Gegë Marubi i fundit i yjësisë “Marubi” që la një emër dhe dha një vepër monumentale të kujtesës

Në historinë e qytetit të Shkodrës, emra dhe personalitete, kontributorë dhe zelltarë të devocioneve krijuese, i blatuan memories së brezave gjithçka që patën më të shtrenjtë në shenjtërinë e pasionit të tyre. Shkodra dhe brezat e kanë vlerësuar dhe janë krenuar nga kjo pasuri, i kanë qenë mirënjohës këtij përkushtimi dhe e kanë lartësuar me shndërrimin në altar të testamentit krenues që mbrujtën ata me mish e me shpirtë, me zemër e me zjarr, me pasion e me vetëflijim. Njëri ndër ta, ndër ata që Shkodra dhe Shqipëria u mburr që i pati buj dhe etër, ishte Gegë Marubi, caku i mbramë i rrugëtimit të dinastisë së shumënjohur “Marubi”.

Sot 35 vite më parë, më 28 maji 1984,  në moshën 77-vjeçare u shua në qytetin e lindjes, Shkodër, Gegë Marubi, i mbrami i dinastisë Marubi, filli mbarues i një kontributi që pasuroi vlerat tona shpirtërore dhe kontribuoi që nëpërmjet artit dhe mjeshtërisë të fotografisë të konservonte në memuarin e kohës gjithë atë ansambël vlerash, personalitetesh, ngjarjesh dhe datimesh historike, që sot flasin dhe tregojnë të vërtetën nëpërmjet imazhit që fiksoi aparati i këtij virtuoziteti.

Me shuarjen e Gegë Marubit u fik edhe zjarri i fundit i yllësisë fotografike me emër e famë botërore Marubi, por u shtua vlera e fondit fotografik mbinjëshekullor. Ai çdo ditë e më tepër bëhet i pranishëm dhe i dobishëm për botën kulturore dhe shkencore të shqiptarëve në të gjitha trevat ku ata banojnë. E, një pjesë e madhe e këtij fondi, është fryt i mendjes dhe dorës së Gegë Marubit. Duke jetuar deri vonë, më 1984 kuptohet se në Shkodër kujtimet më të gjalla dhe respektin më të madh njerëzit e ruajnë për Gegë Marubin, të fundmin e dinastisë së fotografëve artistë. Zotni Gega, qe njeri i madh, thonë shkodranët të cilit i patën atribuuar gjithmonë epitetin e zotnisë edhe atëherë kur duhej të ishe shok.

Gegë Marubi u lind në Shkodër më 20 maj 1907. Ishte më i madhi fëmijë të Kel Marubit, nxënësit të Pjetro Marubit. Ai pati privilegjin dhe përgjegjësinë të ishte pasuesi i një dinastie të zëshme dhe një vijues i një fame të merituar përmes një punë dhe kontributi të pamatë, të mjeshtrit të madh të të atit.

Kur themi fotografia shqiptare, nënkuptojmë Dinastinë Marubi, që filloi me Pjetër Marubin, në mesin e dytë të shekullit XIX, vazhdoi me Kel Marubin dhe u mbyll me Gegë Marubin, më 1984-ën. I rritur mes artit fotografik, i pajisur me një kulturë evropiane, i specializuar në artin e fotografisë moderne. Vazhdues i denjë i kësaj dinastie. Merita e të mbramit të fotografisë shkodrane është puna arkivuese e një fondi të pasur dhe një historie 120-vjeçare.

Një meritë e pamohueshme të këtij pinjolli të Marubëve është edhe roli që ai dha në pasurimin e jetës qytetare me kinemanë. Ai ka qenë i pari në Shkodër por edhe në Ballkan që ka sjellë në qendër të qytetit kinemanë. Gjithashtu ai ishte i pari që projektoi filmin në një sallë në Shkodër, që u quajt kinemaja e qytetit. Gjatë viteve ‘20-‘30, krahas fotografisë, kinemaja u kthye në një pasion të dytë për të. Gegë Marubi, ndryshe nga dy paraardhësit e fotografisë së kësaj yjësie, ai ishte edhe një veprimtar dhe atdhetar i përkushtuar i interesave të larta. Deri në frymën e fundit, për shkodranët, ai do të ishte “Zotni Gega”, një zotëri dhe një vlerë e finsikërisë që i la këtij qyteti, më shumë se vepër që mbeti krenuese atëditë e sot, edhe nderin, dinjitetin dhe mirësinë.

SHKARKO APP