e duhura në sytë e vizitorit, ndërsa e vërteta e saj është e fshehur, e fshehur për mua, sepse qarkullon nga mëngjesi në darkë, është diçka e fshehur brenda meje, sepse unë përplasem me unin tim. Shumë njerëz mendojnë që një artist thjesht kënaqet me artin e tij. Unë në fakt e kam artin edhe si antidodin ndaj helmeve që më vijnë nga realiteti. Çdo njeri ka helme nga realiteti, nganjëherë të duket vetja sikur je i pambrojtur, sikur je i humbur në realitet. Por mua arti për këtë më ka shërbyer që ky antidod të mos më dëmtojë,dhe unë e transplantoj në pikturën time si një energji. Dhe unë mendoj se në këto ekspozita kam pasur një energji të brendshme Dhe për këtë fillon detyra ime si artist, ku biseda, fjalët pushojnë, se unë nuk po bëj këtu një traktat filozofik, por më duhet që të përcjellë imazhin. Piktura duhet të jetë e bukur në vetvete, por mua nuk më shqetëson shumë fakti që të jetë e bukur për t’u mbajtur në një mur, sallon, etj,etj. Unë dua ta bëj me një energji të fortë nga brenda, prandaj unë e vyshk edhe ngjyrën. Unë nuk e lë që e kuqja të jetë e kuqe, bluja të jetë blu, por është pak si e vyshkur. Çdo ditë artisi vdes nga pak, por ngjallet në veprat e tij. Fakti që kthehem nga studioja i dërrmuar në shtëpinë time, më tregon se unë kam bërë atë për të cilën jam lutur me shpirt të bëhet.

Për të mos e banalizuar temën, por duke dalë në një temë aktuale, ka në këto vepra ndonjë mesazh për njerëzit që nuk luten për gjërat e mëdha, por vuajnë nga ëndrrat e pasjes së objekteve të shtrenjta, për luksin e madh?

-Në këto piktura ka një mesazh për çdo njeri që është koshient për ta çuar përpara punën e tij me ndërgjegje maksimale. Artisti e ka punën e tij deri tek përthyerja e mesazheve se nuk mund ta zbërthejë aktivitetin një për një. Dhe njerëzit e kapin mesazhin, sado e sofistikuar që të jetë vepra. Njerëzit duhet ta kuptojnë që nuk është një lutje për veten time. Unë çfarë kam dashur të them jam përqasur tek vetja ime dhe dua t’ua them njerëzve. Kjo është gramatika ime për t’ua transmetuar njerëzve mesazhin të kodifikuar me gjuhën e pikturës time.

Kemi një tablo përpara, që do ta konsideroja si tablonë hyrëse të ekspozitës. E shoh që jeni ju personazhi, si arrini ta shihni kaq qartë veten tuaj?

-Unë aty kam ndërtuar një lloj simbioze dhe arrij të shoh qartë atë që është e gjithë bota ime, por kryesisht këto detaje i shoh para se të nis të pikturoj. Është fillimi i ditës ku të pret një studio e rrëmujshme dhe një telajo e bardhë. Në këtë moment si prolog është thjesht lutja. Dhe i konceptuar përmes lutjes, ky cikël më ndihmon shumë që të shoh edhe mënyrën e kalimit nga një cikël tek tjetri.

SHKARKO APP